Loredana Hodosan dhe Narcis Andrei, kanë ardhur nga Barcelona në Tiranë, në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Nënë e bir nga Spanja, këtu i solli koncerti i këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa.
“Këtu në Tiranë sot jemi vetëm për Dua Lipën. Sepse është këngëtarja më e mirë, unë e dua shumë atë. Këtu kam ardhur me djalin tim…” ka thënë Loredana Hodonsan , ndërsa djali i saj, Narcis Andrei tha “Ne jemi shumë të emocionuar që do ta shohim atë. Janë bërë shumë vite që e dëgjojmë muzikën e saj dhe ne kur dëgjuam për këtë koncert, që ajo do të jetë në Evropë dhe për më shumë koncerti do të jetë falas, nxituam menjëherë”.
Shqipëria atyre u ka lënë përshtypje të mira.
“Mua më ka pëlqyer mjaft vendi. Është një mënyrë tjetër e jetesës këtu, sepse është ndryshe nga vendet evropiane. Njerëzit duken shume të mirë”, ka thënë Hodonsan, turiste nga Spanja.
Sikur ta, për Dua Lipën në Shqipëri ka ardhur edhe turisti nga Danimarka, Hans Christian Jensen.
“Jam një fans i madh i Dua Lipës. Përveç këtu, kam qenë edhe në Kosovë, në SunnyHill”, ka thënë Hans Chirstian Jensen, turist nga Danimarka.
Në Tiranë, të hënën janë parë edhe shumë turistë të tjerë nga vende të ndryshme evropiane.
Por përveç kryeqytetit që ka në agjendë këtë aktivitet që ka mbledhur turistë nga shumë vende, edhe qytetet e tjera, në mënyrën e tyre shënuan 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Organizimet për 110 vjetorin e pavarësisë nisën zyrtarisht që nga e diela, me aktivitetin kryesor që u mbajt në Kuvendin e Shqipërisë, që zhvilloi mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.