Përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Serbisë, kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga KFOR-i ta lejojnë hyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë.
Këto pretendime të Serbisë i ka kundërshtuar i gjithë spektri politik në Kosovë.
Në “Debat Plus”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Tani i ka humbur levat, tani kërcënon me luftë, u kthy në gjenezën ku e kishte te Putini. Ato ishin kërcënime të qarta. Ne e dimë çfarë ka prodhuar ushtria e Serbisë, ato janë ëndrra të tij tash. Nuk duhet mohuar roli destruktiv për ta destabilizuar vendin”, ka deklaruar ai.
“Një synim i tillë tregon ambiciet e Serbisë për t’u kthyer në Kosovë. Ajo kështu mendon. Hyrja e ushtrisë së tyre në Kosovë është e pamundur, edhe në aspektin legal”, ka vijuar ai.
Dugolli i ka komentuar edhe ngjarjet në veri të Kosovës, duke thënë se vendosja e barrikadave atje është bërë nga grupe kriminale të organizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Shteti po përballet me një grup të organizuar bandit, të cilët gjenezën e anë nga Serbia. Kjo po shihet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Vuciq e ka humbur durimin për një kohë të gjatë, padrejtësisht u paraqit si një njeri i paqes”, ka thënë ai.
Dugolli u shpreh se Vuçiq e ka humbur ndikimin në institucionet e Kosovës, dhe për këtë arsye sipas tij, tashmë është duke i përdorur grupet kriminale në veri për ta destabilizuar atë pjesë.