Avdyl Bajqinovci nga fshati Gracë e Vushtrrisë muaj më parë e ka blerë një shtëpi shtëpi bashkë mr 20 ari truall. Krahas punës në oborr, në kulmin e shtëpisë deri të shtunën e mbante flamurin kombëtar e shtetëror.
“Të dielën rreth orës 18:00 një vajzë e vogël e komuniteti serb e takova në rrugë e më tha a e din ku e ke flamurin se ta kanë hequr. E pyeta se kush, e më tregoi për dy kojshi këtu. Pas bisedës erdha e me verifiku a është flamuri, nuk ishte më.”, ka treguar Bajqinovci.
Bajqinovci ka thënë se personat që dyshon se janë përgjegjës për këtë veprim janë të moshës së mitur.
“Unë shkova tek njëri prind i të miturve i tregova për rastin, ma shtyjti me dorë (fëmiun) më tha qe merre ndaç dërgoe në Polici ndaç bëjë çka të duash e jam “zatetë” prej tij po qohet peshë merre. Këta prindërit e të tjerëve nuk kanë qenë këtu duke i marr me të mirë i treguan videot që i kanë bo. I morra videot në telefon dhe i thirra Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Përkundër kësaj ai ka treguar se me fqinjët asnjëherë nuk kanë pasur probleme. As pas këtij rasti raportet mes tyre sipas tij nuk do të prishen. Qëndrime të ngjashme kanë edhe fqinjët serb.
Fqinji i parë i Bajqinovcit është Rade Vukmirovic. I njëjti jeton në shtëpinë ngjitur Avdylit. Ai nuk pranoi të prononcohet, mirëpo prapa kamerës tha se edhe nipi i tij mund të ketë qenë njëri ndër personat që kane hequr flamurin. Përkundër kësaj ai deklaroi se as me ketë fqinj por as me të tjerët nuk kanë ndonjë problem.
Edhe një fqinj tjetër serb që nuk tregoi emrim ngurroi të flasë para kamerës, megjithatë për fqinjin e ri foli fjalë të mira për Avdyl Bajqinovcin.
Për djegien e flamurit policia ka raportuar vetëm si informatë. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit për të Mitur i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Për shkak që personat kanë qenë të moshës nën katërmbëdhjetë (14) vjeçare dhe rrjedhimisht nuk kanë përgjegjësi penale, prokurori kujdestar ka udhëzuar policinë që nga personat të merret deklaratë në cilësi të dëshmitarëve si dhe njoftohet Organi i Kujdestarisë – Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Ndërkohë nga Policia e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje nëse në këtë fshat ka pasur incidente të tilla në të kaluarën.