Drejtori i Shkollës Finlandeze në Kosovë, Janne Salmela, ka thënë se njëra nga formulat kryesore e suksesit të arritur të Finlandës në testin PISA ndër vite është se nxënësit në këtë vend nuk mësojnë për teste, por për jetën dhe se çdo ditë ata mësojnë njohuri të përgjithshme të mendimit kritik apo edhe zgjidhjes së problemeve.
I ftuar tek emisioni “Reload”, drejtori i shkollës finlandeze theksoi se nxënësit finlandez në përditshmërinë e tyre në shkolla nuk angazhohen me teste, por me mësime që fokusi kryesor është jeta dhe nuk janë librat apo ligjerimet ato që e mësojnë, por angazhimi praktik sjell edukim te ta.
Se çka e dallon sistemin e edukimit finlandez nga vendet e tjera, drejtori i shkollës, Janne Salmela tha se praktikimi dhe angazhimi i asaj që kanë mësuar nxënësit duke bërë eksperimente është arsyeja kryesore e dallimit nga vendet e tjera.
“Faktori i parë që nxënësit mësojnë të bëhen gati për jetë dhe faktori i dytë që nxënësit të jenë të lumtur. E rëndësishëm që nxënësit të mësohen për jetë, të jenë të përgatitur për fushat e ndryshme, të jenë aktiv vazhdimisht në mësimin e tyre, të jenë praktik në mësimin e tyre, të bëjnë eksperimente. Të mos mësojnë jo vetëm nga librat apo mësimdhënësit, por të mësojnë edhe nga eksperimentet dhe praktikat në përditshmëri. P.sh nëse ti dëgjon diçka, ti mund të harrosh atë, por nëse ti je i angazhuar në mësimin, je duke praktikuar, ti je duke u edukuar”, shtoi ai.
Salmela theksoi se edhe vetë shteti i Finlandës ka qenë “i habitur” se si nxënësit e tyre në paraqitjen e parë në testin PISA kanë qenë të parët në rezultat.
“Nxënësit në Finlandë nuk janë mësuar të mësojnë për teste, dhe prapë ishin në vendin e parë. Interesante se si sistemi i edukimit në Finlandë sjell rezultate sepse nxënësit mësojnë për tërë jetën. Ato aftësitë që nxënësit mësojnë çdo ditë në shkollë, i kanë sjellë në nivelin e parë botërisht. Ato që i mësojnë në shkollë janë si leksion i përgatitjes për jetën. Aftësitë që PISA I ka testuar janë ato psh: njohuri të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve.. janë ato që i mësojnë çdo ditë”, ka theksuar ai.
Ndërsa, aktualisht Salmela theksoi se Finlanda po punon shumë që ta ruajë vendin aktual sa i përket rezultateve botërore në fushën e arsimit.
Ndryshe, të martën e pesë dhjetorit 2023 janë publikuar rezultatet e testit të “PISA 2022”, ku Kosova është renditur në pozitën e 76-të për lexim me 342 pikë në total, në vendin e 77-të për shkencë me 357 pikë dhe në vendin e 74-të me 355 pikë për matematikë nga 80 vende të botës si pjesëmarrëse.
Dhe rreth këtij rezultati të dobët të paraqitur nga nxënësit në testin “PISA 2022” dhe pa ndonjë përmirësim të theksuar, të ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini janë: Gramos Buçinca nga ORCA, Zoja Konjufca-mësimdhënëse, Sejdi Gashi-mësimdhënës universitar si dhe Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.
Gramos Buçinca ka komentuar rezultatet e “PISA 2022” dhe deklaratën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke thënë se pozicionimi i vendit tonë pothuajse në fund të listës së 80-pjesëmarrësve është diçka e papranuar.
Madje, Buçinca ka theksuar se “rezultate më të dobët nuk ka pasur në historinë e Kosovës” dhe “nëse qetash nuk është momenti që qeveria me qitë arsimin në prioritet të parë, atëherë kur ka me qenë e gatshme me paraqitë suksese, pas më shumë se 24 vjet çlirim nga lufta e fundit”.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit i nevojitet një “front i përbashkët” në mes të ekspertëve të MASHT-it, ekspertëve të tjerë të vendit si dhe SBASHK-ut me përfaqësues të prindërve.
“Duhet të bëhet një front i përbashkët mes ekspertëve të MASHT-it, ekspertët e tjerë, SBASHK-u dhe përfaqësues të prindërve. Nëse bëjmë me gisht andej-këndej për të gjetur fajtorin, frika ekziston se mos del Kosova sikurse herave të kaluara. Askush nuk ndjehet mirë me këtë rezultat të publikuar. Duhet të ulemi dhe të bëjmë përpjekje që të mos fyhet epiteti ‘mësues’.”, ka shtuar Jashari.
Sipas Jasharit, nevojitet digjitalizimi i objekteve arsimore dhe jo të kemi metodën e “shkumësit dhe shpuzës”, dhe një “kurrikulë që nuk është e analizuar si duhet”.