DKA Gjakovë: Në javën e parë të shtatorit i kemi pasur 20% të nxënësve të pajisur me tekste shkollore

EO

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumanova-Baçi sot [e mërkurë] në cilësinë e dëshmitares është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Gjatë intervistimit të saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, ajo deklaroi se në javën e parë të shtatorit të vitit 2023, vetëm 20% të nxënësve në Gjakovë i kanë pasur të pajisur me tekste shkollore.

“Në javën e parë të shtatorit 2023 ne kemi pas vetëm 20% të pajisur me tekste shkollore… Deri në fund të muajit shtator, kemi pasur diku 35-40% të pajisur me tekste shkollore” ka deklaruar Kumanova-Baçi.

Sipas drejtoreshës Kumanova-Baçi, në vitin shkollor 2023/2024 i kanë pasur të regjistruar 10 mijë e 50 nxënës të klasave 1 deri 9 në Gjakovë.

“Do të kisha jap një kronologji të vitit të kaluar të fillimit shkollorë 2023-2024, në formën se si e kemi parë ne si drejtori e arsimit dhe si ka rrjedh subvencionimin e librave. Fillimisht se Komuna e Gjakovës në vitin 2023-2024, në nivelin një deri në nëntë i ka pasur të regjistruar 10 mijë 50 nxënës. Me datën 09.5.2023 ne jemi informuar nga MAShT-i lidhur me fillimin e procedurave për tekstet shkollore. Me datën 26.05.2023 ka ardhur një informatë për zbatimin e udhëzimit administrativë që ka të bëjë me pajisjen e teksteve shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre. Na është kërkuar që të njoftohen të gjitha shkollat për mënyrën se si do të jetë subvencionimi në atë vit. Na është kërkuar që të njoftojmë që nga niveli gjashtë deri në nëntë që tekstet shkollore do të përdoren nga viti paraprakë. Kurse niveli një deri në pestë do të sjellën tekste të reja shkollore”, u shpreh ajo.

Drejtoresha Kumanova-Baçi ka treguar se vetëm dy librari në komunën e Gjakovës kanë qenë pothuajse të furnizuara me të gjitha tekstet shkollore të të gjitha shtëpive botuese.

“Nga 6 libraritë që punojnë në Gjakovë, vetëm 2 librari janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore dhe ato dy nuk i kanë pasë të gjitha tekstet e shtëpive botuese” – ka thënë Kumanova-Baçi.

Sa i përket subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, Kumanova-Baçi tha se 40% e prindërve kanë pasur probleme në aplikimin online në platformën e-Kosova për subvencionimin.

“Sipas raporteve të shkollave, gjatë aplikimit deri 40% e prindërve kanë pasur probleme… Ne ju kemi kërku drejtorëve të shkollave dhe profesorëve të TIK-ut të ju ndihmojnë (për të aplikuar për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore)” – ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës Kumanova-Baçi, prindërit në Gjakovë kanë bërë përzgjedhjen e teksteve shkollore sipas dëshirës së tyre dhe kjo ka sjell probleme te shkollat teksa ka shtuar se ka pasur prindër që i kanë keqpërdorur mjetet që i kanë marrë nga subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore.

“Në vitin shkollor 2023/2024 ka mbaru viti, për shkak se unë e kam një raport nga të gjitha shkollat, sa fëmijë, sa nxënës nuk kanë pas ende libra… Këtë vit, ka përfundu viti, ndoshta pa tekste shkollore, për disa fëmijë” – ka njoftuar drejtoresha Kumanova-Baçi.

Kur është pyetur nga Komisioni Hetimor Parlamentar se a ka pasur stoqe të librave të përdorur, ajo ka thënë se nuk e ka këtë informatë.

Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

Pas drejtoreshës Kumanova-Baçi në Komisionin Hetimor parlamentar, u intervistua edhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri.

 

 

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika