Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për mospunë dhe papërgjegjësi, duke theksuar se “lehtë është të vish në pushtet e të mos bësh asgjë”.
Dreshaj ka thënë se kur je në pushtet duhet të ballafaqohesh me përgjegjësi.
“Lehtë është të vish në pushtet e të mos bësh asgjë. Kur merrni mandat me qeverisë një shtet aty ka vendime të mira dhe të këqija. Aty duhet të ballafaqoheni me përgjegjësi. Unë mendoj që kjo qeveri ka përgjegjësi në raport me miqtë tanë, në raport me qytetarët, në raport me shtetin e Kosovës, që t’i përmbushë obligimet që i dalin brenda segmentit të Kushtetueses”, ka thënë Dreshaj në “FIVE” të Dukagjinit.
Duke komentuar draft-statutin e Asociacionit, Dreshaj ka bërë apel që të mos krijohet pushtet paralel.
“Çka unë bëj apel është që të mos krijohet pushtet paralel, Kosova të jetë shtet funksional, të mos preket siguria dhe kufijtë e vendit”, ka shtuar Dreshaj.
Më tej, Dreshaj ka komentuar edhe raportimet e fundit në media se Qeveria e Kosovës pret që vetëqeverisja lokale në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.
Më tej, ai ka treguar se pse nuk është abuzuar deri më tani ky vendim, duke theksuar se “kemi ministra që janë shpallur të gabueshëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, por “ende sa të vazhdojmë postin e ministrit”.
“Nuk është zbatu, pasi nuk është vendim i lehtë që të zbatohet, pra do të thotë është vendim i ndishëm, por përherë e parë e kemi një Qeveri, e cila ka një mazhorancë të vetën, pra do të thotë nuk është praktikisht nuk i nevojiten numra dhe askujt tjetër, pra do të thotë kur vini në qeverisje ju duhet të merrni jo vetëm vendime të lehta…”, ka thënë Dreshaj.
“Vendimet të cilat i merr Gjykata Kushtetuese, unë mendoj që janë obligative për vendin dhe që ato po mirën, për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e vendit”, ka shtuar deputeti i AAK-së.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përsëritën në disa raste se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, legalizoi një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit “toka iu dhurua Manastirit”.