Sheshi dhe pjesë të tjera të qytetit të Mitrovicës së Veriut, të premten vonë të katër nëntorit janë ‘stolisur’ me flamuj të Serbisë.
Ky veprim simbolik është ndërmarrë para protestës të thirrur për të dielën nga ana e Listës Serbe, pas shkarkimit të shefit të Policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës së Veriut.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, kishin njoftuar se të shtunën e pesë nëntorit do të mbajnë një takim me përfaqësuesit serb në institucione të Kosovës, ku do të shqyrtojnë mundësinë për bojkotim dhe largim nga institucionet e Kosovës.
Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
“Kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Pas vendimit, të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Gjuriq ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirgjestrimin e automjeteve që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka treguar se deri kur do të zgjasë bojkotimi institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb.
“Këto vendime do të mbesin në fuqi derisa Prishtina vazhdon të mos respektojë të drejtën ndërkombëtare, që i bie të kthejë prapa vendimin për regjistrimin, derisa të miratojë Asociacionin e Komunave”, ka thënë Goran Rakiq.
Reagimet e krerëve të institucioneve të Kosovës
Pas këtij vendimi, pati reagime të shumta nga krerët e institucioneve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e pesë nëntorit, ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.
Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.
“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.
“Nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës e ka konsideruar vendimin e Listës Serbe si kërcënim nga ana e Beogradit dhe përgatitje për destabilizim të Kosovës.
Edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke shtuar se një frikësim i tillë nuk do të funksionojë, ka thënë se “me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet Kosova, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit, për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”.
Po ashtu, ai ka deklaruar se detyrimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar, madje edhe përkohësisht, nga institucionet e Kosovës, sipas tij, duket të jetë një përpjekje e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për të minuar progresin dhe iniciativat e fundit në lidhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Reagime pati edhe nga krerët e partive opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se situata gjatë ditës së shtunë në veri të vendit shënon një akt të paprecedentë, jo vetëm të dënimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe cenimin e rendit publik.
“Zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedentë, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim”, ka thënë ai.
Krasniqi ka ngritur shqetësimin e tij duke thënë se “Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”.
Në kuadër të zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Kosovës i duhet udhëheqje e matur, e cila “nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”.
Në njoftimin e Zyrës për Informim të LDK-së, thuhet se politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare.
“LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi, ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të LDK-së.
Sipas LDK-së, moskoordinimi me aleatët ndërkombëtarë nga institucionet e vendit, i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese në territorin e Kosovës. Mes tjerash, LDK ka theksuar se pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njoftimit të Listës Serbe për bojkotim të institucioneve të Kosovës, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të reflektojë.
“Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërpresë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërpresim ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, ka shkruar Haradinaj, në rrjetin social Facebook.
Po ashtu, ai ka ftuar banorët në veri të vendit për përmbajtje dhe qetësi.
Haradinaj ka shtuar se me Këshillin e Përgjithshëm të Aleancës, riafirmuam vendosmërinë për mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës dhe orientimin proamerikan.
Ndërkaq, Lista Serbe, ka ftuar të gjithë serbët e Kosovës që të dielën e gjashtë nëntorit të mblidhen në Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar në Mitrovicë.
Kjo mbledhje do të nisë në orën 12:00, para përmendores së perandorit Llazar.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë nga Lista Serbe ku thuhet se gjatë kësaj mbledhjeje do të ngritet zëri duke thënë se “vendi ynë i vetëm është Serbia”.
“Vëllezër e motra, le të mblidhemi të gjithë nesër në kuvendin e përgjithshëm kombëtar në Mitrovicë në ora 12 para përmendores së perandorit Llazar, nga ku do t’i themi Evropës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq! Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Reagimi i BE-së
Bashkimi Evropian, ka deklaruar se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale.
Sipas njoftimi të BE-së, ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Në këtë njoftim thuhet se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, vijon njoftimi.
BE-ja gjithashtu i ka bërë thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.
Disa persona të maskuar dhe të armatosur janë filmuar të shtunën e pesë nëntorit në Veri të Kosovës.
Në sfond të pamjeve të publikuara nga “Istraga”, dëgjohen të shtëna armësh.
Po ashtu, këta persona të panjohur dëgjohen teksa thërrasin më zë të lartë se “jemi kthyer, Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.
“Persona të maskuar të armatosur me automatikë janë filmuar sonte në veri të Kosovës. Në sfond dëgjohen të shtëna armësh, ndërsa burra të panjohur thonë – “Jemi kthyer”. Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.
“Për Istarag u konfirmua se janë dëgjuar të shtëna armësh në afërsi të vendit ku është xhiruar video”, thuhet në një postim në Twitter të mediumit “Istraga”.
Maskirani muškarci naoružani automatskim puškama večeras su snimljeni na sjeveru Kosova. U pozadini se čuju rafali dok nepoznati muškarci govore – “Vratili smo se. Kosovo je Srbija, Krim je Rusija”. Za @IstragaB je potvrđeno da su se čuli rafali u blizini mjesta nastanka snimka pic.twitter.com/KhXmZiCyYO
— Istraga.ba (@IstragaB) November 5, 2022
Portali Dukagjini ka pyetur policinë e Kosovës për informacione të mëtejshme, por zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar se nuk ka ndonjë të dhënë.
Ndërkaq, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në tri faza.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Kurti ka thënë se deri më pesë nëntor, autoritetet kanë lëshuar 843 letra qortuese dhe se nuk ka pasur asnjë incident gjatë procesit.
Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.
Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më një shtator.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.