Shtëpia botuese “Dukagjini” është gati për Panairin e 23-të të Librit në Prishtinë. Fiks 19 botime të reja përbëjnë ofertën e kësaj shtëpie botuese për lexuesit në kryeqytet. Prej tyre, 11 janë libra që dalin ekskluzivisht në ekspozitën e madhe të librit në Kosovë.
Lajmi i mirë për të gjithë studiuesit e shkencave sociale e humane është se shtëpia botuese “Dukagjini” ka vendosur që ta riaktivizojë kolanën “Fryma”, me të cilën tashmë ka krijuar një traditë të çmuar të botimeve nga këto fusha.
Libri më i ri i teoricienit të shquar, Jürgen Habermas, “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, është ai i cili rihap këtë kolanë, e i cili vjen ekskluzivisht në panairin “Prishtina 2023”. Ndërkohë, me kolanën “Fryma” do të vazhdojnë të botohen vepra të rëndësishme të dijeve humane e shkencore nga autorë vendorë, ndërsa do të përzgjidhen për t’u përkthyer në shqip librat të cilët duhet t’i lexojë patjetër secili që i rreket rrugës së dijes.
Me “ANIMA”-n, një kolanë përmbledhëse e veprave kulminante të letërsisë klasike botërore, “Dukagjini” sjell veprat “Burri që ishte e Enjte”, nga G. K. Chesterton dhe “Abacia e makthit”, Thomas Love Peacock. Këto i shtohen 8 veprave të botuara deri tani të kësaj kolane që sjell në shqip majat e letërsisë.
Ndërmjet dy panaireve të Prishtinës, “Dukagjini” sjell edhe tri vepra të përkthyera të nobelistit të shquar gjermano-zviceran, Hermann Hesse-s: “Demiani”, “Nën rrotë” dhe “Rosshalde”, që u shtohen librave “Ujku i stepës” dhe “Peter Camenzind” në serinë e librave të Hesse-s, të cilët do t’i botojë “Dukagjini”.
Në Panair do të dalë edhe një tjetër vepër e veçantë e Hesse-s, një përmbledhje me “Poezi të zgjedhura”.
Ekskluzivisht në Panair, botimet “Dukagjini” sjellin edhe veprat e njohura botërore të klasikëve, si “Princi i vogël” nga Antoine de Saint Exupery, “Princi” nga Niccolo Machiavelli dhe “Ferma e kafshëve” nga George Orwell. Ndërmjet dy panaireve, është botuar edhe romani “Pranvera romane e zonjës Stoun”, nga Tennessee Williams. Po ashtu, shkrimtari i njohur shqiptar, Gëzim Aliu, sjell me “Dukagjinin” romanin e tij më të ri “Sëmundje dhe Perëndi”.
Ndërkohë, edhe pesë tituj të tjerë nga imprinti “Lekë” do t’i shtohen menysë së lexuesve të pasionuar të librave psikologjikë e atyre “self-help”. “Mos besoni gjithçka që mendoni” nga Joseph Nguyen, “Mentalitetet për prindërit” nga Margaret Lee dhe Mary Cay Ricci, “Pse ne meditojmë” nga Daniel Goleman dhe Tsoknyi Rinpoche, “Ushtrimi i bisedimit me veten” nga Rachel Goldsmith Turow, si dhe “CEO Excellence: gjashtë mendësitë që dallojnë udhëheqësit më të mirë nga të tjerët” nga autorët Carolyn Dewar, Scott Keller dhe Vikram Malhotra janë librat që prezantohen ekskluzivisht në Panairin “Prishtina 2023”.
Risinë prej 19 librave ndërmjet dy panaireve e përthekojnë edhe tri lektyrat për klasën e tretë: “Shigjeta e kaltër” nga Gianni Rodari, “Kallëzimet e gjyshe Pastërtores” nga Bedri Dedja dhe “Si u bënë kafshët siç janë sot?” nga Rudyard Kipling.
Këta libra i shtohen ofertës së larmishme të stendës së “Dukagjini”-t në panairin “Prishtina 2023”, që përbëhet nga qindra tituj librash, për secilin tip lexuesi.
Edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë mbahet në Pallatin e Rinisë, nga 6 deri më 11 qershor. Moto e sivjetme e Panairit është “Libri triumfon”. Panairi i librit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe këtë vit pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.