Ekspertja e arsimit, Bardha Qirezi, ka kritikuar sistemin e arsimit në Kosovë, teksa ka komentuar rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin e PISA-s – ku që nga viti 2015 Kosova rangohet në dy/tri vendet e fundit.
Duke theksuar se një nga sfidat kryesore është niveli i ulët i arritjes së leximit, Qirezi ka shtuar se asnjë nxënës në Kosovë nuk ka arritur një nivel leximi prej 5 ose më lartë, që tregon se kanë vështirësi të kuptojnë dhe analizojnë informacionet në tekstet mesatare ose të gjata.
“Ky është një proces që e teston një sistem të përgjithshëm arsimor. Ajo çka mua më shqetëson më së shumit është niveli i arritjes së leximit. Ku asnjë student në Kosovë nuk e ka arritur nivelin 5 ose më larte. Dhe nëse dëshirojmë se çka do të thotë kjo për nxënësit, fëmijët tanë. Kjo do të thotë që ata nuk munden të kuptojnë faktin në një tekst të mesëm ose të gjatë. Dhe nuk mund të dallojnë faktin nga dezinformata. Dhe kjo iu shkakton probleme serioze në jetë, duke e pasur parasysh se si iu qasen probleme politike, sociale apo edhe personale”, ka thënë Qirezi në Debat Plus.
Qirezi e lidh këtë problem me mënyrën e mësimdhënies dhe angazhimin e nxënësve në zhvillimin e mendimit kritik, duke thënë se këto aspekte janë të rëndësishme për shoqërinë.
Ajo e theksoi se shoqëria kosovare aktualisht po përjeton polarizim dhe nuk ka aftësinë të analizojë informacionet që merr.
“Edhe ky nuk është diçka që mund të ndryshohet shumë shpejt. Për shembull me ndërtimin e infrastrukturës. Por kjo ka të bëjë ëme mënyrë se si mbahet mësimi, sa angazhohen nxënësit dhe sa zhvillohet mendimi kritik. Dhe kjo është tepër me rëndësi për shoqërinë tona, e cila po e shohim në ditët sotme, jo veç që është e polarizuar por nuk është në gjende t’i analizojë të dhënat apo informatat që i merr.
Këtu duhet me pas një strategji afatgjatë, përkrahje të mirëfilltë të shkollave. Organizim të proceseve, politikave dhe monitorim të vazhdueshëm të performancës së shkollave”, ka shtuar Qirezi.