Pop-ylli britanik me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, të premten pati performancë të shkëlqyeshme në ditën e parë të festivalit më të madh të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, “Glastonbury”.
Lipa dhuroi performancë dinamike e ritmike gjatë gjithë gati dy orëve që këndoi në skenën kryesore të festivalit, “Pyramid”.
Ndërroi pesë kostume.
E nisi me këngët “Training Session”, “One Kiss”, “Illusion”, “Break My Heart” e “Levitating”. Secila prej këngëve pati koreografinë e vet. Këndoi edhe “Don’t Start Now”, “Physical” dhe “New Rules”, si dhe bashkëpunimet me Elton Johnin (Cold Heart) dhe Mark Ronson (Electricity).
Çuditërisht, 28-vjeçarja nuk e këndoi “Barbie Smash Dance The Night”, raporton BBC.
Lipa madje nderoi edhe “Motrat Shakespear”, të cilat ishin ndër të parat femra që patën skenën kryesore të “Glastonburyt” në vitin 1992. Këngëtarja nga Kosova mbajti veshur bluzë me kopertinën e albumit të tyre “Hormonally Yours”.
Në skenë, Lipa foli vazhdimisht për mënyrën se si e kishte manifestuar këtë moment, pasi ka ëndërruar të ishte në skenën kryesore të festivalit më të madh britanik të muzikës “para se ta regjistroja albumin e parë”.
“E kam shkruar këtë moment, e kam ëndërruar dhe kam punuar kaq shumë”, i ka thënë ajo turmës.
Gati 100 mijë njerëz ndoqën performancën e Lipës.
Ishte hera e parë që Lipa zuri vend në mesin e performuesve kryesorë të festivalit. Gjithashtu për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, dy artiste, përfshirë SZA, zunë vend në tri performancat kryesore të festivalit.
Rock-bendi me karrierë të suksesshme, “Coldplay”, zë vend si perfomues kryesor të shtunën e 29 qershorit. Ndërsa në natën finale të festivalit, të dielën mbrëma, publiku do të argëtohet nga artistja e shumëshpërblyer amerikane, SZA.