Që nga shtatë nëntori i vitit të kaluar, puna në Gjykatën Themelore të Mitrovicës po zhvillohet pa kapacitete të plota.
Prej asaj kohe, gjyqtarët serbë nuk kanë dalë në punë, por pavarësisht kësaj, akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse ata do t’u kthehen përsëri detyrave të dikurshme.
Kërkesat e tyre të dorëheqjes, po vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Ne nuk mund të shpallim vende të lira për gjyqtarët pa aprovuar dorëheqjet e tyre. Pra do të kemi procesin e dorëheqjes, pastaj zëvendësimin e tyre. Pra, shtimi i kapaciteteve nuk nënkupton që janë zëvendësuar gjyqtarët” ka thënë kryetari i KGJK-së, Albert Zogaj.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka treguar se kanë nisur ndërmarrjen e procedurave disiplinore.
“Kanë filluar procedurat disiplinore ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe stafit që kanë qenë të përfshirë në aktivitete politike që bijnë ndesh me përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese dhe me etikën e gjyqtarit dhe të gjithë do të marrin përgjegjësi, edhe në situatën kur ne do të aprovonim të gjitha dorëheqjet, disa nuk do të aprovoheshin nga shkaku që disa duhet potencialisht të marrin masat disiplinore përkatëse”, shtoi Zogaj.
KGJK-ja tash e disa muaj ka nisur rekrutimin e gjyqtarëve të rinj.
Mes tyre, disa prej kandidatëve janë nga komuniteti serb.
Mirëpo, atyre do t’u duhet kohë deri të nisin punën.
“Të njëjtit duhet të kalojnë përmes trajnimit në Akademinë e Drejtësisë që është së paku një vit. Kështu që në skenarin më të mirë, nëse këta gjyqtar dekretohen si të themi më 1 mars të këtij viti, para 1 marsit të vitit 2024 nuk mund t’iu ndahen rastet në punë”, ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.
E avokati Musa Damati pret që situata e krijuar të zgjidhet shpejtë, pasi për të dhe kolegët e tij janë krijuar shumë vështirësi.
“Është një kohë jashtëzakonisht e vlefshme e cila konsiderohet si e humbur, pastaj janë shpenzimet e jashtëzakonshme të cilat kanë karakterizuar procedurën penale dhe patjetër që janë afektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë avokati Damati.
Deri tani, Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë disa veprimet për situatën e krijuar në Themeloren e Mitrovicës, mes tyre duke i transferuar disa lëndë tek gjyqtarët shqiptarë.