Plane disa mujore, biseda me disa persona jashtë Kosovës, emra të koduar, planifikim për vrasje të disa shokëve të klasës së tij në një shkollë në Pejë, janë disa prej çështjeve të cilat janë përmendur në dosjen e Prokurorisë Speciale të cilën ka arritur që ta sigurojë Kallxo.com për kërkesën e paraburgimit ndaj të miturit.
16-vjeçari i arrestuar të shtunën, po dyshohet për planifikim të veprave terroriste dhe veprave penale kundër rendit kushtetues.
I mituri sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale planin e ekzekutimit pretendonte ta kryente në fund të këtij muaji.
Dosja flet edhe për prova të cilat inkriminojnë të miturin e që janë mbledhur në rrjete sociale.
Gjithashtu përmenden biseda dhe nxitje nga persona të tjerë që jetojnë jashtë Kosovës.
Të gjitha këto janë zbuluar gjatë disa bisedave që i mituri dyshohet se ka kryer përmes rrjeteve sociale me disa persona të tjerë e të cilëve ua kishte treguar planin.
Prokuroria ka në dorë dëshmi të rrjeteve sociale të cilat dyshohet se i mituri i kishte postuar, siç janë armë, e më pas edhe një skicë me planin e kryerjes së vrasjeve te cilën e kishte ndarë me tashmë persona të tjerë që dyshohet se e nxitën të njëjtin.
I dyshuari 16-vjeçar është arrestuar dje pas një operacioni të gjerë të zhvilluar dje nga Policia e Kosovës.