Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë se shpërthimet në Veri të Kosovës nuk vinin nga mjetet shpërthyese me efekte shkatërruese.
Pas një shpërthimi në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve. Përmes një videoje të publikuar nga gazeta lokale “Mitropol”, zyrtarë të Policisë së Kosovës shihen teksa janë vendosur në këtë pjesë të vendit.
“Bëhet fjalë për dy shok-bomba, nuk janë shpërthime që shkaktojnë efekte shkatërrimi, kanë efekte të zërimit, nuk ka lëndime. Kur flitet për Lagjen e Boshnjakëve, është një zonë jo një pikë e vetme”, ka deklaruar Hoti në Debat Plus të RTV Dukagjini.
Përgjatë të mërkurës së 6 dhjetorit, shpërthime të kësaj natyre dhe njëherit, edhe disa të shkaktuara nga granata dore kanë ndodhur në Veri të vendit.