Shtëpia botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson Education”, mbajti serinë e Webinareve “Challenging Traditional Methods: UNDERSTANDING AI-DRIVEN INNOVATIONS IN LANGUAGE TEACHING” për mësimdhënësit e gjuhës angleze, ku ekspertë të njohur diskutuan ndikimin e IA-së (Inteligjencës Artificiale) në mësimdhënie dhe vlerësim.
Për pesë ditë rresht, nga data 24 deri më 28 mars 2025, në pesë sesione të ndara, gjashtë ekspertë të mësimdhënies së gjuhës angleze trajtuan sfidat e përditshme me të cilat përballen mësimdhënësit e gjuhës angleze duke përdorur inteligjencën artificiale, duke iu ofruar atyre zgjidhje praktike për të përmirësuar praktikat e tyre si mësimdhënës.
Në webinarin e parë me bashkëthemeluesen dhe drejtuesen e “AI for Education” Amanda Bickerstaff, mësimdhënësit mësuan strategji për të inkurajuar mendimin e nivelit të lartë dhe për të zhvilluar aftësi të veçanta te nxënësit duke përdorur në mënyrë të duhur inteligjencën artificiale.
Në webinarin e dytë me drejtorin e menaxhimit të produkteve në “Pearson” Ilya Gogin, u shqyrtuan rreziqet dhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në mësimdhënien e gjuhës, duke ofruar strategji që teknologjia t’i përmirësojë, në vend që t’i zëvendësojë mësimin dhe kreativitetin.
Në webinarin e tretë me drejtorin ekzekutiv të “LearnCube” Alex Asher, u diskutuan 10 mënyra se si inteligjenca artificiale do të ndikojë në mësimdhënie gjatë 5 viteve të ardhshme.
Në webinarin e katërt themeluesi dhe krijuesi i përmbajtjes në “Cloud English” Luke Priddy, diskutoi për përballjen e mësimdhënësve me problemin e “Al slop” – materialeve me cilësi të ulët, të pasakta dhe të strukturuara dobët që mund ta pengojnë të mësuarit.
Në webinarin e pestë me menaxherin e produkteve, mësimdhënie e mundësuar nga IA-ja, nga “Pearson” Jay Bhadresha dhe me menaxheren e strategjisë së mësimit në “Pearson” Nina Hall,u theksua rëndësia e inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe fakti se si po e transformon planifikimin e mësimit dhe po e redukton ngarkesën e mësuesve.
“Pearson Education” konsiderohet një nga botuesit më të mëdhenj edukativë në mbarë botën, i cili operon në mbi 70 vende, me programe arsimore për nxënësit që nga fëmijëria e hershme e deri tek arsimimi i lartë dhe mësimi profesional.
Tekstet shkollore të gjuhës angleze të “Pearson Education” janë në Kosovë tashmë që disa vjet. Në sistemin arsimor dhe shkollat e Republikës së Kosovës, tekstet e “Pearson” u përgjigjen të gjitha standardeve dhe Kurrikulës për tekstet shkollore të hartuara nga MAShTI.
Shtëpia botuese “Dukagjini” është përfaqësuesja e vetme zyrtare e “Pearson Education” në Kosovë.