Profesori Bujar Dugolli ka kritikuar ashpër qasjen e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në emisionin “FIVE”, Dugolli ka theksuar se Borrell ka ndjekur një qasje aspak të balancuar gjatë procesit të dialogut, duke përmendur vendosjen e masave, marrëveshjen e Bratislavës dhe zbatimin e saj.
“Duke marrë për bazë qasjen që e ka pasur Borrell aspak të balancuar lidhur me këtë proces, për masat se si u vendosën, marrëveshjen e Bratislavës, zbatimin e saj dhe mosreagimin e Borrellit, nuk është e pabesueshme që të mos rekomandohet fare heqja e masave ndaj Kosovës. Mbase mund të shtyhet t’i mbetet strukturës së re të BE-së, sido që të jetë kuptohet që është një qasje e pabalancuar, e padrejtë, e panevojshme, sepse nëse ka pasur dikur arsye për t’u zemëruar, unë mendoj që është e kundërta që Kosova ka punuar seriozisht në shtensionim të situatës në veri, dhe sot kemi një qetësi dhe stabilitet atje, dhe të ekzistojnë ato masa ende është e padrejtë”, ka deklaruar Dugolli.
Ai gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk mban përgjegjësi për mosheqjen e masave ndëshkuese.
Dugolli ka thënë se kërkesat e Borrellit dhe Lajçakut janë të pamundshme për t’u përmbushur dhe se ato kërkojnë që veriu i Kosovës të lihet në të njëjtën gjendje si në kohën e Milan Radojçiqit dhe të strukturave kriminale të tij.
“Jo, nuk mendoj se ka përgjegjësi Qeveria e Kosovës, sepse në rast se dëgjohen kërkesat e Borrellit dhe Lajçakut, ata po bëjnë presion që ta lënë veriun në gjendjen siç ishte në kohën e Radojçiqit dhe strukturave të tyre, dhe kjo është e pamundshme që të ndodhë. Prandaj, Qeveria e Kosovës rendin dhe ligjin që e ka vendosur në veri dhe që punon në këtë drejtim është obligim i saj ligjor dhe kushtetues”, ka thënë Dugolli.
Profesori Dugolli ka shtuar se qasja e pabalancuar e Borrellit dhe e Lajçakut është kontribuuese e eskalimit dhe e tensionimit të situatës në rajon dhe nuk ofron paqe dhe stabilitet.
“Kjo qasje në rend të parë nuk ofron kurrfarë paqe dhe stabilitet rajonit, por përkundrazi është kontribuuese e eskalimit dhe tensionimit”, ka shtuar Dugolli.