Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovë”, në kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun, ka thënë se autor i propozimit franko-gjerman është i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas tij, Gjermania dhe Franca qëndruan pas planit si sponsorizues.
Megjithatë, Dreçun ka theksuar se ky plan është i papranueshëm për Serbinë.
“Sepse do të thotë që Beogradi praktikisht duhet ta njohë Kosovën, para se të diskutohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të zhdukurit dhe për të gjitha problemet e tjera të pazgjidhura”.
Ai beson se stërvitja e paralajmëruar nga KFOR-i në Novosellë “mund të maskojë një operacion për largimin e barrikadave”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe “konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur se më 16 dhjetor, e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor, në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, gjatë muajit dhjetor.