Një veturë me targa serbe është djegur mbrëmë rreth orës 20:35 në Ranillug. Ajo i përket anëtares së Komisionit Komunal Zgjedhor Aleksandra Popoviq.
Prokurori kujdestar Agron Uka i ka thënë Televizionit Dukagjini se dyshohet që dy shishe me koktej molotovi janë përdorur për të djegur veturën.
“Dyshohet se motivet e rastit kanë të bëjnë me mospajtime dhe përplasje mes partive politike serbe, të cilat garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka thënë Uka për televizionin.
Ai ka bërë të ditur se Popoviq, që është anëtare e Listës Serbe, ka pranuar një mesazh kërcënues në telefon një ditë para se të ndodhte rasti.
Mëngjesin e së shtunës, në Kllokot është djegur edhe një poster i një kandidateje për deputete nga Partia e Pavarur Liberale që udhëhiqet nga Slobodan Petroviq.