Një person i cili dyshohet për tentim vrasje, këtë të mërkurë, është dorëzuar tek autoritetet policore.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke thënë se rasti i vrasjes në tentativë ka ndodhur në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
I dyshuari për këtë rast është mashkull i moshës 32 vjeç me inicialet G.B.
“Pas një pune intenzive hetimore, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ka arritur që të identifikojë personin e dyshuar, lidhur me rastin vrasje në tentativë. Rasti ka ndodhur me datën 06.10.2022 në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Kërkimet e vazhdueshme për arrestimin e tij, nga ana e policisë dhe ftesat për paraqitje, kanë bërë që personi i dyshuar, -G.B, mashkull 32 vjeç, sot të paraqitet në polici”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, personi i dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.