Dokumentari “I am Greta” i paraparë të transmetohej të shtunën në amfiteatrin në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë është zhvendosur për transmetim në Kino Armata.
Blin Berdoniqi, nga UNDP Kosovo, i ftuar në emisionin “Shpirti i Vikendit” me Drilona Shala në Radio Dukagjini, bëri me dije se lokacioni u ndërrua si shkak i ndryshimeve atmosferike.
“Dokumentari do të transmetohet në 20:15 ashtu siç ishte planifikuar mirëpo nga informacionet për ndryshimet e motit dhe paralajmërimet për reshje shiu vendosem qe te transmetohet ne Kino Armata, ku mirëpresim gjithë të interesuarit të marrin pjesë” – tha ai
Dokumentari që zgjat rreth 1 orë e 30 minuta ka në fokus jetën dhe aktivizimin e Greta Thumberg në ngritjen e çështjes klimatike.
Shfaqja e filmit është pjesë e projektit Climate Promise të financuar nga Qeveria Japoneze që në Kosovë vjen në bashkëpunim mes UNDP Kosovo dhe DokuFest në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Tokës.
Deri tani ky dokumentar është transmetuar në disa qytete të Kosovës. Transmetimet e radhës do të jenë me 27 qershor në Mitrovicë dhe 28 qershor në Kamenicë.