Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë (DHSK), Michael Doyle, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, nuk mund të gjykohen në liri për shkak të rrezikut të arratisjes e pengimit në drejtësi.
Duke folur për kërkesën e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për gjykim në liri, Doyle ka thënë se ekziston rreziku që i akuzuari mund të “kryejë krime tjera”.
Ai ka thënë se trupi gjykues e ka parë të arsyeshme ta refuzojë kërkesën për shkak të pengimit të drejtësisë.
“Trupi gjykues çdo dy muaj duhet të vlerësojnë nëse arsyet justifikojnë dënimin e të akuzuarit, ato duhet te vlerësojnë nëse ekziston rreziku se personi do të arratiset, nëse do të pengojnë drejtësinë ose rrezikojnë që i akuzuari të bëjë krime tjera, të gjitha këto rishikime bëhen çdo dy muaj. Deri tani trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku i pengimit te vazhdimësisë dhe mundësisë për krime tjera. Ka pasur indikacione, të dhëna që disa gjëra janë komunikuar në dhomën e dënimit për dëshmitarë të mbrojtur dhe deri më tani gjykatësit thonë se rreziku që i akuzuari mund të pengojë procesin dhe të kryejë krime tjera”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, sa i përket zgjatjes së këtij procesi gjyqësor, Doyle është arsyetuar se afati është deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Unë nuk do të doja të jepja një vlerësim nëse procesi i Gjykatës është duke shkuar ngadalë, por ajo çka ne e dimë është që rastet vazhdojnë tash e 13 muaj dhe përgjatë këtyre 13 muajve, Paneli Gjykues po ripërsërit kërkesën e tij drejt palëve, duke u kërkuar atyre të mbajnë konferenca, të përshtatin dhe të iniciojnë ligje të reja, të cilat për qëllim kanë një gjykim jo vetëm më të drejtë dhe më të saktë, por edhe një gjykim sa më të shpejtë të mundshëm. Prokuroria më herët ka dhënë një afat deri në prill të vitit 2025 për prezantimin e rastit të tyre dhe gjykatësit kanë ndërmarrë hapa së bashku me palët se si të vazhdojnë sa më shpejt të mundën”, ka thënë Doyle.
Zëdhënësi i DhSK-së nuk është treguar optimist se ky proces do të përfundojë në vitin 2025, por që kanë kërkuar përshpejtim në marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
“Nuk do të doja të spekuloja rreth kësaj, por ajo çka kemi dëgjuar së fundmi gjatë kësaj jave në sallën e gjyqit, kemi dëgjuar gjykatësit duke pyetur nëse dhe si po planifikojnë te përfundojnë rastin e tyre përgjatë këtij afati dhe kemi dëgjuar prokurorinë, duke thënë se ende janë duke punuar drejt afatit të dhënë për prill të vitit 2024, por ata gjithashtu kanë thënë se kanë kërkuar reduktimin dhe përshpejtimin në ecjen e dëshmive”, është shprehur ai.
I pyetur nëse gjatë këtij procesi ka prani të dëshmive nga pala serbe, Doyle është arsyetuar se Prokuroria e Gjykata janë të ndara.
Ai ka thënë se është Prokuroria ajo që mundohet t’i gjejë provat dhe ta bindë gjykatën për një proces të tillë.
“Mënyra se si provat dhe dëshmitë funksionojnë është që Prokuroria që është e pavarur nga Gjykata është neutrale. Prokuroria heton dhe mundohet të gjejë fajtorin, mbrojtja mundohet të tregojë që Prokuroria nuk ka paraqitur si duhet provat dhe gjykata është në mes andaj ajo gjykon vetëm nëse provat janë te vlefshme autentike relevante për rastin por është prokuroria ajo që sjell provat në Gjykatë”, u shpreh ai./EO