Serbia tha se Kosova ka ndaluar edhe një dërgesë me dinarë në Kosovës, por nga Dogana e Kosovës thanë se disa persona, që janë paraqitur se përfaqësojnë një bankë tashmë të mbyllur, janë udhëzuar që të ndjekin vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme.
“Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendojnë se përfaqësojnë Bankën Komercijalna, e cila tashmë është mbyllur. Këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme. Të njëjtit janë udhëzuar që të ndjekin njoftimet e BQK-së, derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjore”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Banka NLB Komercijalna deri në fund të këtij janari kishte operuar në Kosovë dhe kishte licencë që të punonin me dinarin serb në Kosovë. Banka ka njoftuar klientët e saj se llogaritë e tyre në dinarë do të transferohen në një nga degët e bankës në qytetet e Serbisë.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë është në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila thotë se vetëm euroja është valuta për pagesa me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se dinarët që u ndalën të shkonin në Kosovë ishin të destinuara për pagesën e rrogave, pensioneve dhe ndihmës tjetër sociale për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, tha se përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë dhe kompanisë “Henderson” janë përzënë nga pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. Ai pretendoi se policia e Kosovës i ka kërcënuar ata me arrestim.
“Kështu, [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti] e ka thënë qartë se e ashtuquajtura periudhë tranzitore është gënjeshtër e pastër dhe se po punohet gjatë gjithë kohës në funksionalizimin për ndalimin e dinarit”, u tha në reagim.
Petkoviq i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të rrisë edhe më shumë presionin ndaj Prishtinës për të hequr dorë përfundimisht nga vendimi i njëanshëm për ndalimin e dinarit”.
Më 7 shkurt, autoritetet serbe po ashtu kishin deklaruar se një dërgesë me dinarë serbë u ndal në Jarinjë, por nga Dogana e Kosovës kishin argumentuar se palës serbe i ishte sqaruar se qarkullimi i mjeteve nuk lejohet pa autorizimin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Po atë ditë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi se Banka Popullore e Serbisë, dërgoi një kamion mbushur me dinarë serbë në vlerë prej afër 1 milion eurosh drejt kufirit të Kosovës. Por, sipas tij, individët që po e përcillnin këtë mjet transportues, “u prezantuan me kredenciale të një kompanie inekzistente me pretendimin që paratë duan t’i dërgojnë te një entitet po ashtu inekzsitent në Kosovë dhe për interes të përfituesve, emrat e të cilëve as i dinë, e as nuk i kanë”.
Në rregulloren për operacione me para të gatshme, të miratuar nga BQK-ja, thuhet se institucionet e licencuara për operim në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave. Dogana dhe Policia e Kosovës janë autoritetet përgjegjëse që sigurohen që importi apo eksporti ndërkufitar i euros apo valutave të tjera nga dhe për në Kosovë mund të lejohet vetëm “përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga BQK-ja”.
Serbia ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa informimin e duhur të qytetarëve. BQK-ja në fillim të javës bëri të ditur se rregullorja do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj./REL