Gëzim Gjini është babai i Skofiar Gjinit, i cili ka ndërruar jetë gjatë një aksident trafiku në Gjakovë në qershor të vitit 2022. Skofiar Gjini ka qenë shofer i Autoambulancës së QKMF-së në Gjakovë. Gjykata e Apelit e ka rikthyer në rigjykim rastin në fjalë, ku fillimisht nga Apeli është shqiptuar dënimi në shtatë vite.
E babai i Skofiar Gjinit, Gëzimi në “Rreth e Rrotull” është shprehur i pakënaqur me kthimin e rastit në rigjykim nga Gjykata e Apelit për përsonin që ka shkaktuar aksidentin dhe që djali i tij vdiq pas plagëve të marra, disa orë pas aksidentit.
Gëzim Gjini theksoi se duhet të jepet dënimi i merituar ndaj shkaktarit të aksidentit pasi është një “lehtësim” për ta.
Gjini deklaroi se rasti i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit është duke u zhagit dhe nuk po trajtohet denjësisht.
“Edhe po të dënohet me vdekje ose burgim të përjetshëm, nuk na kthehet djali. Është lehtësim për ne nëse e merr dënimin e merituar. Nëse m’ka ndodh mu kjo gjë, nesër do t’i ndodh tjetrit. Kur nuk vepron ligji. Kjo zhagitje prej nëntorit deri më tani, me shku kjo super ekspertizë. Bën thirrje për ekspertizë prej ndërkombëtarëve, dikush i huaji masi nuk po dojnë. Nuk e di cila ka vlerë më shumë. A është më e rëndësishme ekspertiza e ekspertit të trafikut që e ka caktu Prokuroria apo ekspertit që ka paguar familja”, tha Gjini.
Ndryshe, Gëzim Gjini ka rrëfyer se humbja e djalit nga aksidenti i ka shkaktuar “plagë” që vazhdojnë të jenë të hapura edhe më tani, dhe në kujtim të tij po “thur vargje”, siç e quan ai “për ti ruajtur ment e kresë”.
Ai shtoi se pasuria kryesore që ka trashëgimi nga djali i tij janë dy vajzat e tij.
“Shumë e vështirë, por që do të rriten ato dhe do të bëhen trung i familjes”, tha Gjini.
Gjini po ashtu promovoi edhe librin e tij kushtuar djalit të tij të vetëm, i titulluar “220 fotografi- Kujtim për Skofiar Birin”. Ai tha që është shkruar me përlotje dhe për dhimbjen e tij ndaj birit.
Skofiar Gjini, 33-vjeçar [ish-Punonjës i Qendrës të Mjekësisë Familjare], ka mbetur i vdekur pas një aksidenti që ndodhi mes një veture dhe një autoambulance me 30 qershor të 2022 në Gjakovë. Disa ditë më pas ka vdekur edhe mjeku, Mentor Saliu që ishte në autoambulancë dhe një pacient ka mbetur i lënduar rëndë.