Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka thënë se gjatë vitit të kaluar është shënuar rritje e qarkullimit të deklaruar në ATK nga ana e këngëtarëve dhe grupeve muzikore.
Sipas tij, bazuar në planin që ka vepruar ATK-ja, qarkullimi i deklaruar i kësaj pjese të tatimpaguesve nga 10 milionë euro ka arritur deri në 20 milionë euro, ndërsa sa i përket pagesave të tatimit, Murtezaj ka thënë se ka pasur rritje nga rreth 800 mijë euro në rreth 2 milionë euro nga kategoria e këngëtarëve dhe grupeve muzikore.
“Nuk e kisha quajtur fushatë, ky është një aktivitet. Ka qenë në të kaluarën një aktivitet i ATK-së që e ka trajtuar, mirëpo vitin e kaluar përmes projektit, ne e dimë që ka pasur një fokus më të theksuar të monitorimit të realizimit të të hyrave nga ana e kësaj kategorie të bizneseve. Në të njëjtën kohë të detyrimeve që ata kanë pasur dhe kanë në raport me pagesën e tatimeve. Si rezultat i atij plani specifik të monitorimit, është arritur që gjatë vitit të kaluar të shënohet një rritje e qarkullimit të deklaruar nga ana e tyre, nga 10 milionë në mbi 20 milionë euro, apo diku mbi 100 për qind. Po ashtu, edhe pagesa e tatimeve ka pasur një rritje nga rreth 800 mijë euro në rreth 2 milionë euro nga kjo kategori e këngëtareve dhe grupeve muzikore”, ka thënë ai, shkruan EO.
Murtezaj ka thënë se ka pasur raste ku këto grupe nuk kanë deklaruar saktë të hyrat e tyre, dhe, përmes kontrolleve, ATK-ja është duke bërë vlerësimin e tyre.
“Përkundër kësaj rritjeje, të dhënat tona tregojnë se në raste të caktuara ka këngëtar të caktuar, grupe muzikore, të cilat nuk kanë raportuar saktë të hyrat e tyre, dhe ne tani përmes kontrolleve jemi duke i bërë vlerësimet tatimore, vlerësime këto që po prodhojnë rezultate”, ka theksuar ai.
Murtezaj ka thënë se dy muajt e parë të këtij viti janë mbledhur rreth 150 milionë euro, që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas tij, është një rritje mbi 19 për qind e të hyrave tatimore.
“Për dy muajt e parë të këtij viti, janë mbledhur rreth 150 milionë euro, që nëse e shohim në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi një rritje mbi 19 për qind të hyrave tatimore. Kjo rritje po vazhdon të ketë një trend të njëjtë pothuajse një rritje të vazhdueshme për rreth 20 për qind të të hyrave me periudha të njëjta të viteve paraprake. Kjo është një indikator pozitiv, i cili tregon një performancë të suksesshme të ATK-së”, është shprehur ai.
Murtezaj ka theksuar se në rastet kur identifikohet një nëndeklarim apo shmangie tatimore, përveç ndëshkimeve administrative që merren, në të njëjtën kohë procedohen për çështje penale kur ka një shmangie, një vlerë më të lartë.
“Asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është fokusi i ATK-së të gjobitet askush”, ka deklaruar ai. /EO