Të mërkurën e 29 nëntorit Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda dy orësh.
Një grua është vrarë këtë të mërkurë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Ajo dyshohet se u vra me armë zjarri.
Sipas informatave që posedon redaksia, dyshohet se fillimisht Murseli, i cili ishte me familje në veturë, ishin cak i një grabitjeje, ku pas të shtënave nga grabitësit mbeti e vrarë gruaja e tij.
Dukagjini ka mësuar se e ndjera është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltarit të ish-presidentit, Behgjet Pacolli.
Pacolli pas vrasjes së gruas së ish-këshilltarit të tij: Dhimbjen e ndaj me dy familjet e së ndjerës
Pas lajmit të trishtë, Pacolli ka reaguar në Facebook duke shprehur ngushëllime për dy familjet e së ndjerës.
Në një postim të ndarë në Facebook, Pacolli shkruan: “Lajm i tmerrshëm për tragjedinë në familjen e Naim Murselit. Dhimbjen e ndaj me dy familjet e të ndjerës Liridona!”.
Vrasjen e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se gruaja është gjetur pa shenja jete në një veturë.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjentë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas informacioneve të para të policisë, “dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.
Policia në koordinim me Prokurorinë tashmë kanë nisur hetimin dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.
Tjetër vrasje në Prishtinë, dyshohet se viktima u ther me thikë
Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se një tjetër vrasje ka ndodhur në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Ali Vitia” në kryeqytet.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka theksuar se dyshohet se viktima u ther me thikë.
“Sot rreth orës 22:00, Policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor në rrugën ‘Ali Vitia’, në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit, ( i identifikuar) si dhe kanë nisur hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Lidhur me këto vrasje, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë.
Përmes një statusi në Facebook, Çitaku ka kërkuar përgjegjësi për atë që ajo e quan shkallë e pasigurisë.
“Dy vrasje brenda natës në kryeqytet. Përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë. Vrasje, plaçkitje, rrahje gjithandej. E tmerrshme”, shkroi ajo.