Dy të rinj kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri të martën në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë, ku njëri prej tyre ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetri pasi u dërgua në spital.
Ngjarja tragjike ka çuar në arrestimin e një të dyshuar, i cili fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe tani po intervistohet nga policia.
Viktimat dhe i dyshuari janë të moshës 19-22 vjeç, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.
Dy prokurorë të krimeve të rënda ishin të angazhuar në vendngjarje për të zhvilluar hetimet.
“Sipas informacioneve mosha e viktimave por edhe të dyshuarit është jashtëzakonisht e re, domethënë 19-vjeçar, 20- 21-vjeçar, dhe 22-vjeçar. Ende nuk dihen motivet. Tani për tani informatat që kemi bëhet fjalë për katër ose pesë të shtëna”, ka thënë Policia nga vendi i ngjarjes.
Në raportin 24-orësh të Policisë është bërë e ditur se në vendngjarje u sekuestrua një revole, një karikator, katër fishekë, dhe tri gëzhoja.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë, njeri prej tyre ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e konstaton ekipi mjekësor, ndërsa tjetri dërgohen në Spitalin e Pejës ku për shkak të plagëve të marra ndërron jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë dhe tri gëzhoja konfiskohen, ndërsa me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë dërgohen në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Dukagjinin se të dy viktimat kanë lidhje familjare, por nuk dihet akoma çfarë janë mes vete.
Po ashtu, ai ka njoftuar se do të bëhet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarit.
Ndërkawq, tupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.