Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar një sasi cigaresh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Rasti ka ndodhur të dielën në orët e mëngjesit, gjatë kontrollit rutinë të bagazheve.
Sipas Doganës, një udhëtar shqiptar që udhëtonte me fluturimin Prishtinë–Londër, është ndaluar pasi në bagazhin e tij janë gjetur mallra të padeklaruara.
“Gjatë kontrollit të bagazheve të tij, të realizuar përmes skanimit dhe në prani të tij, është zbuluar mall i padeklaruar – konkretisht, sasi e konsiderueshme e cigareve me banderola të Shqipërisë dhe RKS-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në total janë gjetur 28,800 copë cigare, përkatësisht 144 boksa.
Sipas Doganës, malli është konfiskuar dhe rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore.