Në katër ndeshjet e zhvilluara – Kosova fitoi dy herë, dhe pësoi dy herë, e të dyja herë ishte Greqia ajo që mposhti dardanët.
Në mesin e uljeve dhe ngritjeve, komenteve për selektorin Alain Giresse, lëvdatat dhe kritikat për futbollistët e ndryshëm – ishte një faktor i përbashkët për të cilin jehohet opinion i njëjtë, Donat Rrudhani.
Debutimin me Kosovën e kishte më 8 qershor të vitit 2021, në ndeshjet miqësorë që ekipi ‘B’ i dardanëve i zhvilloi kundër Guinesë dhe Gambisë.
Gjithë jetën e tij, Rrudhani ka luajtur për ekipe nga Zvicra, duke filluar nga kategoritë më të ulëta e tanimë duke arritur te një ndër skuadrat dominuese të këtij shteti, Young Boys.
Po, pikërisht Young Boys që gjatë viteve të fundit ka arritur që në kompeticionin më elitar për klube, Champions League, të mposht skuadra elitare si Manchester United dhe Juventus.
23-vjeçari premtues, në ndeshjet me Kosovën ngjalli një ndjenjë talenti që në Kosovë, pak është parë që nga pranimi në FIFA dhe UEFA.
Ndoshta deri më 9 qershor, pak e kishin idenë se çfarë ofron Rrudhani – mirëpo 70 minutat në fushë në atë ditë, i bën të gjithë të pyesin se “ku ishte më herët Donati”?
Ishte shprehur që për Kosovën “është i gatshëm të luaj çdo pozitë”, dhe këtë e vërtetoi kur kundër Irlandës së Veriut e nisi si mbrojtës i krahut të majtë, dhe luajti sikur ajo të ishte pozita e tij natyrale.
Për tifozët e futbollit modern, sidomos ata të skuadrës së Milan, Rrudhani nga ajo pozitë iu kujtonte sadopak futbollistin Theo Hernandez.
Eksploziv në vrapime, i ashpër në duele, i saktë në pasime dhe lexues shumë i mirë i hapësirave dhe kohës së duhur për të bërë lëvizjen vendimtare, Rrudhani tregoi që për Kosovën është e ardhmja.
E njëjta ndodhi edhe me Greqinë në Volos, edhe pse luajti vetëm 45 minuta dhe tani në pozitën e tij të preferuar, numri 11 ishte i vetmi që prodhoi diçka në një ndeshje ku mesfusha e Kosovës nuk erdhi shumë në shprehje.
Askush nuk e kuptoi se pse Rrudhani nuk zbriti në fushë për pjesën e dytë, por për këto pak më shumë se 110 minuta që luajti në muajin qershor, të gjithë shpresojnë që herët tjera ai do të jetë në tapetin e gjelbër për 90 minutat e plota.
Te Aarau, Rrudhani e mbylli sezonin paraprak me 10 gola e 12 asistime në mesfushë, duke qenë mesfushori i vetëm në elitat zvicerane që ka arritur shifra dyshifrore edhe në gola edhe në asistime.
Tani, xhehaviri i Kosovës – me talentin e tij do të shpresojë që të ngjisë Young Boys-in në piedestalin e futbollit zviceran përsëri.
Për Donat Rrudhanin, Kosova është shumë me fat, e me të tjerë si Rrudhani – shpresojmë që të përzgjedhurit tanë ta bëjnë të mundshme që himni i Kosovës të dëgjohet në kompeticionet më madhore të futbollit.