Drejtori i FBI-së, Wray thotë se do të japë dorëheqje para kthimit të Trumpit

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray thotë se synon të japë dorëheqjen përpara mandatit të dytë të presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Christopher Wray

Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, ka thënë të mërkurën se do të japë dorëheqje para se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën muajin e ardhshëm.

Wray e bëri të ditur këtë gjatë një takimi të brendshëm të FBI-së të mërkurën.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shfaqur dëshirën për ta zëvendësuar Wrayn me Kash Patelin.

Wray, i cili ishte nominuar nga Trumpi më 2017 për të shërbyer për një mandat 10-vjeçar, është përballur me kritika viteve të fundit nga republikanët, për shkak të hetimeve që FBI-ja i kreu ndaj Trumpit pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Duke dhënë dorëheqjen në vend se të presë shkarkimin, Wray po përpiqet ta shmangë ndonjë përplasje me administratën e re të Trumpit, e cila, sipas tij, do ta kishte përfshirë FBI-në “edhe më thellë në konflikt”.

“Qëllimi im është ta mbaj përqendrimin te misioni ynë — që është puna e domosdoshme që ju bëni çdo ditë në emër të popullit amerikan”, u tha Wray punonjësve të FBI-së.

“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zhytjen e byrosë më thellë në konflikt, duke forcuar vlerat dhe parimet që janë kaq të rëndësishme për mënyrën si e kryejmë punën tonë”, shtoi ai.

Trump e kishte bërë të qartë zemërimin e tij me Wrayn në disa raste.

Në një intervistë rishtazi për programin “Meet the Press” të NBC-së, Trump tha: “Nuk mund të them se jam i kënaqur me të. Ai pushtoi shtëpinë time”, duke iu referuar bastisjes së FBI-së në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, dy vjet më parë në lidhje me rastin e dokumenteve të klasifikuara nga mandati i tij i parë si president.

Por, Wray rrallëherë dukej se përpiqej të përballej publikisht me Shtëpinë e Bardhë./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika