Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë njofton se brenda 24 orëve nga 467 testime, 175 qytetarë kanë rezoltuar pozitiv me COVID-19 në Kosovë dhe dy persona kanë vdekur.
Ministria e Shëndetësisë njofton se deri më tani me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 janë vaksinuar 903 mijë e 613 qytetarë, me dozën e dytë janë vaksinuar 823 mijë e 872 qytetarë, ndërsa me dozën përforcuese janë vaksinuar 103 mijë e 407 qytetarë.
Numri i të shëruarve nga COVID-19 është 105, ndërsa numri i rasteve aktive është 2 mijë e 184.

MSh-ja ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, dhe t’i marrin dozat e treta të vaksinës. Po ashtu, kjo ministri ka bërë të ditur, se tashmë personat mbi moshën 60 vjeç, mund ta marrin edhe dozën e katërt të vaksinës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), ka dalë me një njoftim të shtunën, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen me vaksinën Anti-Covid-19.
Po ashtu, ky institucion u ka rekomanduar atyre që kanë simptoma të gripit të testohen, në mënyrë që të gjurmohen rastet më lehtë.
“IKShPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik, andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkaq, infektologu Hamdi Ramadani, i cili ishte i ftuar në emisionin “Five”, të premten, ka thënë se Kosova rrezikon të përballet me një valë të re të infektimeve.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin dozat e treta të vaksinave, sepse sipas tij, kjo është mbrojtja më e mirë kundër virusit Covid-19.