Një helikopter ushtarak i Hungarisë është rrëzuar të mërkurën gjatë një misioni stërvitor në Kroaci. Si pasojë e rrëzimit, të paktën dy persona që ishin në bord vdiqën, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Hungarisë.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar për agjencinë e lajmeve MTI, se dy helikopterë të llojit Airbus H145 po kryenin stërvitje, kur njëri prej tyre është rrëzuar.
Tre persona ishin në bordin e helikopterit, i cili u rrëzua në zonën e kanionit të lumit Cikola, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit kroat, Zagreb.
N1 i Kroacisë ka raportuar se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur t’i nxjerrin trupat e dy personave që humbën jetën, ndërkaq anëtari i tretë i ekuipazhit është ende në kërkim.
Ende është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar rrëzimin e helikopterit.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Mari Banoziq, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e dy anëtarëve të forcave ajrore hungareze, të cilët “dhanë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të kontribuuar në sigurinë tonë të përbashkët”.
Sipas pamjeve të transmetuara nga transmetuesi shtetëror kroat, HRT, ekipet e kërkim-shpëtimit po kryejnë operacione në një terren të pjerrët shkëmbor në zonën e kanionit.