Dua Lipa, këngëtarja me prejardhje nga Kosova, është njëra nga emrat që kanë arritur të fitojnë nominime për çmim “MTV Video Music Awards”.
Përpos Dua Lipës, artisti tjetër britanik që është nominuar për çmimin “MTV Video Music Awards” është edhe Sam Smith.
Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, këtë vit garon për çmimin “MTV VMA” me këngën, “Dance The Night”, e cila shërbeu si kolonë zanore e filmit “Barbie”.
Nominimet e saj vijnë në kategoritë “Kënga më e mirë pop”, ku konkurron krahas artistëve, Demi Lovato, Ed Sheeran, Miley Cyrus, Olivia Rodrigo, Taylor Swift dhe Pink, si dhe “Koreografia më e mirë”.
Smith, i cili bashkëpunoi me Kim Petras në realizimin e hitit “Unholy”, arriti të nominohet në katër kategori përfshirë këtu çmimin kryesor, “Videoklipi më i mirë i vitit”, ku garon krahas artistëve, Doja Cat me këngën “Attention”, Miley Cyrus me “Flowers”, Nicki Minaj me “Super Freaky Girl”, Olivia Rodrigo me “Vampire”, SZA me “Kill Bill” dhe Taylor Swift me “Anti-Hero”.
“Unholy” po ashtu ka marrë nominim në kategorinë “Kënga më e mirë e vitit”, ku ballafaqohet me një konkurrencë goxha të fortë si hitet, “Flowers”, “Kill Bill”, “Anti-Hero”, “Calm Down” dhe “Bad Habit”.
Dy nominimet tjera i ka për “Regjinë më të mirë” dhe “Efektet më të mira vizuale”.
Edhe Ed Sheeran është nominuar në gjithsej dy kategori e këngën e tij emocionale, “Eyes Closed”, e frymëzuar nga vdekja e mikut të tij të afërt, Jamal Edwards. Ai garon në kategoritë “Kënga më e mirë pop” dhe “Kinematografia më e mirë”.
Kantautorët tjerë britanikë që janë pjesë e garës për çmimin “MTV VMA” janë, Adele me hitin “Drink Wine” dhe Harry Styles me “Music For A Sushi Restaurant”. Ata garojnë në kategoritë “Kinematografia më e mirë” dhe “Efektet më të mira vizuale”.