Dokumentarët që RTV Dukagjini ka sjellë për shikuesit në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

RTV Dukagjini ka realizuar një sërë dokumentarësh për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në të cilët janë kujtuar figurat historike të kombit që kontribuuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Gjithashtu, në dokumentarët e realizuar janë paraqitur edhe ngjarje historike, të cilat shqiptarët i mbajnë gjatë në mendje sepse nga këto është shkruar historia

Flamuri i Kosovës

Kush ishin snajperistët e UÇK-së?

Llapi nuk kalohet në këmbë, as me ajrore nuk i bihet Llapit, në zemër të Dardanisë e keni Llapin, Llapin – palcë e Kombit, Kerrkush nuk e gjeti fjetur Llapin,…

Në vargun e Ali Podrimes, e në luftën e fundit, Llapin, armiku nuk e gjeti fjetur.

Avni Ajeti, snajperisti i UÇK-së Z.O. e Llapit ka thënë se “Luftëtari armën e ndërron, por zemrën jo”.

Në veri e lindje, Llapit shpinën ia ruajnë malet, por në luftën e fundit, armiku kishte hyrë në thellësi.

Avni Ajeti ka shtuar se “Me snajper thashë, që përafërsisht i kam 30-40 karikatorë. Më vonë e kam ndërruar e kam marrë mitrolezin, 52-sh. Edhe aty po e them me qindra plumba i kam gju, më vonë kam gju edhe me mortajë”.

Ndërmjet 23 e 27 dhjetorit 98, Llapashtica ishte shndërruar në vendbetejë barbarizmi kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këmbëshpejt e symprehtë, djemtë si Avniu armikut i qëndronin afër.

Ajeti ka theksuar se “Në betejën e 24 dhjetorit, ku aty pozicionet me forcat armike ishin shumë të afërta, dhe diku në – 24 gradë, jam obligu me qëndru me katër-pesë orë duke tentu, sepse aty ranë dëshmorë shokët tonë dhe jemi kanë të obligum t’i mbuloj ata duke i tërhequr”.

Pos Llapashticës, Avni Ajeti që nuk kishte as 20 vjeç bashkë me shokët i bënin ballë armikut pëllëmbë për pëllmbë e dhëmbë me dhëmbë. Pos rrëzë malit, me snajper vëzhgonte edhe nga kulmet e shtëpisë.

Snajperisti i UÇK-së Z.O. e Llapit ka theksuar se “Në një moment të caktuar unë kam qenë në një kulm të shtëpisë, dhe tash a e kuptuan apo jo pozicionin tim, dhe unë e përdora armën shumë aty, se ishte lëvizja shumë e kufizume. Dhe realisht aty e sulmuan shtëpinë me një predhë goxha të madhe”.

Në betejën e Kaqandollit, Ajeti tregon se armiku ishte tërbuar, për çka ndezi makinerinë e rëndë.

“Ata e kanë kuptu krismën e snajperit dhe pozicioni im ka qenë i sulmuar me predha, 120 milimetra, 80 milimetra, deri më kanë detyra me dalë prej pozicioneve nuk e kanë ndalur sulmin”, ka thënë tutje Ajeti.

Sokoli siç e thërrisnin shokët, tregon se pseudonimi i tij kishte rënë në veshin e ushtrisë serbe.

“Gjatë komunikimit në vija të frontit duke thirrë o Sokol, o Sokol, një ndër shokët që është plaguar, sepse armiku është afru afër edhe e ka thirrë dhe Lulzim Namani është afru drejt vijave të frontit ku kanë qenë të pozicionuar serbët, edhe ai serbi ka thirrë o Sokol, o Sokol ky ka mendu që është dikush prej shokëve tonë”, ka shtuar Avni Ajeti.

Ky është rrëfimi i snasnajperistit që i bënte roje kësaj zone, pararojë një zone tjetër.

Krah luginës së Llapit, rrëzë majës së Kopaonikut, atje ku shtrihen malet e Shalës së Bajgorës, ishte terren i një snajperisti tjetër.

Sefer Shyti, snajperist i UÇK-së Z.O. e Shalës ka thënë se “Jemi pozicionu tek pishat në Liqej, të ju them të drejtën distanca kur kanë ardhë serbët, si me thënë vija e kuqe ku vëzhguesit e OSBE-së nuk i kanë leju serbët me vazhdu tutje ka qenë maksimumi 30 metra. Kemi qenë të maskuar kemi qenë të gatshëm që në çdo rast, që, nëse e kalojnë pjesën ku jemi marrë vesh me pjesëtarët e OSBE-së, nëse e kalojnë atë pikë, me fillu menjëherë betejën”.

Përpos këtu, zëvëndëskomandanti i njësive special, snajperisti Sefer Shyti, kujton edhe betejën e Shipolit. Distanca ishte e afërt e luftimet bëheshin shumë në distancë të vogël e në zona të banuara.

Sefer Shyti ka thënë se “Kam marrë armën jam ngjitur në një shtëpi aty ka qenë pranë asaj shtëpisë së vogël edhe e kam vendosur armën, kam fillu me vëzhgu terrenin. E kam vërejtur se një tjegull në kulmin e një shtëpije ka qenë e larguar edhe e kam pa shumë mirë kur polici serb e ka vendos snajperin e vet. Atëherë e kam goditur me nja 3-4 plumba edhe më nuk ka pasur gjuajtje”.

Për luftën që nuk mund ta bënin kundër UÇK-së, e bënin kundër civilëve. Por ushtria serbe pos që kryente masakra, ia kishte mësyrë pikave strategjike. Më 9 mars 1999 po niset drejt masjes së Qyqavicës, por jo pa e kaluar Oshlanin. Aty ishin stacionuar njësitë speciale të Zonës së Shalës.

Snajperisti i UÇK-së Z.O. e Shalës ka shtuar se “Në momentin kur jemi tërhequr prej luftimeve për arsye se është terru edhe nuk kemi pasur mundësi me luftu, i kam pasur dy snajperë në kurriz. E kam pasur snajperin tim, edhe snajperin e komandantit….Unë kam qenë i pari në kolonë, dhe aty duke festuar që kemi festuar të gjithë papritmas ka shpërthyer një predhë”.

Shyti i plagosur kishte gjasa minimale të shpëtonte. Me gjithë ato plagë, u dërgua e u operua në Likovc. Nga aty, me plagë në trup u rikthye pranë shokëve, në Oshlan në bazë.

Dokumentari është realizuar nga gazetari Liridon Llozani.

Fillimi i Fundit

“Kur jemi ngritë në mëngjes prej konvikteve ka qenë me tenka, me aeroplana, me kanë e kanë parë në rrugë e kanë gju. Serbia me të gjitha mjetet ka luftu, data 2 nuk ka qenë prostestë, por luftë”, ka thënë Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

“Këtu filluan të gjitha lëvizjet për shkatërrimin e Jugosllavisë atë kohë, këtu kanë filluar”, ka theksuar Enver Tahiri, minator i Trepçës.

“Kërkesat i kishin në një letër, kërkesa ishte ajo për dorëheqjen e tre ish-funksionarëve të atëhershëm. Bëhej fjalë për Samedin Azemin, për Ali Shukriun dhe për Rrahman Morinën…”, ka deklaruar Sebiha Ramaxhiku, gazetare.

“Më tha Sasdik Zuka sot ose tradhtar ose kombëtar. Ajo ka qenë një shenjë se një ditë Kosova do të fitojë edhe unë mendoj se prej atyhit, ka fillu më edhe shkatërrimi i Serbisë, atë ditë që është marrë më dhunë, sepse çdo që merret me dhunë nuk mund të mbahet”, ka shtuar Sadik Zuka, delagat i Kuvendit të 89-s.

“Demonstratë të përgjakshme, sepse filluan duke u ashpërsuar, filluan të vriteshin njerëzit rrugëve….”, ka theksuar Halil Matoshi, gazetar.

Dekada e parafundit e shekullit të kaluar, shkundi themelet e “dinosaurit” që mbante në gji gjashtë republika, e të shtatën nuk e donte as si republikë e as me shqiptarët.

Periudha 81-89 shënon vitet e fillimit të përpjekjes mbinjerëzore për ruajtjen e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, përpjekje që u shua me dhunë e gjak.

Vdekja e liderit jugosllav, Josip Broz Tito në fillim të 80-s shënon përfundimin e një epoke në Jugosllavi e posaçërisht në Kosovë. 26 vjet pushtet të “shoku-t” Tito siç njihej atë kohë, ishin periudhë me shumë pak reforma, shumë pak liri, e shumë pak institucione për Kosovën, specifikisht për shqiptarët.

Ajo çfarë gëzonin shqiptarët e Kosovës deri në vitin 1974, nuk ishte as autonomi kulturore.

Ndërkohë, një ndryshim ndodhi në këtë vit. Amandamentimi i kushtetutës së 74-s, Kosovën e bëri njësi të barabartë të përfaqësimit në federatë, por vetëm në letër. Me vdekjen e kryetarit të përjetshëm të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, nacionalizimi edhe ashtu i egër, doli në skenë.

Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur. Shpërthimi ishte vetëm çështje kohe. Një gjë e tillë ndodhi këtu në dhomën numër 3 në konviktin numër 310. Për të trazuar rrugën e rezistencës, më 10 mars u mblodhën Murat Musliu, Gani Koci, Ramadan Gashi, Ahmet Tahiri, Jonuz Jonuzi, Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi e Bedri Deliu.

“E kemi ndërprerë ushqimin e kemi dalë para studentave, diku grupi 200-300 studenta kemi qenë, sepse njerëzit nuk kanë qenë të informuar çka po ndodh. Kemi fillu nëpër qytet me dalë, qëllimi jonë ka qenë sheshi ku është sot Nënë Tereza”, ka deklaruar Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Atë ditë në kryeqendër luhej ndeshja Prishtina-Partizani i Beogradit, prandaj brutaliteti policor u shty për disa orë.

“Kemi kaluar një herë me parulla, duam kushte, duam bukë. Kanë filluar politike pastaj: poshtë borxhezija, lironi shokët nga burgut, ka qenë puna të lirohet Adem Demaçi, aty këtu ndonjë parullë ka mund me qenë Enver Hoxha që i kanë parandalu njerëzit ato”, ka shtuar Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Mobilizimi sa shkonte e rritej, Musliu me shokë kthehej në konviktet e studentëve për të masovizuar demonstratën. Veprime që ranë në sy të policisë. Protestuesit u bllokuan këtu, te semaforat e menzës, në udhëkryq.

“Deri në mëngjes kemi qëndru, në mëngjes ka intervenu policia, me gaz lotsjellës na kanë shpërndarë nëpër konvikte edhe atë ditë ka marrë fund ajo me aq”, ka thënë Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Por, dorëzimi për studentët shqiptarë nuk ishte opsion. Përreth dy javë organizatorët e demonstratës kaluan në fshehje nga spiunët e UDB-ës, e shërbimi shtetëror.

Më 25 mars, pasoi demonstrata e dytë.

“Kërkesat që kanë qenë tipike politike: pse Kosova nuk është Republikë, pse nuk jemi të barabartë në Jugosllavi, pse Trepçën nuk e menaxhojmë ne, ka qenë ajo parulla ‘Trepça punon, Beogradi ndërton’”, ka theksuar Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Edhe demonstrata e dytë u shpartallua.

“Kemi fillu për qytet, prapë nën menzë na kanë blloku me mjete më të rënda, me gazsjellës, me policë, edhe atë ditë kanë ardhë njësia speciale nga Nishi, kanë hyrë nëpr konvikte, përveç në konfiktin tre që nuk kanë mund me hy. Kanë përdorë dhunën më shtazarake që e sheh dikun”, ka shtuar Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Por, as ndërhyrja e këtyre njësive speciale nuk theu idealin e studentëve shqiptarë. Ata morën zemër e fuqi më 1 prill të 81-tës, atëherë kur populli u zgjua nga gjumi, e nisi të ecë në këmbët e veta.

Mijëra punëtorë, qytetarë e fshatarë u dyndën në qendrat e qyteteve. Edhe atë ditë protestuest u shpërndanë me gaz lotsjellës.

Të nesërmen, më 2 prill 1981, armata jugosllave zbarkoi në Prishtinë.

“Kur jemi ngritë në mëngjes prej konvikteve ka qenë me tenka, me aeroplana, me kanë e kanë parë në rrugë e kanë gju. Serbia me të gjitha mjetet ka luftu, data 2 nuk ka qenë prostestë por luftë”, ka rrëfyer Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës. Në Ferizaj, Mitrovicë, Podujevë, gjithku nisi dhuna, protestuesit ishin të vendosur, ose të drejtat ose vdekjen. 9 shqiptarë u vranë, 15 u plagosën rëndë, qindra u arrestuan, e shumë u dënuan.

“Neve grupin e studentëve, 22 studentë jemi dënuar prej 6-15 vjet burgim. Për regurzimin e demonstratave në të gjithë Kosovën. Edhe pse në të gjithë Kosovën nuk i kemi organizuar, por në Prishtinë po…Edhe pasi na kanë dënuar, na kanë qu në Serbi, nuk ka pasë ditë që nuk na kanë rrahur në Serbi”, ka sqaruar Murat Musliu, organizator i demonstratave të 81-tës.

Aparati shtetëror nuk qëndroi duarkryq, burgosi ideologët e rezistencës e u përkujdes që të e fikë flakadanin e lirisë. Pas dy muajsh në Kosovë u vendos “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi.

Nacionalizmi serb kurorën e vendosi me ardhjen e Slobodan Milosheviq në pushtet. Një vit më vonë, Millosheviqi zgjidhet kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Beogradit. Në maj të 86-s, zapton edhe kreun e Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Me Millosheviqin në pushtet, më 1988, nisën diskutimet për ndryshime kushtetuese për heqjen e autonomisë.

Në këto rrethana rezistenca ndaj shovenizmit serb, nga konviktet e studentëve u bartë diku tjetër.

Në thellësinë e pasur të Trepçës, në zemër të Shalës së Bajagorës, 1,300 minatorë u futën në grevë. Miniera që siguronte bukën e popullit, tash kërkonte ta ruajë egzistencën politike, autonominë e Kosovës.

“Kanë hyrë në minierë ndërrimi i parë, kur ka ardhë ndërrimi i dytë, ndërrimi i parë ishin me numër rreth 300-400-700 veta. Janë bashkëngjitë ndërrimi i dytë, janë bashkëngjitë edhe ndërrimi i tretë, edhe kur kanë ardhë edhe ndërrimi që ishte në pushim janë nguju në horizontet 8-9-10”, ka deklaruar Enver Tahiri, minator i Trepçës.

Bashkë me minatorin Enver Tahiri, në minierën e Trepçës qëndronte edhe gazetarja, Sebiha Ramaxhiku. Në përvojën disadekadëshe të saj, këtë ngjarje Ramaxhiku e cilëson dhe e kujton si kulminante.

Ajo ishte e para që kishte në duar kërkesat e minatorëve.

“Kërkesat i kishin në një letër, kërkesa ishte ajo për dorëheqjen e tre ish-funksionarëve të atëherëshëm. Bëhej fjalë për Samedin Azemin, për Ali Shukriun dhe për Rrahman Morinën….Kthehem në Mitrovicë, ata pas meje vijnë, unë hyj në radio e jap lajmin, dhe më pas u shpërndaj atë letër”, ka treguar Sebiha Ramaxhiku, gazetare.

Përgjatë tetë ditës sa qëndruan në grevë, Ramaxhiku kujton se për minatorët kishte përkrahje të jashtëzakonshme.

“Mua më kujtohet sa isha në minierë, qyetarët sillnin ushqim. Nuk është e tepërt të them që e kam parë edhe lopën e gjallë e kanë sjellë aty, vetëm e vetëm që të mos hjekin minatorët….Flas edhe Aziz Abrashin, flas për Burhan Kavajën, të cilët kanë qenë me miniatorët të gjithë kohën në mbështetje të tyre… Shprehej mbështetja edhe me protesta, por edhe me telegrame të numërta që vinini në minierën e Stantërgut e në mesin e telegramave të para ka qenë ajo e Bekim Fehmiut që i kishte dhënë mbështetje të plotë minatorëve”, ka deklaruar Sebiha Ramaxhiku, gazetare.

Në nëntokën e Trepçës, minatorët mbaheshin për njëri tjetrin. Enver Tahiri thotë se ishin të vetëdijshëm se e dridhën Jugosllavinë, por që krahas kësaj duhej t’i kalonin ndasitë.

“Ka pasur familje të hasmuara që kanë qenë në gjakë me njëra-tjetrën, edhe tash i ka komentu dikush këqyre kjo familje është në gjak me këtë familje ka thanë, këtu të qoftë falë gjaku i filanit edhe prej atyhit është vazhdu. Kanë qenë 2-3 raste kur jashtë kanë qenë familje në gjak, kur e nijshin çka po bëhet brenda e kanë vazhdu me faljen e gjakut”, ka rrëfyer Enver Tahiri, minator i Trepçës.

Pas tetë ditësh, minatorët menduan se e arritën qëllimin, por u mashtruan.

“Pas tetë ditëve na e sollën me shkrim se gjoja ka dhënë dorëheqje, Rrahman Morina, Ali Shukriu, Hysamendin Azemi. Me shkrim se ne e kemi pasë kërkesën që dorëheqjet me i pa me shkrim, Këshilli Organizativ. Është e vërtetë që u publiku që u dhanë dorëheqjet. Faktikisht ajo ishte veç në opinion po s’ka qenë e vërtetë. Kemi dalë, kemi fillu me dalë nga miniera”, ka shtuar Enver Tahiri, minator i Trepçës.

Minatorët përsëri u barrikaduan, por u shpartalluan nga qindra policë të njësive speciale të Jugosllavisë. Tahiri u largua nga puna, për çka e la pagën e minatorit e shkoi në Sarajevë. Gjithë ditën qante dru me sëpatë, e fitonte para sa për të blerë një bukë në ditë për gruan e fëmijët. Pa punë mbeti edhe ajo që kërkesat e minatorëve ia përcillte në vesh popullit, e atyre që nuk donin t’i dëgjonin.

“Pastaj pasoi edhe ai diferencimi e kanë pasur një fjali, thonin kështu “e papërshtatshme në aspektin moralo-politik”, nuk je e përshtatshme të punosh si gazetare”, ka treguar Sebiha Ramaxhiku, gazetare.

Trepça u vendos nën masa të dhunshme me menaxhment serb, e nisi diferencimi i shqiptarëve.

Minatorët ishin barrikada e fundit e Millosheviqit, që tash kishte arritur në cak. Më 23 mars 1989, mblodhi delegatët e qëllim kishin heqjen e autonomisë së Kosovës. Sikurse në 81-shin, tanke, helikopterë e aeroplanë zbarkuan në Prishtinë. Fusha e betejës prapë nuk u braktis, kësaj radhe barrën e mbante delegati nga Vitia, Sadik Zuka. Ai e kishte ndarë mendjen, dorën si deputetë nuk do ta ngrisë përpos për votën Kosova Republikë.

“Kam mendu se aty përreth atyre forcave që u paralajmëruan që edhe tanket ishin para disa dite, mendova se ndoshta edhe me e dhanë jetën, kam dashtë me marrë revolen me veti. Por jam kujtu prapë nuk e kam marrë, sepse mendojsha na kontrollojnë, nuk mundem me hy në Kuvend mbetem pa folë”, ka thënë Sadik Zuka, delagat i Kuvendit të 89-s.

Në foltoren ku edhe sot deputetët mbajnë fjalën, Zuka i dha goditje regjimit shtypës.

“Unë u thashë, unë jam prej bazës, baza ka thënë mos me e votu, sepse me këtë humb autonomia e Kosovës. Thashë neni 47 nuk ka qenë në diskutim publik se ai ka qenë vendimtar. Sepse neni 47 ka qenë themel i Kushtetutës, sepse neve me këtë nen “pëlqimin” që e ka pasur Kosova pa pëlqimin e Kosovës, as ushtria e Kosovës nuk ka mund me hy në Kosovë, pa ia dhënë Kuvendi i Kosovës. E ata e kanë ndërruar mendim, e kanë bërë, pra jo pëlqim po mendim”, ka shtuar Sadik Zuka, delagat i Kuvendit të 89-s.

Sadik Zuka nuk u ndal me kaq, kërkoi edhe shkarkimin e Slobodan Milosheviqit. Pas fjalimieve, erdhi momenti i së vërtetës. Bashkë me Ejup Qorrin, autonomisë së Kosovës në mbrojtje i dolën, Esat Shabani, Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Avdi Berisha, Bajram Buçani, Ukë Bytyçi, Remzi Hasani dhe Menduh Shoshi.

“Aparati shtetëror e arriti me tenka, me sigurime, me helikoptera mbi kry, me aeroplanë, edhe u arrit ajo çka u bë. Kemi dalë jashtë, jam taku aty me do shok…”, ka deklaruar tutje Sadik Zuka, delagat i Kuvendit të 89-s.

Prishtina ishte në shtetrrethim, aparati shtetëror nisi shtypjen e atyre që jashtë Kuvendit ndanin mendimin me dhjetë delegatët e rezistencës. Aty ishte edhe Halil Matoshi, atëbotë gazetar i gazetës “Zëri”. Ai edhe sot e mban në mend fije për pe terrorin që regjimi i Millosheviqit ushtroi atë ditë në Prishtinë.

“Demonstrat të përgjakshme, sepse filluan duke u ashpërsuar, filluan të vriteshin njerëzit rrugëve. Prej atje ku i themi te Xhamia e Llapit e deri tek fakulteti Filozofik, kjo pjesa e kësaj rrugës kryesore të Prishtinës ka qenë përplot demonstrues…Pankartat kanë qenë kryesisht ‘stop dhunës’, ‘jo Jugosllavisë’, ‘jo Serbisë’, ‘poshtë eksploatimi’, ‘poshtë dhuna’”, ka theksuar Halil Matoshi, gazetar.

Vetëm në datat  27-28 mars, brenda 24 orësh, u vranë 25 shqiptarë, u plagosën mbi 600 e u arrestuan qindra të tjerë.

“Kam qenë me një grup të kolegëve, kur një shoku im Hysen Gashi është plagosur atëherë, pastaj kanë gjuajtë me plumba gome fillimisht, dhe po janë vra vazhdimisht nga dy tre në secilën protestë, prostesta të mëdhaja ka pasur, këtu te gjykata janë vra 2-3, një Bedri Sokoli është vra atje afër hekurudhës”, ka shtuar Halil Matoshi, gazetar.

Populli shqiptar në Kosovë rrihej e vritej, në vazhdimësi. Por, situata u përshkallëzua edhe më shumë pak kohë pas suprimitit të autonomisë, kur në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, në Gazimestan afër Prishtinës, erdhi kryeinxhinieri i veprimeve antishqiptare, Sllobodan Millosheviq. Ai mbajti një fjalim, që shërbeu si inspirim për serbët që të vepronin kundër shqiptarëve.

“Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Ato nuk janë të armatosura, mirëpo as ato nuk janë të përjashtuara”.

Kjo ishte fjalia që ndezi turmën, e cila verbërisht i shkoi prapa Millosheviqit deri në shkatërrimin e Jugosllavisë.

Edhe ky dokumentar është realizuar nga L.Llozani.

Fotoreporterët që dokumentuan luftën e Kosovës

Ata që i treguan botës se çfarë ndodhi në Kosovë dhanë kontribut të madh në dokumentimin e historisë së Kosovës. Disa nga fotoreporterët kanë rrëfyer përjetimet e tyre për Dukagjinin.

“Kanë qenë mbi 58 të vrarë…. Tmerrr… tmerrr”, ka thënë fotoreporteri Ilaz Bylykbashi.

Nën lot e tregon momentin e parë kur pa viktimat e familjes Jashari.

Ai aty kishte shkuar për të dokumentuar një ndër ngjarjet më mizore të luftës së Kosovës.

Shkrepjen e tmerrit fotoreporteri i Rilindjes, Ilaz Bylykbashi e kishte realizuar për ta bërë xhiron e botës, sepse aty humbi jetën pothuajse një familje e tërë nga mizoria e forcave serbe.

Ai e dokumentoi edhe lotin e vajzës së vetme të shpëtuar në këtë krim të kryer në Prekaz, në mars të vitit 1998.

Por, nuk mund t’i heqë nga mendja asnjëherë imazhet  e viktimave të familjes Jashari, në vendin që më pas u shndërrua në frymëzim në luftë kundër okupatorit.

Ilaz Bylykbashi ka thënë, “ma e rana ishte për mu se kishte fytyrat unë i kisha njohur edhe më parë, fëmija, nana e Ademit, 80 vjecare, baba. Ishte një masakër e paparë deri në atë kohë, unë kam qenë edhe në Sarajevë, por masakër e tillë… qysh është bërë p.sh. në trupin e Hamzës, në trupin e Bacës Shaban, atij fëmijës, e më e keqja është që pas vrasjes janë bërë torturat”.

Pas dokumtimit të kësaj masakre të tmerrshme, Bylykbashi hall kishte edhe ruajtjen e dërgimin e filmave të fotografive në redaksi.

Gjithsesi, ai kishte gjetur një alternativë.

Bylykbashi ka thënë se “ideja ime ishte qysh me i qu te ngjarje me i fiksu, edhe me pa bota se unë nuk e disha a vjen ma najkush me fotografu. E për një moment e kam pa Nekibe Kelmendin edhe kam vrapu te jo, ka qenë Edi Shukriu edhe Mevlude Saraqi edhe i kam thanë qeto janë filmat, qeto janë bardh e zi, qeto janë me ngjyrë, i kam thanë të lutem i çon te Foto Nesha, e kur i kam dorëzu filmat mua me është dukur që jam ngjall për së dyti”.

Por, Ilaz Bylykbashi nuk ishte fotoreporteri i vetëm që dokumentoi krimet e kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në Kosovë.

Një nga ata që i tregoi botës se cfarë po ndodhte në kohë lufte, është edhe Ridvan Slivova, i cili akoma e mban fotoaparatin në dorë.

Ai në detaje e kishte dokumentuar Masakrën që njihet si “Kolona e Gollakut” në prill të 99-tës.

Fëmijë të zbathur, copëza buke e lodra fëmijësh të mbetura në baltë.

Për Slivovën, ky përjetim ishte më shumë se i tmerrshëm.

Ridvan Slivova, fotoreporter ka thënë,  “që e kam përjetu rastin më të vështirë, pjesën gjatë bombardimeve, Kolona e Gollakut ku janë masakruar për mbi 100 persona, është një masakër e madhe që ka ndodhur, që fatkeqësisht nuk përmendet shumë. Aty kam përjetu shumë gjëra të vështira, se në atë kolonë kam qenë edhe me familje, përjetimi të jesh fotoreporter dhe ta përjetosh atë janë dy përjetime shumë më të rënda”.

Pos që punuan e u munduan të shkrepin çdo detaj, fotoreporterët edhe ishin rrahur e keqtrajtuar.

Por, sipas Slivovës, gjithçka ia vlen për profesionin dhe ndikimin që kanë pasur gjithë ato fotografi nëpër botë.

“Na kanë ndjek, na kanë rrah, na kanë çu nëpër burgje, na kanë rrrah, e prapë jemi kthy në punën tonë, shpeshherë kur kemi shku nëpër terrene, është zhvillu lufta, por kur jemi ardhë, tu u kthy kemi thënë më nuk shkojmë, por kur ka ardhë e nesërmja, nuk kemi hezitu. Pra, ky është profesion që të bën t’i tregosh botës çfarë ka ndodhur”, ka thënë Slivova.

Fotografitë që sollën vëmendjën e botës në Kosovë ishin edhe ato të masakrës së Reçakut, krim ky që nxiti edhe konferencën e Rambujes, e më pas edhe fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë së Jugosllavisë, të cilën e udhëhiqte krimineli serb, Sllobodan Millosheviq.

Dokumentari “Fotoreporterët që dokumentuan luftën e Kosovës”, është realizuar nga gazetarja Doruntina Bylykbashi.

Themelet e UÇK-së

“Përpjekja jonë si lëvizje ka qenë që t’i bashkojmë grupet të cilat kanë qenë të interesuara dhe të cilat kanë marrë pjesë në sulme të herë pas herëshme që kanë ndodhur të shkëputura nga një organizim çfare ka qenë UÇK-ja… Data është 17 nëntor 1994, data që është emërtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa po them që si proces ka fillu shumë herët, ka fillu shumë herët”, ka thënë ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti.

26 vjet pas, vendi ka ndryshuar shumë.

Mirëpo, jo edhe aq ndjesia që ka Xhevahir Geci saherë që vjen këtu.

Si një 30 vjeçar, ai u bë pjesë e ngjarjes historike, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ndër ushtarët e parë.

“Kemi qenë në rroba civile normal, por kemi qenë të armatosur me pushkë automatike dhe kemi qenë të obliguar edhe ta mbrojmë ceremoninë e varrimit. Pjesa tjetër, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin ka qenë në këtë pjesën lartë, prej ku duket e gjithë rruga që të sjellë nga Skenderaj në Llaushë”, ka thënë Geci.

Kësaj ngjarje, i parapriu një sulm i forcave serbe në shtëpinë e komandantit Abedin Rexha, i cili më 25 nëntor, bashkë me shokë dhe familjarë arritën që me sukses të luftonin kundër tyre.

“Unë me Rexhep Selimin kemi shku në Prekaz, e kemi marrë si detyrë me e njoftu komandantin legjendar Adem Jashari për rrjedhën e luftës së 25-tit dhe për planet se si do të rrjedhë dita e nesërme e 26-tit për t’u mbrojtë nga forcat policore serbe”, ka shtuar Geci.

Nën urdhëratë e komandantit legjendar Adem Jashari, dhjetëra pjesëtarë të UÇK-së u vendosën në këto kodra në Llaushë, për t’ua zënë pritën serbëve, një aksion që do të rezultonte me shumë sukses.

Megjithatë, gjatë kthimit prapa, forcat serbe sulmojnë shkollën e fshatit Llaushë, duke plagosur dy mësues, mes tyre mësuesin Halit Geci, i cili nga plagët e marra do të ndërronte jetë më pas.

Përveç rënies heroike, mësuesit Geci do t’i organizohej edhe një varrim historik, në të cilin do të prezantohej për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Filluan duartrokitjet, brohoritjet UÇK, UÇK, UÇK, që ndoshta nuk e kemi pasur atë ndjenjë asnjëherë”, ka treguar ai.

Mirëpo, themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin vendosur disa vite më përpara se 28 nëntori i vitit 1997.

“Përpjekja jonë si lëvizje ka qenë që t’i bashkojmë grupet të cilat kanë qenë të interesuara dhe të cilat kanë marrë pjesë në sulme të herë pas herëshme që kanë ndodhur të shkëputura nga një organizim çfare ka qenë UÇK-ja… Data është 17 nëntor 1994, data që është emërtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa po them që si proces ka fillu shumë herët, ka fillu shumë herët”, ka thënë ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti.

Në mesin e grupeve që u bënë bashkë në ushtrinë që do t’ia sillte çlirimin Kosovës, ishte edhe ai që në atë kohë veçse po e përjetonte një luftë, atë mes Kroacisë dhe Serbisë.

Ndër ta ishte edhe gjenerali Agim Çeku.

“Unë qysh në fillim kam fillu që ta përkrah UÇK-në, ta mbështesë UÇK-në, të punoj për UÇK-në dhe kam shpreh gatishmërinë që kurdo që të luftojnë, unë do ta lë ushtrinë kroate dhe do t’i bashkohem edhe fizikisht UÇK-së dhe pikërisht atëherë kur jam ftu edhe ju kam bashku. Kam qenë edhe pjesëmarrës i konferencës së Rambujesë dhe e kam pasur shumë të qartë që problemin e Kosovës ta zgjidhë me luftë, që nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen e Rambujesë dhe atëherë e kam parë që tash jemi para një luftë të madhe dhe kam kërkuar lirimin nga ushtria kroate”, ka theksuar Çeku.

Ushtria që nisi me pak persona, më pas do të bëhej me mijëra ushtarë.

Kështu, u bë i domosdoshëm edhe një proces tjetër, ai i financimit të UÇK-së.

“Ata që i kanë dhënë, secili ka marrë nga një dokument për kontributin që e ka dhënë dhe të gjithë e dijnë kush sa ka dhënë dhe po besoj se edhe shënimet ekzistojnë për ata që kanë kontribuar sa i përket luftës dhe dua të them edhe ndihmave nëfusha të tjera sepse është dashtë edhe ushqim, veshmbathje, është dashtë shumë gjëra me i pas për me realizu diçka të tillë”, ka thënë Haliti.

Pos, mobilizimit nga brenda shumë shqiptarë të cilët ishin të vendosur jashtë Kosovës, vendosen të lënë jetën e tyre të rehatshme e ti bashkohen luftës.

Ndër ta, ishte edhe Agim Çeku që u bë edhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Gjeneral Çeku, ishte befasuar edhe me mobilizimin e gjithë popullatës që kishte ndodhru brenda Kosovës.

“Ka qenë një organizim i jashtëzakonshëm edhe i ushtarëve, por sidomos i popullatës civile në ato zona. Çdo herë e përmendi, sa më ka bërë përshtypje popullata civile që është zhvendosur nga vendbanimet e tyre, kanë ardhur në zonat ku kontrollohen nga UÇK, sa mirë e kanë organizu jetën në ato kushte, ka qenë një jetë e organizuar, ka pasur edhe auto-ambulanca, ka pasur mjek, ka pasur kuzhina të përbashkëta, ka pasur njëfar vullneti për të mbijetuar, për të qëndruar, pa ndonjë frikë, pa ndonjë panikë, pra kjo ka qenë një heroizëm në vete nga qytetarët”, ka shtuat Çeku.

Çeku që gradën e gjeneralit e kishte fituar në ushtrinë kroate, atje ku kishte luftuar kundër Jugosllavisë, tregon se organizimi i luftës në Kosovës, ishte shumë më i vështirë.

“Ushtria kroate e ka përfunduar luftën si një ushtri shumë e fuqishme, shumë e organizuar dhe unë e kam përcjellë kam qenë i atij evolucioni të ushtrisë kroate dhe shumë përvoja i kam përcjellë edhe në Kosovë. Normal që ka qenë një dallim shumë i madh edhe nga organizimi, por edhe nga vet situata në teren. Në Kroaci ne e kemi pasur një vijë të frontit të definuar dhe në prapavijë është zhvillu një jetë normale, këtu ka qenë vetëm nëpër pjesë të ndryshme që nuk kanë qenë të lidhura njëra me tjetrën ku ka vepruar UÇK-ja dhe ka qenë vështirë edhe komunikimi edhe koordinimi”, ka thënë Çeku.

Ushtria Çlirimtare Kosovës ishte prijëse e luftës së popullit të Kosovës për Liri. Nga një organizatë të cilën e themeluan një grumbull njerëzish u shnëdrrua në mekanizmin kryesor rreth së cilës u bashkuan mijëra ushtarë, të cilët pa u trembur luftuan për lirinë e atdheut.

Dokumentari është realizuar nga gazetari Sylejman Sylejmani.

Avni Buçaj, dëshmori 18-vjeçar i UÇK-së

Ishte djali i vetëm i familjes, por Avni Buqaj nga fshati Lladroc i Malishevës iu bashkua Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Ndonëse kundër kërkeses së tij ishin familjarët e edhe eprorët e ushtrisë në atë botë shkaku i moshës, dëshira për të çliruar Kosovën ishte e madhe. Pas shumë përpjekjeve ai arrinë të marrë uniformën e UCÇK-së dhe t’i bashkohet ushtrisë. Është nëna e tij dhe bashkëluftetarët ata që kanë rrëfyer për televizionin Dukagjini, çdo detaj deri në momentin e rënies së tij në vijën e parë të frontit.

Ky që po e shihni në këtë foto është Avni Buçaj.

Djalë hasreti.

Është dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa e veçanta e tij është se luftës çlirimtare iu bashkua në moshën 17 vjeçare.

Ai ra heroikisht duke luftuar për lirinë e atdheut, ndërsa as pas gati 24 vjetve të rënies së tij kujtimi për të nënës së tij nuk i është zbehur aspak.

“Kurrë s’harrohet ai, as nuk harrohet trupi i tij e as fjalët e tij, i thojke fjalët si me vulë”, ka thënë nëna e dëshmorit 18-vjeçar, Mendehie Buqaj.

Asaj fotot i janë kthyer në ngushellim, e kujtimet në mall.

Vitet janë më të lehta se plaga e hapur brenda saj, e fortë për të rrefyer atë që përjetojë por jo edhe për tu përballur me të vertetën.

Rrëfimi i Mendehie Buçajt është sa rrenqethësë po aq trishtues.

“Era shkrum po vika, thash le shkrumin, po  a e kom djalin gjall, kur jom hi ne shtepi, ata thanë o këtu që dy javë ka këndu qyqja”, ka thënë Memdehie Buqaj.

Historia e nënës Mendehie mund të jetë e ngjashme më shumë histori të nënave kosovare.

“ I kom thanë mos shko se je dal Ii hasdretit, ku po na lenë, ka thanë nanë ja sot ja kurrë”, ka thënë tutje Mendehie Buqaj.

Lutjet e prindërëve ishin të padegjuara në këtë rast.

Xhevat Buqaj, komandant i kompanisë “FORCA” ka thënë se “ Ka ardh tri here e kemi kthy, kemi thanë jo se ka qenë edhe i ri më moshë por edhe djalë i hastretit dhe nuk kemi dashtë më ba pjesë të luftës”.

Ndonëse më refuzime të njëpasnjëshme, ishte pikërisht shtëpia e tij, ajo që mbolli dëshirën për t’iu bashkuar UÇK-së.

Blerim Buqaj, djali i axhës ka thënë se “ Gjithë ka pas dëshirë me u ba ushtarë po ka qenë i hastretit dhe s’dojshum me lanë. Këtu në shtepi ne i kemi mbajtë ushtarët dhe jemi kujdes për ta bashkë me Avniun”.

Objekti vazhdon të qendrojë ende në këmbë në Lladroc të Malishevës, e muret e saj sikur flasin për vuajtjet e kësaj familje.

“E ka ndërpre shkollen në klas të tetë, nuk ka pas mundësi më shku më tej shkaku i kushteve, bashkë kemi punu më mbajtë familjen”, ka thënë Blerim Buqaj.

Pikërisht në këtë vendë, u bë edhe dorëzimi i prindërve karshi dëshirës që djali i vetëm i tyre të marr pushkën në krahë.

Historia është rrenqethëse.

Komandanti i kompanisë “FORCA” ka shtuar se “ Mbas dy jave ka ardhë babi i tij dhe më ka thanë Xhevat, është mirë me ma marr djalin si ushtarë pasi edhe andrra po sheh duke luftu. Pas kësaj ne erdhum në përfundim se Avniun është e pamundshme me ndal”.

Veshja e uniformës, nuk ishte e lehtë për nënën e tij.

Mendehie Buqaj është shprehur se “Ish kanë më shok dy javë përpara, erdhen kojshija më nejt thanë perhajrë se Avnija u vesh, thash qysh mu vesh ti je i vetëm, tha s’ka më duru shkaun ma”.

Rruga që mori, nuk ja ndali buzeqeshjen në sytë e tij asnjëherë.

Nëna e deshmorit Avni Buqajt ka theksuar se “U plagu kur u plague ka nejt të Shefqet Zogaj. Nijtem se u plagu dikush, thash kuku Avnija koka plagu, burri me tha jo. I plagostë ka shku të shkokët edhe se ka lan pushkën”.

Avniu, me plagë në trup, vazhdoi të jetë pjesë e operacioneve luftarake sa herë që forcat serbe msynin për të depërtuar në rrafshnaltën e Maleve të Berishës.

Xhevat Buqaj kka potencuar se “Ai është plagosur në fillim dhe ne kemi insistu që mos të jetë në vijenë e parë  por ai edhe më ato plagë ka insitu me dal Iipari. Unë e kujtoj një djal si të hareshëm, një djal besnik e i ashpër për armikun”.

Malet u bënë streh për të, e shokët ju kthyen në familje.

“Se kemi pa për dy muaj, na jemi largu nga shtepia ai ka shku më shokë”, ka thënë Mendehie Buqaj.

Ditët shkonin e lufta në këtë zonë po bëhej më e ashpër.

Një aksion në maj të 1999, do të lintë në vijen e parë të frontitë djalin e vetëm të familjes.

Gjendja e acaruar e largimi nga shtepitë, u bënë shkas që ceremonia e varrimit të bëhet pa praninë e familjarëve.

Madje ata nuk ishin në dijeni për vdekjen e tij.

Momenti i kumtimit të lajmit, të rrenqeth, fjalët në këtë rast përhumbin në lotët e saj derisa kujtimet janë pjesa e vetme më të cilen nëna gjenë ngushëllimin.

E forcen për të jetuar, thotë se e gjen në momentin që takon ish-shokët e luftës së Avniut.

Në fshatin Lladroc të Malishevës, janë nëntë dëshmorë të cilet ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dokumentari është realizuar nga gazetarja Vlora Selimi.

Lufta e paharruar – Plagët e pashëruara

Me thirrjet që institucionet të bëjnë dicka për fatin e të pagjeturve në Kosovë, familjarët e të vrarëve gjatë luftës rrëfejnë përjetimet e tyre në atë kohë. Derisa dhimbja për më të afërmit e tyre shtohet cdo ditë, disa nga ta nuk kanë as ku të i dërgojnë lulet, për shkak se varret mbesin edhe më tutje bosh.

“Me i gjet mua më doket sikur memi pru gjallë, vetëm me ardh në vend të vetë mu varros”, ka thënë Vezire Batusha nga Krusha e Vogël.

“Kosova është e mbuluar me masakra dhe me varre, përjetimet e përkujtimet janë shumë të dhimbshme”, ka thënë Lush Krasniqi nga Meja.

“Ditë më e veshtire, nuk e di qysh me kanë, po i kqyrëm të gjithë do mujtëm me i gjetë, apo do pa kry, pa këmbë, të qallamitur”, ka thënë Adem Osmani nga Izbica.

“Jam dalë i kam kqyr, sikur që i keni parë pa zemer pa kry, pa pjesë të trupit”, ka thënë Rame Shabani nga Reçaku.

Varret e Burim e Lirim Batushës, nga Krusha e Vogël vazhdojnë të jenë ende bosh, edhe pas dy dekadash, nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Bashkë me këta dy djem, në mesin e mbi 110 burrave të tjerë të këtij fshati, që u vranë më 26 mars të vitit 1999, ishte edhe babai i tyre.

Kësaj mizore, i shpëtoi nëna e Burimit dhe Lirimit, Vezire Batusha. Ajo edhe pas 24 vjetësh, rrëfen në deatje momentin kur e kishte kuptuar se dy djemtë e poashtu edhe burri ishin vrarë.

“Atë ditë kur kemi dalë, unë kishin pas mbet disa gra të katundin, knej edhe unë qiken e kemi dalë te Drini, tu kqyr mua mu dokshin sikur fmija e mi, mua mu kanë dokë sikur fëmija e mij, po ato ishin kanë do gra, unë ju thash disa të katundit se kjo kunata ime djalë të motres, e po i tham, o Shaban mos janë fëmija të mi, më tha jo bre Vezire, nuk janë, me kanë fëmijët tuaj unë shkoj i marr por janë gra, që kanë nejt e po kqyrin, tani kaj kemi flejt aty atë natë, sikur ne tu bëritit tu kajt, dil kqyr knej, e kemi pa një kamion tu u kall, por sdijshim ne kush po janë, të nersërmen ka ardh Qamil Shehu, vjehrra jeme i ka thënë Qamil a është najkush, cka me të thënë bre, kur djemt e mi i kam lënë, qaty, nëpër xhenaze kam ardhë, asnjë ka thënë nuk është, asnjë nuk ka shpëtuar”, ka thënë Batusha.

Trupat e asnjërit prej tyre, ende nuk janë gjetur, derisa Batusha thotë se shpresën ende e ka se një dite do mund të i varros, në vendin ku u rritën.

“Shumë vështirë, shumë tragjedi e madhe ma keq më ska qysh, mua burrin e dy djemtë vjehrres 3 djem e 3 nipa, 8 vetëm të vjehrrës, knej mahalla krejt 22, krejt katundi 113, ma keq më, do janë gjet do sjanë gjet, mi gjet mua më doket sikur memi pru gjallë, vetëm me ardh në vend të vetë mu varros, e din varrin shkon qanë, pajtohesh se me dek mu kanë kishin dek qatë ditë, po spo u vdeska me zor”, ka rrëfyer Batusha.

Shumë afër këtij fshati gjendet edhe fshati Krushë e Madhe, e komunës së Rahovecit, fshat në të cilin u vranë rreth 240 persona, më 25, 26 e 27 mars të 99.

Mbi 60 varre në këtë kompleks memorial në këtë fshat edhe më tutje, mbesin pa emra e mbiemra. Në mesin e të vrarëve, rreth 30 persona ishin nga fshatrat përreth, që kishin shkuar të strehoheshin në këtë vendbanim.

Strehë gjatë luftës kërkuan edhe qindra persona në fshatin Mejë, të Gjakovës. Por, jo të gjithë shpëtuan të gjallë në prillin e vitit 1999.

Familjarët e viktimave thonë se dhimbja për humbjen e të afërmve të tyre, vetëm sa shtohet çdo ditë e më shumë.

“Është shumë e ndjeshme, shpirtënore dhe psikologjike se gjërat e këqija të gjitha duken, që kanë ndodhur dje, ato nuk zbehen nuk veniten, kështu që për ne si familjarë cdo gjë na duket se ka ndodhë dje, dhe asgjë nuk është zhdukur nga ana negative, nga mërzia, dhimbja nga pritja përvec se i kemi të freskëta, gjithmonë dhimbjet ajo cfarë kujtojmë me dinjitet e krenari e kemi atë se të gjiothë ata njerëz që kanë rënë për lirin e Kosovës, janë themeli i asaj që ne e gëzojmë, ndërsa kur vinë kësilloj përvjetorësh sic është 27 prilli, dita pavarësisë e shumë e shumë përvjetore që kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike shekullore që kanë nododhë në Kosovë, normal që më së keqi ndihen familjarët”, ka treguar Lush Krasniqi.

Në fshatin Mejë të Gjakovës u vranë 377 persona, trupat e të cilëve më pas ishin dërguar në varrezë masive në Batajnicë, të Serbisë.

“Kosova është e mbuluar me masakra dhe me varre, përjetimet përkujtimet janë shumë të dhimbshme, e aq më keq se këtu kemi pasur fat të keq, se shumica e tyre ose mbi 300 kanë qenë të zhdukur, dhe që kufomat e para janë identifikuar pas 4 viteve, në vitin 2003, ose 90% nga varrezat masive të Batajnicës në Serbi”, ka shtuar Krasniqi

Nga Meja e Gjakovës, zhvendosemi në një rajon tjetër të Kosovës, për të rrëfyer për një krim pokaq mizorë.

Këto pamje që pa 15 janarin e 1999, nuk mund të i heq assesi nga mendja, Ramë Shabani, nga Reçaku. Në këtë fshat, u vranë 45 civil shqiptarë.

“Unë i kam nijë të gjitha, tashti edhe kur shkojë atje um doket sikur atë ditë, se unë mendoj se vllau e krejt këta në rendin e parë janë të vramë në atë vend, deri te Ragipi janë në qatë vend, unë mendoj se dikush ka vdek se u kanë grumbull i madh, ka vdek dikush për një pikë ujë, skam pasë mundësi mja dhënë”, ka thënë Shabani.

“Walker u ardh e ka pa bacin Banush së pari, te trafa pa kry i ka pa të gjithë, aty te vendi i masakrës, sic thotë ai është masakër kundër njërzimit, komandat Kaqiki, del një ushtarë, sikur që i keni parë të gjithë populli..Të nesërmen në mbrëmje i kemi tubu i kemi pru në xhami, 4 a 5 ditë u bë luftime për kufoma, i kanë marr deri me 11 shkurt ne kemi pasur masakër, me 11 shkurt 24 vjet ne i kemi varros”, ka shtuar Shabani.

Pikërisht nga Reçaku, William Walker, atëherë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, alarmoi botën për atë se cfarë ishte duke ndodhur kundër popullatës civile, në Kosovë.

Njerëz të masakruar kishte parë, edhe Adem Osmani në masakrën e fshatit Izbicë të komunës së Skenderajt, ku u vranë rreth 140 persona.

26 majin e 1999, ai e përshkruan si ditën më të vështirë të jetës së tij.

“Atë natë që ka filluar masakra, u kanë Nata e Bajramit atë nat u kanë urdhëri qa u kanë ushtarë me u largu prej popullatës, jemi dalë kejt në mal, të nesërmen Ditën e Bajramit janë vra 146 në Izbicë, e na nuk e kemi ditë që janë vra 146 jemi dalë dytën ditë me njëfar Ismet Osmani, që është i vrarë tash, sjemi dalë me kqyr kush u vra, por jemi dalë rastësisht kur jemi dalë e kemi parë të gjithë të vrarë, 146 vetë ditë më e veshtire, nuk e di qysh me kanë, po i kqyrëm të gjithë do mujtëm me i gjetë, apo do pa kry pa këmbë, të qallamitur, i kemi tubu qysh kemi mujt”, ka thënë Osmani.

“Ditë me të vështirë nuk ka qysh, ajo masakër nuk është zbulu kush u kanë krimi, a kush ka bërë krim, na i dimë disa ama krejt nuk i dimë”, ka theksuar ai.

Ani pse stina e pranverës është simbol dielli, e lulëzimi ajo në Kosovë, sjellë kujtime të errëta të shuarjes së jetëve të rreth 13 mijë e 500 personave, prej të cilëve mbi 1600 ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Ky dokumentar është realizuar nga gazetarja e RTV Dukagjini Dorentina Thaqi.

LDK gjatë viteve kritike, shpresë për liri e demokraci

Shtatori dhe tetori i vitit 1989 në një shtëpi të vogël në lagjen Qafa, në Prishtinë kishte mbledhur intelektualet e kohës.

Kështu në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtuan, gati spontanisht, që të themelonin një parti politike. Ajo për mision kishte artikulimin e  kërkesave politike të shqiptarëve.

Ajo ndërmarrje e madhe politike, ishte edhe moment i fillimit të pluralizmit politik në Kosovë, në  fundin e Jugosllavisë së trazuar.

Ky grup intelektualësh e caktuan kryesinë e LDK-së me kryetar Dr. Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Dr. Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe.

Kjo lëvizje shqiptare, me program kombëtar e demokratik, duke e bërë program fundamental politik Lirinë, Pavarësinë e Demokracinë e Kosovës, fitoi përkrahjen dhe mbështetjen e popullit të Kosovës.

LDK-ja organizoi rezistencën politike e qytetare, organizoi jetën sociale, politike dhe publike.

“LDK-ja në dhjetor të vitit 1989 është kurorëzuar me një kuvende themelues, prej asaj ditë, në fakt nuk fillojë vetëm beteja politike e shqiptarëve, por edhe beteja me kriteri të pluralizmit politik sepse për një periudhë shumë të shkurtër ne arritëm që ta masivizonim LDK-në  në atë  masë sa që brenda 6 muajve në Kosovë është shkatërruar Lidhja  Komuniste, Lidhja Socialiste edhe Lidhja e rinisë socialiste, e gjithë infrastruktura e socializmit  u shpërbë. Edhe LDK-ja mbeti si forca e vetëm dominonte politike aq më tepër këto elita politike shqiptare, pas arrestimit të Azem Vllasit, largimit të Kaqusha Jashari-t, patëm mbetur në duart të disa kolaboracionistëve”, ka deklaruar Milazim Krasniqi, ish-themelues i LDK-së.

Ndërsa Jusuf Buxhovi, ish-themelues i LDK-së, ka thënë se “Kanë qenë rrethanat politike, shoqërore edhe historike të cilat impononin një punë të tillë. Ishim në një kohë kur Jugosllavia kishte bërë anulimin e autonomisë së Kosovës, tregojë shenjat së është duke u kthyer nga një shtet centralist apo serbo sllavi qysh ishte edhe koncepti i Sllobdan Milloshoviqit”.

Fundi i Luftës së Ftohtë, përfundimi i monizmit dhe fillimi pluralizmit, me formimin e LDK kishte ndikuar edhe në Kosovë. Për çka ndryshimi vërehej edhe në sytë e kosovarëve, drita në fund të tunelit edhe pse zbëht, kishte nisur të ndriçonte.

“Demokratizimin e jetës, politike në Kosovë edhe ne në një kohë kur Lidhja Demokratike e Kosovës, sapo ishte krijuar. Por menjëherë kemi një ndërhyrje në pozitën Kushtetues të Kosovës me heqjen e autonomisë për Kosovën, në mars të vitit 1989. Edhe një ndërhyrje të drejtpërdrejte  brutale d.m.th për të suprimuar  edhe për të ngushtuar të drejta politike shqiptarëve të cilat madje i kishin gëzuar në një sistem jo demokratike, në një sistem monist nga viti 1974”, ka deklaruar Ibrahim Gashi, Profesor universitar.

Pranvera me diell mori kuptimin kur në maj të 1992 në Kosovë arritën të organizoheshin zgjedhjet e para.

Milazim Krasniqi, ish-themelues i LDK-së, ka sqaruar se “një ditë para zgjedhjeve erdhi një ekipi i CNN-it, për të raportuar për zgjedhjet edhe ne në atë moment nuk e kishim as një vende votimi në Prishtinë të saktë sepse i mbanim në mënyrë mobile, sepse lëvizshmin. Edhe brenda një orë kemi arritur ta gjemë një vetëshërbimi, të thatë në lagjen Velania dhe i kemi dërguar karriget, flamujt dhe kutija e kemi përgatitur në mënyrë që CNN-i me prezantuara me tonë solemnë e festive”.

“LDK-ja si partia ma e madhe politike e dominon skenën politike, i fiton zgjedhjet pa diskutim. Por që nuk është e vetmja, edhe sigurisht që ekzistimi kësaj skenë pluraliste politike në Kosovë i ka ndihmuar edhe në një farë mënyrë edhe forcimit të LDK-së. Pasi ajo ka qenë në një farë mënyrë edhe prese e proceseve dhe ka dalë me kërkesa më të qarta politike”, ka theksuar Ibrahim Gashi, Profesor Universitar 05-10-5:33

Ndërkohë Jusuf Buxhovi, ish-themelues i LDK-së, ka shtuar se LDK-ja “ ishte një procedurë që mund ta quajmë krijimin e infrastrukturës demokratike të kësaj lëvizje e cila do të duhej të ishte institucionale. Edhe ndërkombëtare në veçanti Amerikanët insistoni që çdo gjë të shkojë në mënyrë institucionale, edhe ishte e domosdoshme që të merren disa hapa”.

Ndërkohë me daljen në skenë të LDK-së, si partia më e madhe, pluralizmi politik mori kuptim.

Në Kosovën që po tronditej nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, vepronin edhe parti të tjera.

Disa nga to i kishte edhe kundërshtar politik e më e zëshmja ishte Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës e cila veprimtarin e mbante në ilegalitet.

“Në atë drejtim ka qenë një pengesë shumë e madhe, ka qenë e madhe sepse një farë forme të qytetarët, të populli Kosovës, botëkuptim se do të çlirohemi pa luftë ka qenë një pengesë e madhe për tu organizuar. Nuk ka njeri të arsyeshme që mund të çlirohet paluftë e që pranon luftën, lufta është një diçka e keq”, ka sqaruar Avni Klianku, Ish kryetar i LKÇK-së.

Më tej, Fatmir Humolli, Ish anëtarë i LKÇK-së ka shtuar se “ ka përshtypjen se Bashkësia ndërkombëtare atëherë ka luajtur me klasën tonë politike legale e ka shkëputur nga ajo ilegale sepse Bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e gatshme për një luftë në Ballkan. Duke mos qenë ata të gatshme kanë bërë presion që lufta jonë mos me nisë krahas luftërave tjera në Jugosllavi, Slloveni, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës. Pushtuesi serbe ishte shumë me i dobët kur kishte front kaq të gjerë ndërsa Republika e Shqipërisë ishte stabile, e kishte një Ushtri të fuqishme, edhe me fillimin e luftës në Kosovë ka pasur gjasa që problemi të zgjidhet me shpejtë”.

Lëvizja Popullore e Kosovës që mbante frymën e thuajse të njëjtë me LKÇK-në, arrintë megjithatë të komunikonte me LDK-në e Rugovës.

“LKÇK-ja është projekt shumë  më i vonë. Por të gjitha ato kanë pasur një projekt të tyre të themi pak ma militant, pak ma radikal për mënyrë sesi ata e mendonin zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ndërsa LDK-ja që nga fillimi kishte adaptuar projektin paqësor. Unë kam qenë në takimin e parë kur është diskutuar kjo çështje ndërmjet Ambasadorit Amerikan Zimerman edhe Presidentit Ibrahim Rugova. Edhe në atë takim ambasadori Zimerman  , tha që nëse dëshironin përkrahjen amerikane duhet ta themeloni një projekt paqësor edhe jo të dhunshëm, edhe ta mobilizonin popullin në një kurs evropian euroatlantik edhe ta shmangni çdo përgjigje të dhunës me dhunë“, ka rrëfyer  Milazim Krasniqi, ish-themelues i LDK-së.

Vëmendje të madhe morën zgjedhjet që nisën në një dimër të ftohtë të 97’tës dhe përfunduan në pranverën e 98’tës.

Nën krisma pushkës, presidenti i atëhershëm shpalli zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.

Në apelin e Ibrahim Rugovës atëherë thuhej se ato zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe historike.

“Bob Bill Gordy i pati kërkuar presidentit Rugova që të mbaheshin zgjedhje për ta legjitimuar udhëheqjen politike sepse i kishte skaduar mandati edhe për proceset që priteshin duhet të kishte legjitimitet presidenti, qeveria edhe Parlamenti. Edhe pse ishte gjendje lufte ne i mbajtëm zgjedhjet me rekomandimin eksplicit amerikan. I patëm përjashtuar nga procesi zgjedhor Skenderajin, Klinë e Begut edhe Drenasin sepse ishin zona ku ishte lufta. Zgjedhjet u mbajtën thjeshtë për ta legjitimuara udhëheqjen politike dhe jo për pushtet” , ka treguar Milazim Krasniqi, ish-themelues i LDK-së.

Më 19 mars edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një kumtese, fton anëtarësinë e vet dhe mbarë zgjedhësit në Republikën e Kosovës, që të dalin në votimet e 22 marsit për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës dhe të deputetëve për Kuvendin republikan.

Ndërkaq, Partia Parlamentare e Kosovës, së bashku me UNIKOMB-in, PSDK-në (krahu i Luljeta Pulës – Beqirit), Partia Liberale Shqiptare, Këshilli Koordinues i degëve të LDK-së në Prishtinë, Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë etj., vendosën që t´i bojkotojnë këto.

Ky dokumentar është realizuar nga gazetarja Kaltrina Zymberi.

Lindja e shtetit, shpallja e pavarësisë, përjetimi i lirisë

“Ne udhëheqësit e shtetit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”

Në këtë moment filloi rrugëtimi i një shteti të vogël por të rëndësishëm që shpeshherë ka trazuar Ballkanin.

Aty u kuptua ai që do përfaqësonte shtetin përjetësisht, harta e artë e yjet e bardhë në sipërfaqën e kaltër.

Gjaku i derdhur e lotët e vuajtjës shumë vjecare aty morrën kuptim.

Aty u pavarësua Kosova e vjetër me histori, por e re në mesin e shteteve të idnipendente.

Atë ditë pos duartrokitjeve të gjata në Kuvend, gëzimi ishte i papërshkrueshëm në qytetet e Kosovës.

Njerëzit më të rëndësishëm të asaj dite ishin ata që punuan drejt shpalljes e nënshkrimit të deklaratës më të rëndësishme për shteti.

Presidenti i atëhershëm ishte Fatmir Sejdiu i cili përcillej e ndihmohej nga një kabinet mjaftë I rëndësishëm për të.

Njëri nga anëtarët e këtij kabineti është Xhafer Tahiri që në atë kohë ishte drejtor i Departamentit për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në zyrën e Presidentit.

Prania e tij në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008 për të ishte fat jetësor.

Tahiri tregon që sfidë në ato momente ishte edhe ruajtja e flamurit që të mos publikohej.

“ditët deri në shpalljën e pavarësisë së Kosovës ishin teper dinamike, normalisht me përgaditjet që beheshin, teper intensive, në atë kohë unë isha përgjegjës edhe për përgaditjet protokollare dhe po ashtu për paraqitjen publike të shenjave të republikës që po shpallej. E kujtoj konferencën që do të paraqitej flamuri i Kosovës me ditë të tëra kishte zgjatur përgaditja e sallës së konferëncës”, ka thënë Tahiri.

Pjesë e historisë mbetën edhe deputetët të cilët patën fatin ta vendosin nënshkrimin e tyre në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Të shumtë ishin me numer e u thirrën një nga një që të lënë shenjën në dokumentin më të rëndësishëm, të Repulikës së saposhpallur.

Një nga ta, ishte Zef Morina, në atë kohë deputet i PDK-së.

Ai e kishte pëlqyer mjaftë Flamurin e ri të Kosovës por e ka edhe një histori për të.

“në vitin 2003 kur e kemi krijuar kompaninë ajrore të Kosovës, ky flamur ka qenë por pa yje. Dmth nuk ka qenë hera e parë e këtij flamuri që është paraqitë në Kuvend por ky flamur ka qenë në aeroplanin e Kosovës në vitin 2003 me firmën time dhe atë ditë kur e ka shpalos kryetari i parlamentit, unë jam befasu”, ka theksuar Morina.

Pos deputetëve shqiptar që përjetuan këtë moment ishin edhe ata nga komunitetet.

Ai që është akoma deputet në Kuvendin e Kosovës ishte edhe në 2008-tën.

Enis Kervan nga komuniteti turk po ashtu e kishte përjetuar emocionalisht momentin e nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“atë që kam përjetu atë ditë, ka qenë diçka, sidomos kur vjen prej një familje që ka kontribu gjithmonë në shtet ndërtimin e Kosovës edhe duke qenë familje nga komunitetet joshumicë, ka qenë nder e privilegj me qenë aty atë ditë me nënshkru deklaratën e pavarësisë e emocionet kanë qenë shumë të larta”, ka thënë Kervan.

Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës iu shtua edhe një simbol I ri, ai që edhe sot shërben si monument.

Realizuar nga Doruntina Bylykbashi.

Konferenca e Rambujesë, moment kthese për Kosovën

Konferenca e Rambujesë përbën një ndër ngjarjet kyçe të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë. Persona me ndikim në këtë ngjarje kanë rrëfyer më shumë për televizionin Dukagjini.

Ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për liri mori vulën e rrugës së pa kthim në një fshat të vogël të Shtimes 24 vjet më parë.

Në Reçak, 15 janarin e hershëm të 1999-ës u dëgjuan krismat e para të armëve.

Forcat serbe u futën në fshat dhe për disa orë vranë mizorisht dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Trupat e tyre mbetën në luginën e fshatit deri më 16 shkurt, pamje këto që tronditën botën demokratike.

Mëngjesin e asaj dite në Reçak shkoi shefi i atëhershëm i OSBE-së, William Walker.

Amerikani derisa ecte përbri luginës ku ishte kryer kjo mizori, u trondit nga barbaria që pa me sy.

Tronditja e vërehej qartë në fytyrën e Walker kur bëhej gati t’i drejtohej botës dhe ngjarjen ta quante masakër dhe gjënë më mizore që kishte parë në jetën e tij.

Pikërisht ishte Masakra e Reçakut e cila alarmoi botën dhe që rrjedhës së ngjarjeve në Kosovë që po luftonte për liri, i dha një kahje tjetër.

Ajo ndikoi jashtëzakonisht shumë në përcaktimit të fatit të Kosovës duke përshpejtuar mbajtjen e Konferencën e Rambujesë.

Ngjarje kjo që ndodhi nga 6 deri me 23 shkurt 1999, e cila solli më pas bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë serbe dhe çlirimin e Kosovës.

Por, përgatitjet për organizimin e një ngjarje të tillë kishin filluar disa muaj më herët.

Gjithçka po ndodhte nën insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kulmin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, ishte vet ShBA-ja që vendosi ta “prek” nga afër UÇK-në.

Për këtë, diplomati amerikan i asaj kohe, Richard Hoolbroke erdhi në Junik dhe takoi pjesëtarë e guerilës më të suksesshme që njeh historia.

Vizita e tij ishte një shenjë e qartë e njohjes së fuqisë në rritje në rritje të UÇK-së, që pos fuqisë ushtarake po fitonte përkrahje masive në popull.

Më pas u formua Grupi i Kontaktit i përbërë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia.

Një treshe nga këto shtete udhëtoi mesin e 98-së në Kosovë dhe takoi disa nga krerët e UÇK-së, ndër ta edhe Ramë Bujën.

Por, biseda nuk ishte e lehtë.

Ramë Buja, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka thënë se “U takuam me të në Kleçkë bashkë me Jakupin, Fatmir Limajn dhe aty na sfiduan bukur shumë, na thanë se ju s’keni forcë, s’jeni forcë që mund t’i përballoni Serbisë dhe ne reaguam relativisht ashpër. Bile Jakupi iu tha a ka mundësi ju dhe Serbia të na ndaloni të vdesim për liri?  Ata u ndjenë ngusht pastaj dhe e ndërruan kursin e bisedimeve dhe thanë shikoni nuk jemi ardhur që të ju provokojmë dhe ngarkojmë por kemi ardhur që të bisedojmë për çështje tjera më serioze. Atëherë u shtrua biseda dhe na thanë, atëherë na përmenden, ka qenë korriku i 98-së, na thanë që kemi ardhur që të ju pyesim a jeni të gatshëm të merrni pjesë në një konferencë ndërkombëtare që do të organizohet për Kosovën dikund”.

Tutje, ndërkombëtarët vazhduan insistimet që të krijohej delegacioni i përbashkët i të gjitha forcave politike në Kosovë dhe UÇK-së.

Ai u krijua shpejtë me në krye Hashim Thaçin nga UÇK-ja, Ibrahim Rugovën nga LDK-ja, Rexhep Qosjen nga LBD-ja, Bajram Kosumin nga Partia Parlamentare, dhe Veton Surroin nga shoqëria civile.

Gjuha e përbashkët u gjet, por sfidë në vete përbënte udhëtimi drejt Rambujesë përmes Aeroportit të Prishtinës, në kohën kur lufta ishte në kulmin e saj.

Ramë Buja ka thënë se “Tham që ne duam të shkojmë me armë në Rambuje. Është e pamundur, mos më thuani këtë se nuk mund ta bëjë dhe kur ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë luftë në Aeroportin e Prishtinës por e kemi një qëllim tjetër. Ata mund të insistojnë të na marrin në aeroport dhe ne nuk duam të bëhemi poçavër. E vetmja që mund të bëjmë me ato armë që marrim është që të vrasim veten që të mos komprometohemi. Miku ynë tha që po, mund ta realizoni këtë gjë dhe kështu kemi shkuar”.

Udhëtimi u krye pa ndonjë problem dhe me të mbërritur armët u dorëzuan.

6 shkurti shënonte fillimin e konferencës për organizimin e së cilës kishin punuar shumë diplomati amerikan Christopher Hill, bashkë me përfaqësuesin e BE-së, Wolfgang Petritsch dhe ai i Rusisë, Boris Majorski.

Por delegacioni kundërshtoi draftin prej 10 pikave që i ishte dorëzuar para udhëtimit në Ramubuje, duke e konsideruar tërë përmbajtjen të papranueshme.

Palët vazhduan punën për disa orë, por sipas Bujës, drafti i ri u shkoi gati i pandryshuar nga i pari.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka shtuar se “Aty shefi i delegacionit që ishte Hashim Thaçi reagoi me ashpërsi me të drejtë dhe reaguam edhe ne të tjerët të ishim të UÇK-së që nuk guxonim ta nënshkruanim në asnjë mënyrë. Kërkuam që të na lejohet një dy javësh mundësi për t’u kthyer në Kosovë, për t’i konsultuar ata njerëz që ishin në istikame, komandantët e zonave dhe të tjerë që kur ta nënshkruanim ose mos ta nënshkruanim, të kishim arsyen e plotë pse po e bëjmë”.

Por, këtu sipas Bujës, lindën mospajtimet e para ndërmjet anëtarëve të delegacionit shqiptar.

Buja ka theksuar se “Në fakt tensionet nisën atëherë kur ne thamë që nuk do ta nënshkruajmë me këtë përbërje të draftit, ndërsa i ndjeri Ibrahim Rugova kishte gatishmëri që e shfaqte njëfarë forme se do ta nënshkruante dhe këtu u ndezën shkëndijat e mosmarrëveshjes”.

Por, Rugova në sytë e bashkëpunëtorëve të tyre kishte të drejtë në insistimin për nënshkrimin e marrëveshjes.

Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtor i Rugovës ka thënë se “Tensione ka pasur sigurisht për arsye se njerëz të ndryshëm, me formime të ndryshme dhe të krahëve të ndryshëm, ushtarak ose më militant. Një pjesë e tyre nuk e ka besuar që do të ndodhte intervenimi. Rugova e ka besuar se do të ndodhte dhe prandaj ka qenë për pranimin e kësaj marrëveshjeje që po them prap, nëse lexohet e ndarë nga konteksti historik për dikë mund të dukej e papërshtatshme. Mirëpo, Rugova e dinte se Kosova do të bëhet hap përpara dhe e bëri”.

Milazim Krasniqi, ish-bashkëpunëtor i Rugovës ka thënë se “Fati jonë i madh ka qenë që në atë konferencë ka shkuar megjithatë unik, ka shkuar me tri grupe, por që kanë qenë unike. Vizioni i Rugovës ka qenë i tillë që ka lëshuar pe edhe pse ka qenë president i zgjedhur, ka dhënë hapësirë dhe përparësi që të jetë lider i grupit një përfaqësues i UÇK-së dhe kjo ka qenë padyshim e rëndësishme për ta faktorizuar edhe UÇK-në dhe për ta rehabilituar në sytë e opinionit ndërkombëtar”.

Pas hezitimit të shqiptarëve, Buja kujton ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright të këtë ardhur në Kështjellën e Ramubjesë me kërkesën për nënshkrimin e marrëveshjes.

Por, delegacioni kishte bindur atë që t’u jepte kohë.

Drafti konsiderohej i rrezikshme, pasi sipas delegacionit, përmes tij, Kosova mbetej akoma pjesë e Serbisë, nuk ishte avancim të të drejtave, dhe parashihej të vendoseshin rreth 2 mijë forca serbe.

Tensionet ishin shfaqur edhe kur Rugova, sipas pjesëmarrësve, refuzoi të paraqiste emrat e ministrave të tij që do të ishin pjesë e një qeverie teknike e cila kërkohej nga amerikanët.

Delegacioni shqiptar kthehet në Rambuje pas gati tri javësh i unifikuar për dallim nga hera e parë, derisa kishte nuhatur se Serbia do ta refuzonte marrëveshjen. Andaj, vendosi që të nënshkruante at137.

Ramë Buja ka potencuar se “…një rast e kujtoj kur ka dalë Boris Majorski nga salla e tyre dhe e ka gjuajtur aq shumë derën e hyrjes së delegacionit sa që kemi qenë përballë me Jakupin dhe unë kam bërë shaka, thash Jakup është mirë puna, tha pse? Thash po Majorski sa se theu derën e delegacionit, diçka që nuk është mirë me ta, besoj që është mirë me neve. Gjë që ndodhi pastaj sepse ata nuk pranuan të nënshkruanin dhe ishte fat i madh sepse do të kishim pasur telashe të mëdha”.

Vënja e nënshkrimeve nga shqiptarët më 23 shkurt dhe refuzimi i serbëve që ta bëjnë një gjë të tillë, përbën momentin kulmor i cili do të ndryshonte përfundimisht historinë e Kosovës.

Kjo solli me 24 mars nisjen bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi të cilat zgjatën për plot 78 ditë.

Për realizimin e suksesshëm bombardimeve nga ajri në Kosovë nevojiteshin informacione të sakta nga terreni.

Një gjë e tillë nuk mund të bëhej pa njerëzit e Ushtirës Clirimtare të Kosovës.

Mbase njeriu kryesor në Kosovë që po mbante kontaktin me NATO-n, ishte komandanti i përgjithshëm atëherë i UÇK-së, Agim Çeku.

Agim Çeku, ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së ka thënë se “Komandantët e zonave, njësive dërgojshin në shtab te unë ne dhe i dërgojshim fillimisht pikat e ndryshme në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku kanë qenë shefat e zyreve, kanë qenë pika referimi sepse ata e kanë përcjellë komandën e NATO-s. Më vonë me telefon satelitor, me faks i kemi dërguar me koordinata të sakta caqet serbe i kemi dërguar në shtabin e NATO-s në Kumanovë. Kam pas telefonata me gjeneralin Clark dhe gjithmonë ai ka qenë inkurajues që të qëndrojmë, t’i ruajmë pozicionet, ta ruajmë substancën e UÇK-së”.

Pas bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me UÇK-në, NATO përmbylli fushatën ajrore dhe më 12 qershor 1999 futi trupat e para tokësore në Kosovë.

Ky moment shënon çlirimin përfundimtar dhe nisjen e kthimit të afro 1 milion shqiptarëve që ishin dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Dokumentar i realizuar nga gazetari Mehmet Krasniqi.

“Drejtësia Ndërkombëtare” për UÇK-në

“Ky është momenti kur gjyqtari po e lexon aktgjykimin…Ky është momenti kur ne lirohemi”

“Ka qenë një proces sfidues, i vështirë. Një sprovë e madhe”, ka thënë Fatmir Limaj.

Një djalë i ri nga Banja e Malishevës, u shndërrua në një nga eksponentët më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ishte Fatmir Limaj, nofkën e luftës e kishte “Çeliku”.

Shquhej si ndër eprorët më të rëndësishëm të UÇK.

I ishte besuar edhe drejtimi i operacionit “Shigjeta”.

Por, ai që njihej si ushtarë i fortë i UÇK-së, i angazhuar edhe në politikë pas luftës, u bë subjekti i parë shqiptarë i drejtësisë ndërkombëtare.

Fatmir Limaj u arrestua në vitin 2003 nga Tribunali i Hagës, e mbi të rëndonin akuza për krime lufte.

Nën akuza të njëjta u përfshinë edhe Isak Musliu dhe Haredin Balaj.

Procesi gjyqësor kundër Limaj zgjati 2 vjet, për të marrë pafajësinë në vitin 2005. 17 vjet më vonë ai rrëfen për këtë proces.

Ju e dini proceset e tilla gjyqësore nuk janë të lehta, në fakt aty sipas standardeve ndërkombëtare barra e provës i mbetet Prokurorisë, mirëpo je në një proces ku bëhet fjalë për të kaluarën tuaj, për personin, për realitetin, për historinë, për gjithë atë çka përfaqësojmë ne, sepse atje nuk kemi shkuar për çështje individuale”, ka thënë Limaj.

Lirinë e fitoj nga Haga, por për të arritur deri aty ishte një rrugë e mundimshme.

Atë posaçërisht e vështirësonte fakti se shumë dëshmi ishin marrë në Beograd, por ato duheshin sfiduar.

Një rast të tillë e mban mend mirë Fatmir Limaj.

“Ka qenë një komandant policie i Shtimes. Ai ka dëshmuar edhe në rastin e Millosheviqit, edhe e kishin sjellur në rastin tonë. Prokuroria e kishte futur disi që të dëshmojë në rastin tonë. Kur ai ka folur, ne atëherë e kishim dëshminë e tij që e kishte dhënë te Millosheviqi dhe avokati im e pyet ku ke qenë ti në atë kohë, thotë kam qenë komandant policie. I thotë po ta bëjë një pyetje. Masakra e Reçakut ka qenë masakër apo ska qenë masakrë? Jo tha s’ka qenë masakër. Unë kam qenë pjesë e atij aksioni dhe gjykata e ka largu menjëherë nga salla”, ka shtuar Limaj.

Limaj, që ka eksperiencë të madhe me drejtësinë ndërkombëtare, e vlerëson punën e gjykatësve të Tribunalit të Hagës.

“Ajo që është e rëndësishme të themi, është që në Hagë çdo gjë që ka ardhur nga Serbia, së paku ka qenë në pikëpyetje, mirëpo shumica nuk janë pranuar si të vërteta. As nuk janë trajtuar në proces në gjykatë. Prokuroria në fillim i ka sjellë, mirëpo kur ka fillu procesi gjyqësor nuk është bazuar në to, sepse që ta kemi të qartë, sepse ky është ai paradoksi që po ndodh tani, atëherë askush nuk ju ka besuar në Hagë dokumenteve që kanë ardhur nga shteti serb, askush. Për faktin se ai shtet ka qenë terrorist, për faktin që kreu i atij shteti me gjithë establishmentin e tij ka qenë i pabesueshëm. Bota e ka luftu atë regjim”, ka thënë ai.

Në fund të këtij procesi Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm bashkë me Isak Musliun. Ndërsa, trupi gjykes për krime lufte e kishte dënuar Haradin Balën.

Rasti Limaj, nuk ishte i vetmi që ish pjesëtarët e UÇK-së u gjykuan në Tribunalin e Hagës.

Dhjetor, viti 2004.

Ramush Haradinaj, zgjedhet kryeministër i Kosovës. Por, në këtë pozitë qëndori vetëm deri në mars të vitit 2005.

Ai doli në një konferencë për media. Aty njoftoi se ndaj tij prokuroria e Tribunalit të Hagës, kishte ngritur një aktakuzë për krime lufte.

Në të përfshihej Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ishte maratonik, gjykim dhe rigjykim. Në fund të tre ish pjesëtarët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm.

Gjylbehare Murati është një profesoreshë në fakultetin juridik. Ajo ka kryer disa hulumtime për proceset gjyqësore për krime lufte në në Tribunalin e Hagës dhe në gjykatat e tjera.

Thekson se rastet në këto gjykata janë zvarritur me vite të tëra dhe ky veprim, sipas saj arsyetohet duke u përdorur jurispodenca e Gjykatës së Strasburgut.

“I kanë përcaktuar katër kritere. Kriteri i parë është kompleksiteti i rastit, e dyta është sjellja e palës gjatë gjykimit, sjellja e organit administrativ, organit gjyqësor dhe thotë se cili është interesi i palëve. Këtë punën e kompleksitetit të rastit, këta e kanë arsyetu përmes provave të shumta që kanë, përmes dëshmitarëve të shumtë që kanë, përmes përkthimeve të shumta që kanë edhe në njëfar mënyre e kanë mbyllur derën që ti me u anku që ka zvarritje”, ka thënë Murati.

Proceset gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sipas avokatit Tahir Rrecaj, që ka qenë pjesë e mbrojtjes në disa procese, janë përcjellur me shumë parregullsi.

“Vepra penale e krimeve të luftës është vepër unike dhe fillon nga momenti i fillimit të luftës deri në momentin e nënshkrimit të një marrëveshje paqësore dhe një person mund të kryejë një, dhjetë, 100 vepra penale krime lufte, krime kundër popullësisë civile dhe ajo duhet të trajtohet si një vepër penale unike… Fatkeqësisht këtu tek ne nuk ka ndodhë, nuk ka ndodhë as në Hagë, nuk po ndodhë as tash në Dhomat e Specializuara në Hagë, që personat të cilët një herë, apo edhe dy herë janë gjykuar për krime lufte dhe janë shpallë të pafajshëm, prapë gjykohen kinse për raste të tjera”, ka thënë Rrecaj.

Janar 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një raport që mbi Kosovën, vendosi një të zezë.

Atë e kishte përpiluar Dick Marty, një senator zvicerian ndërsa hudhet akzua të rënda mbi ish krerët e UÇK-së. Ai pretendonte se liderët e gueriles shqiptare, ishin përfshirë në krime lufte deri në trafikim të organeve.

Kjo bëri që 4 vjet më vonë Kosova të Themeloj një Gjykatë Speciale me ligje vendore por që elementet i ka ndërkombëtare.

Selia e sajë u vendos sërish në Hagë.

Pesë vjet pas themelimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar nisi veprimet në terren. Pran gjykatës kishte dorëzuar një aktakuzë për krime lute.

Në të përfshiheshin hic më pak se ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa kishin funksione të larta politike.

Hashim Thaci, dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe ju dorëzua drejtësisë. Njëjtë veproi edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Po vazhdojnë të mbahen në Hagë, e për akuzat nuk ndihen fajtor.

Kur ish krerët e UÇK-së, janë ende në pritje të gjykimit në Kosovë ka zëra se kjo gjykatë duhet të zhbëhet.

Deri tem tani inicativat për një gjë të tillë kanë qenë të pasuksesshme.

“Unë kam kërkuar prej grupit parlamentar të Vetëvendosjes që me fillu me zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë qenë të gatshëm për me fillu me i analizu rrugët çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim. Kam kërkuar edhe prej deputetëve të PDK-së, edhe ata të cilët e kanë votu që me fillu, nuk kanë qenë të gatshëm”, ka thënë deputeti i PDK-së, Fatmir Humolli.

“Edhe atëherë kur e kam marrë vendimin për ta kundërshtuar, edhe tani, vlerësoj se kjo gjykatë është e padrejtë, është gjykatë një etnike, është gjykatë e cila është bërë për të vendosur balancat në mes të shteteve të Evropës”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Pos gjykimeve në Hagë e Gjykatë Speciale, shumë pjesëtar të Ushtrisë Clrimtare të Kosovës janë gjykuar edhe në Kosovë, nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Më i rëndësishmi ndër ta është Sylejman Selimi, ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i cili madje edhe ishte dënuar për krime lufte nga një trup gjykues i EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Dokumentar i realizuar nga gazetari Sylejman Sylejmani.

Emri i lirisë, Adem Jashari

Emri i Adem Jasharit asocion me luftën e pakomromis për liri. Por në vazhdim ndjekim një reportazh që tregon në fëmijërinë dhe rininë e Adem Jasharit dhe karakteristika te tij. Për të flasin shokë të klasës, bashkëfshatarë e edhe bashkëluftëtarë.

I dashur, fisnik e zemër gjerë.

Kështu përshkruhet komandanti i përjetshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njeriu me mjekër e flokë të gjata, Adem Jashari, emri i  të cilit është gdhendur në trurin e çdo shqiptari për heroizëm, që lindi në datën prej më të rëndësishmëve për shqiptarët, 28 nëntorin e vitit 1955.

Para se të mbërrinte te ky imazh i pashlyer, Adem Jashari, ishte rritur në një familje në gjendje të mirë financiare për atë kohë.

Dhe e kishte shijuar jetën në gjirin e familjes të tij të madhe.

Themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fisnikëria si virtyt, i ishte vërejtur qysh në rini.

“Prej fëmijërie Adem Jasharin e njoh, qysh që nga shkolla fillore, kemi qenë së bashku në shkollën fillore “Azem  Bejta” në Prekaz të eperm dhe deri në momentin që ka rënë heroikisht kemi qenë së bashku sepse jemi të një gjenerate”, ka thënë shoku i klasës, Fadil Mehmeti.

Shoku i tij i shkollës fillore, Fadil Mehmeti tregon karakteristikat e Komandantit në kohën e rinisë së tij.

“Adem Jashari si nxënës ka qenë shumë i disiplinuar, ka qenë shumë I dashur, ka qenë person që gjithherë na ka përshëndetur i pari dhe me buzëqeshje, ka qenë veti e tij karakteristike sepse na eshte afruar gjithmonë afër shokëve, gjithherë kishte dëshirë të kishte sa më shumë shokë afër veti”, ka shtuar Mehmeti.

Njeriu që pëlqente të ngiste motoçikletën, të veshej me stil, e i ngjante edhe solistëve të grupeve të rokut.

Familja Jashari në krye me babain, Shaban Jashari, që kishte qenë edhe mësues në Prekaz, njiheshin për patriotizëm dhe ishin në sy tek autoritet shtetërore të kohës.

Ballafaqimin e parë me ta, familja Jashari e pati në fundin e vitit 1991.

Më 30 dhjetor të atij viti, shtëpia e tyre ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbo, që kërkonin dorëzimin e tij.

Rrethimi ishte thyer, për të nisur një rrugtim që do ta përjetësonte.

Por, pos pushkës Jasharëve u shkonte edhe kënga.

Për Familjen Jashari e për komandantin, Ademin mburren gjithë vendi. Por, janë edhe bashkëfshatarët e tyre që u rritën në të njëjtat lugina e cakorre.

Edhe atyre Ademi bujar gjithmonë i kishte bërë përshtypje.

“Prej fëmijërie ai ka qenë i dashtun, i urtë, i sjellshëm me të gjithë por imponimi  e boni te veten, agresori serb tu na shtypë kështu që si në shkollë të mesme edhe ktu në Skenderaj, ai dmth u kanë para meje, unë jam 59sh e po I kemi njohë, fmijët, Hamzën, Bacën Shaban, Rifatin, Ademin e kush ma shumë se ata nuk ka dhanë veç ishalla gjaku i tyre nuk humbet se ata kanë dhanë shumë për këtë popull”, ka thënë bashkëfshatari, Xhavit Rushiti.

Ishte momenti kur mjekërrmadhi i familjes Jashari morri një vendim.

Ai ishte i gatshëm çdo herë për të dhënë jetën për lirinë e Kosovës për të cilën ai ishte angazhuar qysh në rini.

Prandaj edhe kishte filluar që përsonazhet që njoheshin për bujari, ti mbledhte afër vetës, për të krijuar atë që një ditë do ta çlironte vendin, Ushtrinë Clirimtare të Kosovës.

Njëri nga ta që vet komandanti e kishte ftuar, ishte Ali Januzi për të bërë dikur edhe bashkëluftëtari i figurës kryesorë të UÇK-së.

“për të bëmat e Adem Jasharit qysh heret që prej vitit 1991, kur është bërë rrethimi, meqenëse ateherë duhet të jemi real nuk e kemi njohur por pastaj dal nga dale sipas shokëve dhe këtu po e potencoj në një qendër vrojtuese Ademi shpesh kish pas gravitu edhe ish pas taku me Ramadanin e një ditë mu Ramadani po me thotë se Ademi ka kërku me bisedu me ty (Alin) dhe për mos me zgjatë për herë të parë ka qenë më 1995 ka qenë tetori, ditë e hanë jemi shku në këmbe në Prekaz, jam hy në odë, jam taku me krejt familjen dhe ky ka qenë kontakti I parë me Adem Jasharin”, ka thënë bashkëluftëtari, Ali Januzi.

Pasi që Januzi nga bashkëpunëtor e bëri edhe shok të luftës, Ademit ia njohu nga afër edhe karakterin e tij fisnik, dhe e përshkruan si të qetë e të dashur.

Por në odë, fjala e tij dhe Hamzës dëgjohej.

“Ademi ka qenë shumë komunitativ, ka qenë një person shumë I dashur, ka qenë një njeri shumë I butë e I urtë, ka qenë I dashur për të gjithë shokët që kanë shku edhe I ka pranu në odë me një fjalë mundem me thanë që oda e Ademit ka qenë shtab ku prej aty janë marrë urdhëra, detyrat kanë dal prej odës së tij dhe pikërisht prej Hamze dhe Ademit”, ka shtuar Januzi.

Por, interesin e shqipëtarëve luftëtarët asnjëherë nuk e kishin harruar.

Januzi së bashku me Komandantin kishin vetëm një muhabet kryesor. Atë të luftës. Çlirimit të atdheut. Dëbimit të armikut.

“atëherë i kemi vazhdu kontaktet, kuptohet atëherë kemi bisedu kryesisht për luftë sepse e kishim kuptuar që vetëm me luftë kishim mundësi ta shpëtonim atdheun, vetëm me pushk mundeshim ta largonim armikun shekullor nga trojet tona dhe bisedat gjithmonë kanë qenë rreth luftës se si me bo realizimin”, ka theksuar Januzi.

Ademi Legjendar ra dëshmor më 7 mars të 1998-tës, bashkë me të edhe 58 anëtar tjerë të familjës, pasi rezistencës përballë 7 deri në 8 mijë trupave të ushtrisë serbe.

Sulmit mizor i shpëtoi vetëm Besarta Jashari.

Shenjat e rezistenncës së tyre kanë mbetur akoma.

Ky vend tashmë ka peshën më të rëndë në historinë e Kosovës.

Për ata të cilët kishin dashur këngen, tash këndohet.

Ata të cilët i kishin dashur e respektuar mysafirët, çdo ditë vizitohen

Ata të cilët kishin dashur lirinë, lirinë e trupin ia dhanë Kosovës.

Dokumentar realizuar nga gazetarja e RTV Dukagjinit Doruntina Bylykbashi.

Hashim Thaçi, lider në luftë dhe në paqe

1968, 24 prill, edhe një djalë i vjen në jetë, Haxhi Sinan Thaçit.

Atë botë askush nuk ta dinte se kush do të ishte e çfarë do të jepte ai për historinë.

Horizontet e tij do të hapeshin, e rruga e tij do të ishte e gjatë.

Megjithatë gjithçka fillon këtu, në një fshat të vogël të Skenderajt, rajoni i Drenicës.

Burojë, ky vend që do të rriste një djalë  që më vonë do të bëhej i njohur në gjithë Kosovën dhe më gjerë.

I ndrojtur, i urtë e i qetë mbahet mend si fëmijë, por veprimet e mëvonshme të Hashim Thaçit nuk do të asociojnë me këto tipare.

“Edhe Hashimi vetë si fëmijë unë e mbaj mend si fëmijë kur vike tek ne, me fëmijët tanë, me shku në shkollë fillore në Turiqec me shku në klasë të parë e tutje, ai ka qenë fëmijë I urtë, I pa fjalë ka qenë, edhe gjithë ka mësu mirë, edhe ka shku në Skenderaj pastaj e ka kry shkollën e mesme, prej Skenderajit tani ka dalë e ka vazhdu në Prishtinë”, ka thënë Milazim Thaçi, i mbijetuar i Masakrës së Izbicës.

I interesuar maksimalisht për shkollën, por Hashimin në vitet e rinisë  edhe më tepër e brente diçka tjetër.

“Hashimi ka qenë djal i mirë, nxënës I mirë, trim, patriot, t’gjitha atributet që duhet me I pasë një njeri, i ka pasë. Ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm po mbi të gjitha ka qenë besnik I madh.”

“Hashimi me t’vërtetë ka qenë trim, patriot gjithmonë, edhe gjatë bisedave gjithmonë sa herë kemi bisedu me të, shoqnia si në shkollë të mesme si në fakultet, me shokë ne kemi qenë gjithmonë, cka mundemi me ba ma shumë për vendin?.” ( Këtë pjesë mundesh edhe me largu )”, ka thënë Arif Aliu, shok i shkollës fillore dhe luftës me Thaçin.

Shpirtat e lirë, rinor e atdhedashës nuk e durojnë robërinë, i tillë përshkruhet edhe ai.

“Ai prej Skenderajt ja patë nisë me u marrë me çështjen kombëtare, thojke me shiku qysh me punu, qysh me ja bo se thojke nuk rrnohet në robëri, thojke qe disa vjet nën këmbë të shkaut, e thojke duhet me kshyr t’mujsha me ba diqka.  Na u tutshim, thojke hic Baca Mil mos ki dert se kemi me zgjedh këtë cashtje, vec kadal dalë”, ka thënë Thaci.

 

E kështu ngadalë ngadalë, Hashim Thaci tashmë student i fakultetit të Historisë, në Universitetin e Prishtinës, merr për herë të parë emrin e liderit si udhëheqës i organizimeve studentore.

Aktiviteti i tij i hershëm bën që të vihet në llupë të armikut, ku urdhërohet arrestimi i tij por pa sukseses.

Dështimi i arrestimit të tij paraprin arratisjen e tij drejt Zvicrës, drejtim që do të niste një histori të re për Kosovën.

Atje do ta priste Lëvizja Popullore për Kosovën, organizatë që do të ishte nismëtare për Ushtrinë Çlirimtare.

Në njërën anë ideali, e në anën tjetër dëshira për arsimim, e çon Thaçin edhe njëherë në dyert e një universitet për të studiuar histori dhe filozofi politike, këtë herë në vendin në të cilin ishte arratisur, në Cyrih.

Studimet që nuk arrin ti mbarojë karakterizohen me hyrje-daljet e disahershme ilegale në Kosovë për tu rikthyer edhe një herë prej vërteti më 1997. Vit ky që ai do të vishte uniformen e UCK-së publikisht.

Hashim Thaci i kishte hyrë një rruge që për pushtetin e atëhershëm ishte ilegale e për shqiptarët rrugë e domosdoshme.

“Për herë të parë na  e kemi pa në 97-n u ardhë te shpia  e vetë dhe unë qëllova rasisht aty, ai erdhi me uniformë, na vec pe kqyrim, hajde përhajr, hajde përhajr, tha hajrpaq, kjo u nisë moti po sot erdha n’ ven temin me ju kallxu juve që hic mos me u ba marak,  se kjo punë ka me shku deri në fund, kemi me clirue venin tonë”, ka thënë Milazim Thaçi i mbijetuar i Masakrës së Izbicës, kushëri i Hashim Thaçit.

Thacit të cilin për herë të parë po e shihte në uniform babi i tij, i kishte dhënë edhe një këshillë.

“Baba I vetë i tha vec sa t’munesh me shokë me u bashku, e me u forcu se bashkimi e bën fuqinë edhe I bjen krejt t;mirat. Na kapak po tutem po masi ju jeni, na spo tutem hic, se liria pa derdh gjak, dikush sbon”

Gjatë luftës Hashimin, tashmë drejtorin politik të UCK-së, shokët do ta thërrisnin me nofkën “gjarpër”, emër ky që kishte lindur nga një fakt.

“Emrin Gjarpër në luftë ja kanë lanë shokët, sepse Hashimit në të vërtetë nuk iu kanë parë këmbët, tek ne është fjala popullore që gjarprit si shihen këmbët, ajo ka qenë krejt, jo pse tash e merrë dikush, me një demagogji tjetër, jo gjarpëri jo helmues. Ajo vetëm që sju kanë parë këmbët, njeriu që e ka kalu kufirin Shqipëri- Kosovë mbi 40 herë në këmbë, ai është.”

Por cdo kalim kufiri për të, që qëllim kishte bartjen e armëve nga Shqipëria në Kosovë, nuk duket të ketë qenë aspak i lehtë.

“Tu bajtë armë prej Shqipnie, e nëpër mal vallai ka pasë herë qeky Hashimi kur u ardhë, baba I vet ka thanë se unë se kam pa, skena mujt me ja dath qizmet prej akullit, prej bore, mas 10 min kur ja kena nxe kamt, atehere ja kena dathë”, ka shtuar Thaçi.

Për bashkëluftatërt, ngjan se Hashim Thaci ishte njeriu më i rëndësishëm I UCK-së.

“Nëse Zotëri Rexhep Selimi e ka pasur numrin 10,  Sokol Bashota 11, dmth kanë qenë edhe 9 tjerë para 10-it, unë  shumë besoj që 1shi ka qenë Hashim Thaci dhe 2 shi Kadri Veseli”, ka Aliu.

Meqense i ishte besuar udhëheqja e drejtorisë politike të UÇK-së, Hashim Thaci, ishte akteri kryesor i të gjitha zhvillimeve që ndërlidheshin me Kosovën në atë kohë.

Shpesh herë ai bije edhe të largoj uniformën ushtarake të vishej në kollare. I tillë është edhe momenti kur bashkë me një delegacion të gjerë të shqiptarëve të Kosovës, po merrnin pjesë në konferencën e Rambujesë.

Këtu, një djalë i ri në të 30’tat e tij u shndërrua në një prijës të delegacionit të Kosovës në ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare që ndodhte për vendin që ishte në luftë në vitin 1999.

“Thaci në public është shfaqur përnjëherë papritmas dhe përnjëherë ka qenë në krye të delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe menjëherë pastaj kryeministri I qeverisë së përkohshme të Kosovës. Në atë kohë ka qenë tepër e mirënjohur, rrjedha e Rambujesë dhe shumë e mirënjohur rezistenca e Thacit që nga Rambuje të nxjerrrë maksimumin, e maksimumit. DHe ai ka bërë që të sigurojë Nato të vendoset në Kosovë , UCK-ja të mos zhduket por transformohet”, ka thënë gazetari, Muhamet Mavraj.

Madje nuk do të kishte proces të rëndësishëm që do të kalonte Shteti i Kosovës, ku nuk do figuronte emri i Hashim Thaçit.

“Si kryesues i delegacionit të Rambujesë, ka bërë që Hashim Thaçi të ketë një rol, të personaliteteve kryesore në jetën politike pas Kosovës së lirë. Ai pozicioni i fuqishëm i daljes nga një projekt çlirimtar, sic ka qenë ai i luftës së ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ka bërë që ky njeri të ketë një imunitet, të jashtëzakonshëm politik dhe nuk ka process i rëndësishëm që ka ndodhë në Kosovë të mos ketë kaluar në duart e tij, qoftë transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë pjesëmarrja në Vjenë që kanë qenë diskutimet lidhur me Pakon e Ahtisarit,  që faktikisht ka qenë një parapërgatitje për Pavarësinë e Kosovës, qoftë me shpalljen e pavarësisë”, ka thënë Ismajl Syla, ish-këshilltar i Thaçit.

Emri i tij jo vetëm si pjesëmarrje në procese, por vlerësohet të jetë shkrues I kësaj historie.

“Kosova ka disa historianë që  e shkruajnë historinë por ka shumë pak historianë që e kanë krijuar historinë dhe kryesori prej historianëve që e kanë krijuar historinë e re të Kosovës  është Hashim Thaçi pa asnjë dyshim”, ka shtuar Mavraj.

Hashim Thaci, ishte figura kryesore edhe në negociatat e Vienës, që po përcaktonin statusin e Kosovës.

Para se të ndodhte momenti i më i rëndësishëm në jetën e Thacit, ai fitoi zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007.

U bë kryeministër, e me 17 shkurt të 2008-së lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Padyshim momenti më historik i një Republike të re.

Duke qenë kryeministër, Thaçit i bije barra që të udhëheqë me Republikën e Kosovës, që në historinë e pas pavarësisë kalo nëpër momente jo të lehta.

Të vështira konsiderohen fillimi i bisedimeve me Serbinë, kundër secilës kishte luftuar vet Hashim Thaçi.

E vështirë ishte edhe periudha e themelimit të Gjykatës Speciale.

Thaci në fund të vitit 2014 përfundoi detyrën si kryeministër për t’u bërë më pas president.

Në këtë pozitë u votua me 26 shkurt të vitit 2016.

Si lider ai glorifikohet nga ish bashkëpunëtorët e tij.

“Hashim Thaçi ka qenë ai personalitet që thjesht aty ku hyn ai, vihet qetësia, dhe vihet serioziteti, por jo se aty ku vihet serioziteti aty ka ndrojtje, ka frikë ose diçka, ai është ndër njerëzit, që duket në pamje të jashtme njeri serioz, dhe I rëndë por faktikisht unë po flas për përvojën time, 22 vjeçare , është njeriun që asnjëherë në jetë asnjë bashkëpunëtor, edhe pse ne aty punonim nën stress, nën presione, edhe pse kemi bërë gabime dhe gafa, të paqëllimshme ai asnjëherë, nuk ka bërë fyerje, arrogantë, ofendime, ai nuk e ka poshtëruar asnjëherë në jetën e tij askënd, asnjë bashkëpunëtor të tij të ngushtë, ne jemi skuqur nga ndonjë gafë, veprime që do të meritonin largim suspendim, por ai I ka përbirë dhe nuk e ka ndëshkuar askënd”, ka thënë Ismajl Syla, ish-këshilltar i Thacit.

Rrjedhat ndryshuan dhe mandatin e presidentit nuk e përfundoi dot.

Mbi të u ngrit një aktakuzë për krime lufte, çka bëri që presidenti të zhvishet nga ky petku, duke hequr dorë nga pozita e tij.

“Hashim Thaci me të kuptuar se është ngritur një aktakuzë ndaj tij në mënyrën më të civilizuar, në mënyrën më mënyrën më të dinjitetshme, duke pasur të drejtë me gëzu edhe imunitetin e presidentit deri më 7 prill 2021, Hashim Thaci do duhej të ishte president në detyrë, ai atë  e ndërpreu për të dhënë  shembullin se ai nuk I frikësohet asnjë aktakuze, ai nuk  I frikësohet çdo paragjykimi as keqkuptimi, dezinfomrimi as fabrikimi, që janë bërë nga qarqe anti-shqiptare, qoftë nga Beogradi qoftë nga Moska, qoftë nga poshtë e lartë, por ai me vetëdije të plotë iu ka përgjigjur, një gjykate e cila fatkeqësisht është dashur të themelohet”, ka theksuar Syla.

Tash e dy vjet, atje në paraburgim bashkë me ish krerët e tjerë të UÇK-së,  po mbahet bashkë me shokë të tjerë të luftës, njeriu kyç i kësaj ushtrie që solli lirinë.

“Atje nuk është Hashim Thaci por është Koka e UCK-së edhe nuk ka liri të Kosovës pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Mavraj.

Dorëheqja e tij është akti i fundit dhe fjalimi i fundit i Hashim Thaçit në Kosovë përpara se të marrë rrugën për Hagë më 5 nëntor 2020.

Dhe deri sa ai të kthehet për të thënë diçka tjetër……

“Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim, do të shihemi prap do të dalim faqebardhë”.

Dokumentar i realizuar nga gazetarja Anduena Bajqinofci.

Adem Demaçi, revolucionari i papërmirësueshëm

“Parulla e parë, e shkurt e saktë “Duam Liri”, kaq. parulla e dytë “Rrnoftë Shqipëria” unë nuk e kam ditë pse duhet me rrnu Shqipnia, po ata Adem Demaçi e kanë ditë…”, ka deklaruar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

“Kur më thua kush janë nxënësit e Demaçit, mua më duket tre: Adem Jashari…Fehmi Lladrovci..Edhe personi i tretë është vet Kryeministri i tanishëm i Kosovës…”, ka thënë Shkëlzen Gashi, Publicist.

“…Asnjë mundësi për një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës nuk ka me regjimin e Millosheviqit”, ka theksuar Azem Vllasi, Ish-politikan.

“Ti sfarrni Adem Demaçi, a je ti Adem Demaçi i vërtetë ky thotë, po ku po shkon, po shkon ku e kam vendin të UÇK-ja…I thotë nëse unë jam pa ushtri çka rrotën e samës po digjeni ju në diell e po rrini këtu po vramni..”, ka shtuar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

“Isha djali i vogël i nanës Nazife të cilin ajo e rriti me thoj e me dhëmbë, e rriti e ngriti edhe kur ishte puna për Atdheun tha shko djal, Nana Nazife një ditë do të vdes Nëna Shqipëri do të jetojë gjithmonë”, ka thënë Adem Demaçi.

Ademi i donte dy nënat. Nanën Shqipni edhe nanën Nazife. Për nanë Shqipninë mbajti mbi 10 mijë ditë burg, ndërkaq për nanën Nazife i la studimet e u kthye në shtëpi.

Nëna e motra Ajshja mbetën veç me Ademin.  Babai Zeqiri vdiq kur ishte 8 vjeç, ndërsa vëllai Maliqi pesë vjet më vonë, për ta lënë Ademin zot shtëpije.

Fëmijëri e vështirë, e varfëri në familje por që nuk e penguan t’i rreket dijes. Shkollimin fillor e të mesëm në Prishtinë, ndërkaq në Beograd për pesë semetre studioi letërsi botërore.

Për shkak të sëmundjes së nënës Nazife, Demaçi ndërprenë rrugëtimin në Universitetin e Bogradit. Në kryqyqendrën e Jugosllavisë e ndëprenë praninë fizike por jo kritikën për robërinë ndaj popullit të tij.

Nis punën në gazetën “Rilindja” aty ku lind Ademi i Ri, autori i romanit të parë shqip, “Gjarprijt e Gjakut”. Në Prishtinë qëndron vetëm tri vite e përsëri ri-kthehet në Beograd, kësaj here jo si student por i burgosur.

Akuza: veprimtari armiqësore, kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë dhe angazhim i drejtpërdrejt për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe Bashkimin me Shqipërinë.”

Vitet 1958-1961, janë periudha e parë e 28 vjetve burgim sa do ti kalojë Demaçi në qelitë e Jugosllavisë.

Kur e quan në burg ishte i vetmuar, por tash kur doli, kishin dëgjuar për të e për disa ishte kthyer në inspirim. Por ende ishte herët për këtë pjesë, tash ishte koha për t’vepruar në terren.

Më 1963, Adem Demaçi vendos themelet e rezistencës, Lëvizjen Revulocionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Në statut kërkohej bashkimi me Shqipërinë, ndërkaq nëpër qytetet e Kosovës nisën aksionet për t’mobilizuar popullsinë.

“I kemi shkru dy parulla, unë e kam shkru, e ai shoku im në pikën më të lartë të shtyllës, se ishte termin 10:00-10:05 minuta të kryhet aksioni në krejt Kosovën. Na ishim shku në këmbë në Vushtrri, edhe ai e ngriti flamurin në orën 10 të natës edhe i binte drita aty, edhe ai shoku po e puthë flamurin”, ka thënë Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Selatin Novosella, ishte njeriu i terrenit, flamur në shtiza e parulla për Shqipninë ishin punët që i kryente, si pjesë e organizatës së Demaçit.

“Parulla e parë, e shkurt e saktë “Duam Liri”, kaq. parulla e dytë “Rrnoftë Shqipëria” unë nuk e kam ditë pse duhet me rrnu Shqipnia, po ata Adem Demaçi e kanë ditë që pa rrnu Shqipnia Kosova nuk jeton, duhet me rrnu Shqipnia”, ka theksuar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Flamur kombëtar nëpër sheshe, parulla “Duam Liri”, e “Rrnoftë Shqipëria”, nuk u pritën mirë nga regjimi.

Më 8 qershor 1964 arrestohen mbi 300 veprimtarë të LRBSH-së. Po atë vit Demaç dënohet për herë të dytë me burg, tash 15 vjet.

“Gjykatëse ka pyet çka do të thuash në fjalën e fundit, akuzën e ka pasur për pushkatim. Për pushkatim ka qenë. Thotë unë po e them edhe një herë, e kam thënë e dhe në gjykimin e parë në vitin 1958, që Kosova dhe të gjitha viset e okupuar prej Jugosllavisë duhet të çlirohen, duhet të bashkohen me nanën Shqipni”, ka treguar tutje Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Me atë që e bashkonte ideali, tash Selatin Novosella do ta ndante qelinë e burgut.

“Shkolla e jetës ishte se duhet të tije se dikush duhej të binte në burg, dikush duhej të vepronte, dikush të sakrifikonte, ishte një shkollë ku mësoje çka do të bëje pas daljen nga burgu. E dalja pas burgut ishte me u organizu gjithmonë në formë ilegale”, ka shtuara Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Ashtu siç tregon Novosella edhe pas daljes së dytë nga burgur, Demaçi ishte bërë halë në sy për UDB-ashët.

Demaçi bëhet i padurueshëm. Tetor 1975, Demaçi përsëri dënohet me 15 vjet. Tash dërgohet në njërin nga burgjet ku vuan më së shumti, në Kroaci nuk kanë nejt në burg me to.

“Sulme kontra-revolucionare në rregullimin shtetëror e shoqëror dhe rrezikim i tërësisë territorial të vendit”. Kjo ishte akuza për të cilën Demaçi u riburgos për herë të tretë, për të dale përfundimisht në liri më 21 prill 1990.

Kohë kur aparati shtetëror serb kishte intesifikuar dhunën e persekutimin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në një situatë të tillë, Demaçi zgjedh frontin e përbashkët, atyre që deri dje e kishin ndjekur rrugën e tij, iu bëri thirrje t’i bashkohen një force tjetër politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse nuk përputheshin për nga mendimet, prijësi Ibrahim Rugova e mirëpriti Demaçin në liri.

“Gjatë gjithë kohës sa ti nuk ke qenë ksajde një karrikë ka qenë e zbrazët në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës….Ti gjithmonë me mendje, me zemër e me shpirt ke qenë me neve sot je edhe fizikisht”, ka deklaruar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Edhe Demaçi  në raport me Rugovën, sipas Novosellës këtë kohë pajtoheshin se si duhet të silleshin në raport me Serbinë.

“Kundërshtari (Serbia) e ka topin, e ka tankstin, e ka aeroplanin e ka armatën më të fortë në Rajon, e pasha Bacin ne nuk i kemi asnjërën. Nuk bënë të bëjmë luftë, ne duhet ta bëjmë një luftë paqësore, por gjithmonë aktive…”, ka përfunduar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Përpos vlerësimit në terren, në pjesën e parë të 90-s, Rugova e Demaçi pajtoheshin edhe për organizimin e rezistencës.

“Të dy janë pajtuar se duhet të homogjenizohen shqiptarët kundër okupimit të Serbisë, në krye me Sllbodan Millosheviqin edhe të dy janë pajtuar që nuk është në interesin e shqiptarëve që të nisin kryengritje të armatosur kundër okupimit serb”, ka deklaruar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Megjithatë Shkëlzen Gashi, autor i librit ”Adem Demaçi, biografi e paautorizuar”, tregon se prap egzistonin disa dallime ndërmjet Rugovës e Demaçit.

“Ai ka qenë dakord që 90-95 lidershipi i Kosovës të bëjë politikë paqësore por ka qenë idhëtar i idesë që politika duhet të jetë aktive, pra nuk mjafton vetëm organizimi i sistemit paralel në fushën e arsimit, shëndetësisë të kulturës, sportit të politikës, por duhet rezistencë paqësore aktive…duhet protesta, duhet bllokim të rrugëve, duhet lirim i institucioneve publike që janë okuput prej Serbisë”, ka theksuar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Dallimet u shtuan e hendeku mes tyre u thellua pas marrëveshjes së Dejtonit. Gjysma e dytë e dekadës së fund-shekullit, shënon periudhën kur Demaçi e Rugova i ndanë rrugët.

“Pas marrëveshjes së Dejtonit kur nuk përfshihet në këtë marrëveshje Kosova, Adem Demaçi, angazhohet në Partinë Parlamentare të Kosovës edhe premton se do të organizojnë rezistojnë protesta, do të organizojnë greva”, ka përfunduar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Në llogoret e rezistencës tash ishin shtuar radhët e ishte ndërruar forma.  Rezistenca aktive të cilën aq shumë  Demaçi mori formë nën emblemën e ushtrisë për të cilën kishte shkruar në vitin 1963. Tash Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ushtri e cila Demaçin e nderoi me postin e përfaqësuesit të përgjithshëm politik, me zyre në Prishtinë.

Për 6 muaj sa punoi në këtë zyrë, Demaçi kishte mbledhur shumë njerëz afër vetes, ndër ta edhe Azem Vllasin, si këshilltar të tij.

“Ai më thirr në një biesedë për të bashkëpunuar, më propozi që në kontakte me diplomatët e huaj dhe gazetarët e huaj jashtë Kosovës me të cilët unë kisha kontakte të mira, të angazhohem që të shpjegoj qëllimet dhe karekterin e luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Azem Vllasi, ish-politikan.

Qëllimi i kësaj ftese ishte që lufta e drejtë e UÇK-së të njihet e tillë nëpër qendrat botërore.

“Për pesë muaj deri sa filluan bombardimet unë në ato kontakte ju shpjegoja gazetarëve dhe diplomatëve që kisha kontakt me ta se lufta çlirimtare e Kosovës faktikisht është një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare dhe e detyrueshme sepse asnjë mundësi për një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës nuk ka me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë Azem Vllasi, ish-politikan.

Por Demaçi nuk qëndroi gjatë në këtë zyrë. “Përgjigjen definitive do ta japim në Paris”

Konferenca e Rambujesë ishte arsye e dorëheqjes, më saktësisht parimet e panegociueshme të cilat ishin vendosur për Kosovën në procesi negociator, para se të nisë konferenca e Rambujesë.

“Aty kanë qenë disa parime të panegociueshme ku e para ka thënë që garantohet integriteti dhe sovraniteti territorial i atëherë Republikës Feredale të Jugosllavisë. Kjo ka qenë pika kryesore pse Demaçi e ka kundërshtu Rambujen…Mandej siç e shohim edhe vet dokumentin që rezulton prej procesit negociator aty Kosova e fiton një autonomi shumë të gjerë në kuadër të Serbisë, nuk parashihet referendum pas tre viteve për Kosovën, edhe nuk përmendet askund UÇK-ja, ka qenë një ndër vërejtjet e Demaçit për dokumentin e Rambujeës, askund nuk përmendet lufta e popullit të Kosovës për çlirim, askund nuk përmendet okupimi gati 10 vjeçar 1989 kur suprimohet autonomia, parashihet mbetja e trupave ushtarako-policore serbe në territorin e Kosovës diku 2500 policë edhe 1500 ushtarë që jabë”, ka treguar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Pas konferencës së Rambujesë pala serbe nuk pranon të nënshkruajë, vendim pas të cilit pasojnë bombardimet e NATO-s.

Bashkë me periudhën e pasluftës në liri, publicisti Shkëlzen Gashi thotë se Demaçi, u mor aktivisht me aktivizitëm për integrimin e komunitetit serbe. E më pas u vu në shërbim të kritikës me qëllim që Kosovë të përfitoj më shumë në negociatat e Vienës, pas të cilave erdhi edhe Pavarësia e Kosovës.

1958-2008, janë saktësisht 50 vite. I pari shënon vitin kur Demaçi u burgos, ndërsa i dyti pavarësia e Kosovës.

Me gjithë këtë aktivizëm e me mbi 28 vjet burgim, Demaçi sipas Gashit ka pas shumë ndjekës që i shkuan pasë, por vetëm tre mund të konsiderohen si nxënës të tij.

“Kur më thua kush janë nxënësit e Demaçit, mua më duket tre: Adem Jashari, një prej nxënësve të tij, që nuk e ka pasur problem me vdekë për lirinë e Kosovës. Ndonëse Demaçi dhe Jashari nuk kanë pasur asnjëherë takim…Edhe nxënësi i dytë i tij më duket Fehmi Lladrovci, këta kanë qenë shokë të burgut në vitet e 80-ta në Kroaci….Edhe personi i tretë që më asocon me Demaçin është vet Kryeministri i tanishëm i Kosovës, këto tri personalitet më duken qysh me thanë nxënës ose pasardhës të drepërdrejt të Demaçit”, ka deklaruar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Megjithatë Demaçi nuk është vetëm i Kosovës. Më 1991 Paralamenti Evropian, i dha Çmimin Saharov.

Mandela i Kosovës siç cilësohet e fituesi i çmimit për lirinë e mendimit , 5 vjet pas vdekjes, vazhdon e do të vazhdojë të jetë figurë frymëzimi.

Dokumentar i realizuar nga gazetari Liridon Llozani.

Ibrahim Rugova, emri i themeleve të shtetësisë

Dimri i vitit 1944 kishte zbardhur malet e Dukagjinit, duke mos dhënë shpresë për pranverën që ishte e vonshme.

Në këtë dimër në Cërcë të Istogut më 2 dhjetor të këtij moti Rrustë dhe Sofie Rugova kishin sjellë në jetë djalin e tyre të vetëm Ibrahimin, për të cilin historia ruajti vendin më të veçant.

Por, ai që do linte gjumrë në historinë shqiptare, nuk pati fat ta njoh babain e tij.

Rrustë Rugova, u zhduk në periudhën e Luftës së Dytë Botërore,  vetëm 50 ditë pasi i kishte lindur i biri.

Kështu nënë Sofia me ndihmën e familjes u kujdes që djalit të saj të vetëm, Ibrahimit, t’ia jepte të gjitha që mund të jap një nënë për fëmijën.

Enver Rugova, djali i xhaxhait të Ibrahim Rugovës ka thënë se “si foshnjë ka mbetur pa prindërin e tij ai është zhdukur ende nuk e dimë eshrat ku i ka, ish presidenti si fëmije ka qenë që ia kanë pasur hatrit gjithë familja Rugova, në atë kohë nuk ka pasur diçka që nuk mund të krenohemi, skemi pasur jetë luksi. Ai ka nisur të shkollohet në Istog. Nëna Sof është kujdesur shumë si për neve por edhe për të birin e saj të vetëm ish presidentin Ibrahim rugova”.

Nëpër këtë lagje, Ibrahim Rugova, rriti shtatin për çka çdo cep të kësaj anë e vizitoi dhe e njohu shumë mirë.

Enver Rugova ka thënë se “E ka eksploru nuk ka pllam që nuk e ka eksporu…e kemi pasur sikur lugën e sheqerit në familje, ai ka qenë ajka jonë”.

Jeta që bënte në Istog i ndryshoi kur mori vendimin që ti futej botës akademike në një vend larg shtëpisë.

Ai erdhi në Prishtinë dhe u bë student i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin Filologjik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe.

Pas studimeve, ai nuk qëndroi largë shkrimeve dhe librave. Punoi në shumë revista e gazeta të asaj kohe.

Në vitin 1986 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Pastaj, për afro dy dekada, veprimtarinë e vet shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist vecçanërisht regjimin jugosllav.

Mirëpo, ajo cfarë krijoj Sllobodan Milloshevic më 1989 në Gazimestan afër Prishtinës, duke mbledhur qindramijëra serbë edhe nga Beogradi bëri që Rugova të bëjë një kthesë e cila shqiptarëve iu jep shpresë për barazi e demokraci.

Jusuf Buxhovi, ish themelues i LDK-së ka thënë se “Rugova ishte profil si një lider i shqiptarëve dhe ne nuk na mbeti tjetër pos Rugovën që të angazhonim në këtë pozicion ai kishte hezitime por ishin të natyrës organizative në mënyrë që ai kërkoi përkrahjen aktive të amerikanëve dhe që kishte të drejtë Rugova ishte i parapërccaktuar që të ishte kider i LDK-së dhe amerikanët ia dhënë atë”.

Muhamet Hamiti, bashkëpunëtor i Rugovës ka thënë se “Njeriu më i rëndësishëm i shekullit të kaluar ati themeltar i shtetit të Kosovës me vizionin e tij që ka pasur. Krijoji themelet e shtetit që bota e njohu si shteti paralel, ne i themi se Republika e parë”.

Në krejt këtë periudhë Rugova asnjëherë nuk u shkoqit nga miqtë e Kosovës, e gjithmonë theks i vënte Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo u dëshmua në maj të 1998-ës ku Rugova si president për herë të parë në hyri në Shtëpinë e Bardhë.

I pari i Kosovës shpresonte se vizita e tij në shtëpinë më të rëndësishme në botë, do të gjejë një rrugë drejt paqes, prej ku u vendos që vendi të shkoj në zgjedhje të cilat po ashtu e shpallën Rugovën President të Kosovës.

E pas këtyre zgjedhjeve, ndodhën shumë zhvillime.

Kosova hyri një një luftë të përgjakshme për çlirim, ndërsa Ibrahim Rugova qëndronte në Prishtinë.

Milazim Krasniqi, ish themelues i LDK-së ka thënë se “Kosova nuk mund të çlirohej pa ndihmën e amerikanëve, ndërsa amerikanët si superfuqi e kishin atë tabllon e plotë sepse ata shikonin dhe interesat e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi. Pastaj dhe përpjekjen për të shkëputur Serbinë nga Millosheviqi e për ta demokratizuar. E krejt në këtë sfond ai gjithmonë thoshte që interesi ynë realizohet në bashkërendim dhe partneritet me amerikanët”.

Ai konsiderohej si një lider që avokonte për paqe, ndërsa mori pjesë edhe në konferencën e Rambujesë. Bashkë me të ishin edhe krerët e UÇK-së.

Në Kosovë atë botë ishin dy zgjidhje, besimi ideologjik i Rugovës për paqe dhe ai i UCK-së, për të bërë luftë frontale me armikun.

Dokumentar i realizuar nga Kaltrina Zymberi.

 

Shija e redaktorit

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur...

Të fundit nga rubrika