Dy persona kanë vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e një incidenti në Manhajm të Gjermanisë, pasi një person e ka përplasur makinën në një turmë njerëzish.
Policia e ka ndaluar shoferin e makinës dhe ka thënë se ai ka vepruar i vetëm, andaj nuk ekziston më rrezik për banorët. Sipas autoriteteve, i dyshuari është një 40-vjeçar me shtetësi gjermane.
Incidenti ka ndodhur teksa turma njerëzish janë mbledhur në landet perëndimore të Gjermanisë, për të mbajtur paradat që shënojnë sezonin e karnevaleve.
Mediat lokale kanë raportuar se një makinë e zezë është nisur me shpejtësi të madhe drejt një grupi njerëzish, të cilit ishin nisur prej sheshit Paradeplatz drejt një zone historike të qytetit.
Siguria është bërë shqetësuese në Gjermani, pas një morie sulmesh që kanë ndodhur në javët e fundit, përfshirë sulmet vdekjeprurëse me makina drejt turmave në dhjetor në Magdeburg dhe në Munih një muaj më parë, ashtu sikurse sulmi me thikë në Manhajm, në maj të vitit 2024.
Policia është në gjendje alarmi në periudhën e mbajtjes së paradave të këtij viti, pas në disa llogari në rrjetet sociale, të lidhura me grupin ekstremist Shteti Islamik, janë bërë thirrje për sulme në organizimet në Këln dhe Nuremberg./Radio Evropa e Lire