Donjeta Dragusha është emëruar drejtoreshë për Zhvillim Rural në komunën e Prishtinës.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Abdixhiku ka thënë se në procesin e fundit zgjedhor të LDK-së, Dragusha është zgjedhur kryetare e Degës së Parë në Prishtinë. Ai është shprehur se duke e njohur nga afër, është i lumtur për të, “si shembull i aktivizmit e si model për vajza të reja në veprim politik e në shërbim publik”.
“Donjeta i bashkohet Jehonës e Sibelit, në detyrat e sapomarra, si tri gra – të pavarura, profesioniste e me integritet. Ato rreth vetes kanë gjetur e do të gjejnë një ekip të dalluar qeverisës; gjersa para vetes kanë detyra sa fisnike aq dhe me pritje të mëdha; në arsim, kulturë e bujqësi; ky qytetarët presin, ku qytetarëve duhet t’u shërbejmë me plot vullnet e pastërti”, ka shkruar kreu i LDK-së.