Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 17:10 të ditës së diel, në komunën e Leposaviqit, dy persona kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një lokali.
Brenda lokalit, sipas raportit të policisë, ndodhej edhe një zyrtar policor, i cili u është kundërpërgjigjur atyre, duke gjuajtur me armën e tij zyrtare.
“Raportohet se dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një lokali, pronë e ankuesit mashkull kosovar. Në vendngjarje (lokal) ndodhej një mashkull kosovar (zyrtar policor) i cili është përgjigjur me armë zyrtare”, thuhet në njoftim.
Të dy personat e dyshuar, pas këtij veprimi janë larguar me veturë në drejtim të panjohur. Sipas policisë, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.
“Personat e dyshuar janë larguar me një veturë në drejtim të panjohur, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore për trajtim të mëtutjeshëm të rastit. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti nga Policia e Kosovës, është cilësuar si “vrasje në tentativë”.