Dimitrije Markoviq dhe Nenad Jeremiq janë dy personat e radhës të cilët janë bërë pjesë e listës non-grada të Kosovës.
Të fshehur nën mbulesën e aktiviteteve humanitare, Qeveria e Kosovës njoftoi se dy serbët po dëmtonin imazhin e shtetit, duke nxitur edhe urrejtje ndëretnike.
Nën këtë arsyetim, Qeveria ua ndaloi atyre hyrjen në Kosovë dhe menjëherë i futi në listën e të padëshiruarve.
Ky është vetëm një prej rasteve të tilla, që ndodhën në Kosovë në muajt e fundit.
Në natën e ndërrimit të motmoteve, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, ka shpallur person non-grada një zyrtar të UNMIK-ut.
Për këtë veprim, reagoi Organizata e Kombeve të Bashkuara, që e konsideroi vendimin të pavlefshëm për zyrtarët e saj.
Nën këto dyshime, në fund të korrikut, Policia arrestoi dy shtetas francez të cilët po vozisnin në veri të Kosovës një veturë me targa ruse.
Disa muaj pas arrestimit, ata u dënuan për vetëm kalim të paautorizuar të kufirit.
“Kur e kemi parasysh që Kosova ka qenë e pushtuar nga serbët rreth 100 vjet, kur e kemi parasysh që mundësite e sistemeve serbe kanë qenë të mëdha për të rekrutuar agjendë serbë brenda shqiptarëve, atëherë ne nuk duhet të hamendohemi fare se kjo strukturë e agjendurës është e instaluar në nivele të larta”, ka thënë eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, thekson se institucionet nuk duhet të ndërmarrin veprime duke u nxituar.
“Unë mendoj se ato që janë ndërmarrë janë ndërmarrë mbi bazë të fakteve dhe informacioneve të sakta, kjo nuk është çështje loje, është çështje shumë e ndjeshme”, shtoi Kajtazi.
E analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Kosova në këtë mënyrë po e dërgon një mesazh.
“Është një mesazh i cili u dërgohet të gjithë atyre që janë të kësaj kategorie, të cilët janë kundër shtetit të Kosovës dhe që duhet ta dijnë se janë të identifikueshëm dhe radari i sistemeve të sigurisë mund t’i kap edhe ata”, është shprehur Artan Muhaxhiri – analist.
Televizioni Dukagjini ka dërguar gjatë ditës disa pyetje në drejtim të institucioneve dhe është duke pritur përgjigje për listën e personave të padëshiruar në Republikën e Kosovës.