Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim që 83 lëndë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë të barten në gjykatat e tjera themelore të Kosovës.
Lëndët në fjalë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, janë bartur në Gjykatat Themelore në Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lajmi është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sipas KGJK-së, në këtë bartje janë përfshirë të gjitha natyrat e rasteve gjyqësore, duke përjashtuar rastet e krimeve të luftës.
Ndërsa, në lidhje me periudhën e bartjes së lëndëve në fjalë, KGJK ka njoftuar se do të bëjë një analizë lidhur me ngarkesën e lëndëve dhe numrin e gjyqtarëve në gjykatat dhe departamentet e caktuara, ku lëndët janë bartur, dhe do të veprojë sipas nevojës.
Ndryshe, pas dorëzimit të dorëheqjeve nga gjyqtarët e komunitetit serb të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kjo e fundit në bashkëpunim me KGJK-në kanë krijuar planin e përkohshëm të veprimit, pas rrethanave të krijuara.
Ky plan i përkohshëm i veprimit për vazhdimin e punës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degët e saj, përmban disa pika, duke përfshirë edhe identifikimin e lëndëve për bartje në gjykata të tjera.
Në lidhje me pikën e identifikimit të lëndëve për bartje në gjykatat e tjera, nënkryetari Bekim Veliqi kishte thënë se kanë marrë mbështetje nga të gjitha gjykatat e Kosovës.
Ndërsa, Lumnije Surdulli, administratore në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka thënë se kanë krijuar një komision për regjistrimin e lëndëve, me të cilat, kanë qenë të angazhuar gjyqtarët serbë.
Kështu, lëndët me të cilat kanë qenë të angazhuar gjyqtarët serbë, janë ndarë dhe caktuar te gjyqtarët shqiptarë.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe të punësuarve të tjerë nga radhët e komunitetit serb, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga 7 nëntori 2022 e deri më tani është 144, prej tyre 25 gjyqtarë dhe 119 të punësuar të tjerë.
Kurse, sipas Raportit Statistikor të Gjykatave të Republikës së Kosovës, publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2022, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë numri i përgjithshëm i lëndëve në punë, i lëndëve në pritje në fillimin e vitit 2022 dhe lëndëve të pranuara gjatë vitit 2022 është 17 mijë e 102 lëndë.
Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë si dhe në Divizionin e Apelit në veri të Mitrovicës, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), më 7 nëntor 2022.
Ky largim i tyre dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.
Më 23 nëntor 2022, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për targat, sipas së cilës, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të veturave, kurse Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emra të qyteteve të Kosovës.
Pasi ishin dorëhequr edhe kryetarët e komunave veriore, ishin shpallur zgjedhjet lokale, të cilat më vonë ishin shtyrë. Pastaj, ishte arrestuar ish-polici Dejan Pantiq, si i dyshuar për sulm ndaj Komisionit Komunal Zgjedhor. Një pjesë e serbëve kishin vendosur barrikada nëpër rrugët e veriut të Kosovës.
Mirëpo, largimi i barrikadave të vendosura më 10 dhjetor, kishte nisur më 29 dhjetor, pasi ish-polici i dyshuar për terrorizëm, Dejan Pantiq, u lirua nga paraburgimi dhe iu vendos masa e arrestit shtëpiak.
Pas gjithë ngjarjeve që shoqëruan veriun e Kosovës muajt e fundit, rikthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës ende nuk ka ndodhur.
Kështu, dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga pozitat e tyre, kanë rënduar tejmase gjendjen edhe ashtu të rënduar të gjyqësorit kosovar/Betimi për Drejtësi.