Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy të mitur në Prishtinë dyshohet se kanë sulmuar seksualisht një vajzë, e cila po ashtu është e mitur.
Sipas njoftimit nga raporti 24-orësh i policisë, vajza ka deklaruar se njëri nga të dyshuarit e ka filmuar me telefon teksa nuk ishte e vetëdijshme.
“Me datë 08.05.2023 është raportuar një rast ku një femër e mitur ka deklaruar se është ngacmuar seksualisht nga dy të mitur. Gjithashtu, viktima ka deklaruar se njëri nga të dyshuarit e ka filmuar me telefon derisa ajo nuk ka qenë e vetëdijshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit është arrestuar një i dyshuar kosovar (i mitur), i cili më pas është dërguar në mbajtje.
Gjithashtu, siç ka njoftuar policia, viktima është intervistuar në prani të prindërve dhe të zyrtarit nga Qendra për Punë Sociale (QPS).
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si sulm seksual dhe keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.