Tre kandidatë për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me profesion mjekë, zotohen se nëse partia e tyre e merr drejtimin e Qeverisë, do të realizohet shërbimi paliativ 24 orë, do të zvogëlohet lista e pritjes së pacientëve, do të themelohet një platformë online për të diagnostikuarit me sëmundje kronike, do të ketë rritje të pagave si dhe do të bëhet ndryshimi i organogrameve të shërbimit parësor.
Zarife Asllani, kandidate për deputete, duke ndarë përvojën personale si e diagnostikuar me kancer të gjirit që nëntë vite, mëton që nëse AAK me partnerët e koalicionit i fitojnë zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të mundohet ta funksionalizojë platformën online për personat me sëmundje kronike. Përveç kësaj, ajo synon krijimin e një databaze në të cilën regjistrohen pacientët onkologjikë.
Ballafaqimi me sëmundjen, ajo thotë se e ka bërë që të kandidojë për deputete, në mënyrë që problemet në shëndetësi të zgjidhen njëherë e përgjithmonë.
“Ne hala jemi popull që e përdorim letrën. Nëse unë shkoj në Onkologji dhe nuk e kam një dokument të fundit dhe tre muaj vonesë në pagesë. [Kështu] nuk mundet askush me më identifiku që jam pacient onkologjik”- tha ajo në “Debat Përnime”, më 20.01.2025.
Misioni i kësaj kandidate e cila garon për herë të parë për deputete është që ta krijojnë një platformë online, të cilën sipas saj duhet ta posedojnë pacientët me sëmundje kronike e në të cilën do të kenë qasje Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet regjionale. Në këtë mënyrë, ajo beson se do të krijohet një mundësi për përcjelljen e gjendjes të pacientëve dhe çështje të tjera.
“Ka me qenë një pjesëtar i familjes i trajnuar që ta përdorë platformën që unë mendoj se do të realizohet. Njëkohësisht çdo ndryshim i detajuar i pacientit do të bëhet në formë të komenteve. Mandej edhe terminet (të bëhen aty), dhe spitalet e qyteteve të mëdha dhe Onkologjia të kenë qasje 24 orë në të”- tha ajo, pa ndarë më shumë hollësi se si do të funksionojë kjo platformë.
Përveç platformës, ajo tha se synon që ta shtyjë si kauzë institucionale që onkologjikët të posedojnë kartelat dhe të krijohet një databazë ku ruhen të dhënat e tyre.
“Në rastin e fundit, me organizata të Francës dhe të Gjermanisë, ku i kam poseduar disa paruke, proteza dhe disa barna, i kam dhënë në grupe të caktuara- në grupe privat në Messenger ”- tha ajo.
Cilat janë zgjidhjet për sistemin shëndetësor?
Shemsedin Dreshaj, Arbër Tolaj dhe Zarife Asllani, kandidatë të AAK-së për deputetë shpalosën programin e tyre qeverisës me ato që ata i quajnë zgjidhje për sistemin shëndetësor.
Për zgjedhjet parlamentare, AAK-ja do të kandidojë në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal.
Arbër Tolaj, me profesion ortoped, premtoi se nëse vijnë në krye të qeverisë, si parti politike do të ofrojmë shërbime paliative 24 orëshe në çdo komunë.
“Këto shërbime do të ofrohen për pacientët që kanë sëmundje të rënda, sëmundje kronike, të lidhur për shtrati dhe që kanë nevojë për transport”- tha ai shkurt.
Një premtim tjetër që dha Tolaj është ndryshimi i organogrameve për mjekësinë primare.
Sipas tij, aktualisht organogramet nuk janë të unifikuara dhe për pasojë ka mjekë dhe specialistë të cilët punojnë në numër joproporcionalë me nevojat.
“Meqenëse komunat buxhetin e marrin prej Ministrisë së Shëndetësisë, ato i bëjnë projektet dhe propozimet. Mendojmë që organogrami mund të ndryshojë [gjendjen] në aspektin pozitiv”- tha ai.
Se a kanë bërë vlerësime nëse një gjë e tillë shkakton largimin e mjekëve nga puna, Tolaj tha se asnjëherë nuk është intenca që të largohen nga puna profesionistët shëndetësor.
“Veç në vitin 2024 janë 105 mjekë që e kanë lëshuar detyrimisht Kosovën. I kemi 580 mjekë të cilët janë të papunë. Ne po pretendojmë që ta kthejmë trurin nga jashtë”- tha ai duke e ndërlidhur me temën.
Tolaj pretendon se në Spitalin e Pejës ka reparte që janë duke u mbyllur, andaj sipas tij, duhet të ekzistojnë strategjia afatmesme se si të bëhet riorganizimi i tyre.
Kurse, në mjekësinë sekondare, ai tha se do të bëjnë decentralizimin e klinikave në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Ndërsa në spitalet regjionale, parashohin që drejtorët e spitaleve të bëjnë menaxhimin e mjeteve dhe t’i përcaktojnë cilat janë prioritetet e spitaleve.
“Në QKUK kemi plan më të madh që të bëhet një rivitalizim i infrastrukturës. Po ashtu edhe me trajnime profesionale të stafit shëndetësor, duke filluar nga stafi i mesëm, mjekët në specializim dhe specializantët e rinj”- tha ai.
Se si e ka synim AAK- NISMA të zvogëlojë listat e pritjes nëpër spitale, Tolaj tha se e kanë një plan konkret, duke e ndërlidhur atë me mungesën e anesteziologëve.
“Në Klinikën Ortopedike ne veçse kemi sallat operative. Një sallë operative mund të zvogëlojë listën e pritjes dhe të kryejë diku 500 operacione brenda vitit në kuptim të endoprotezave të gjurit dhe kërdhokullës”- tha ai.
Sipas tij, në qoftëse se si Klinikë e kanë një anesteziolog të përhershëm për një sallë operative në baza ditore, një teknik të anestezionit, dhe stafi tjetër përcjellës është i Klinikës- si kirurgët dhe mjekët, atëherë do të zvogëlohej numri i pritjeve dhe do të dyfishohej numri i operimeve brenda vitit.
Tolaj thotë se në këtë mënyrë numri operimeve për endoproteza do të rritej nga 200 në vit në 1 mijë.
Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2024, shpërfaqën fotografi të fletoreve dhe shënimeve në të cilat regjistrohen pacientët nëpër lista të pritjeve, disa prej të cilave janë të gjata deri në katër vite në QKUK. Një prej faktorëve kontribues në rritjen e numrit të pacientëve në lista të pritjes është evidentuar të jetë mungesa e ekspertizës së mjekëve në fusha të caktuara, duke ngarkuar QKUK-në, si qendër referente.
Kurse për kaosin me Listën e barnave esenciale, Tolaj ia la ‘fajin’ procedurave të prokurimit, që sipas tij, janë të ndërlikuara.
“Qysh ka mundësi që një procedurë me qenë e njëjtë sikur kur bëhet për një ndërtesë apo kur shtrohet një asfalt, njëjtë me vlejtë për furnizim me barna”- tha ai, duke shtuar se kanë plane që ta zgjerojnë e të rrisin buxhetin për Listën e barnave esenciale deri në funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Sipas tij, çelësi për këtë çështje është ndryshimi i procedurave të prokurimit.
Kurse, kandidati tjetër, Shemsedin Dreshaj, po ashtu mjek, tha se Aleanca në agjendën e saj menaxheriale e ka zotim që një bar ose ilaç të jetë 365 ditë në dispozicion.
Se a do të fusin në Listën esenciale terapinë hormonale për personat e komunitetit LGBTQ+, ai tha se decidivisht se nuk e kanë planifikuar një gjë të tillë “por, nëse është e nevojshme duhet të ofrohen shërbime shëndetësore për të gjitha komunitetet pa dallim”.
Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës Esenciale, të cilat shteti e ka për obligim për t’i siguruar. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave e që quhet Autorizim Marketingu, ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore.
Se a do të shkarkohet Bordi i QKUK-së nëse AAK vjen në pushtet, Dreshaj tha se në strategjinë e tyre kanë të paraparë që në vendet udhëheqëse të vijnë persona të guximshëm dhe të dëshmuar, e jo t’i lihet vend eksperimentit. Në frymën e kësaj, ai tha se politika duhet t’i mbaj duart larg shëndetësisë.
Çka për paga dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore?
Fondi për Sigurime Shëndetësore është prej atyre premtimeve që proklamohet si zotim nga cilado parti e cila kandidon në zgjedhje, megjithatë ende nuk është bërë. Qëllimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore është përmirësimi i gjendjes shëndetësore dhe mbrojtjes së rrezikut financiar të qytetarëve.
Shemsedin Dreshaj deklaroi se nëse AAK-ja do të qeverisë, hapi i parë është decentralizimi i shërbimeve shëndetësore, ndërsa hapi i dytë është formimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Megjithatë Dreshaj për këtë të fundit tha se kërkon kohë, kurse kolegu i tij Tolaj tha se do ta bëjnë brenda mandatit.
Dreshaj tha se Fondi Shëndetësor do duhej të shpërndahej në shtatë komuna rajonale në objektet e veta, e jo në një objekt privat në Prishtinë.
“Kjo Qeveri [Kurti] ka ardhur me pompozitet duke proklamuar krijimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Kur kanë ardhë i kanë gjet diku 34 inspektorë të trajnuar për krijimin e Fondit Shëndetësor dhe i kanë bërë 46. Me Strategji, minimumi duhet të jenë 400 të trajtuar. Pra, nuk i kanë krijuar as parakushtet për implementimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore”- tha ai.
Dreshaj fajësoi Qeverinë aktuale për të gjitha dështimet e këtij sektori.
Për këtë Fond të shumëpërmendur, kolegu i tij, Tolaj tha se implementimin do ta fillojnë prej familjes.
“Çdo familje duhet ta posedojë kartelën e saj. Duhet që të dhënat të futen në bazën e të dhënave edhe pacienti nëse ka nevojë, edhe pse qëllon i komunës tjetër por është në Prishtinë, do ta marr shërbimin”- tha ai.
Më 11.01. 2025, KALLXO.com publikoi një intervistë në të cilën një prind, Islam Dani i cili tregon se si djali i tij 16 vjeçar tash e disa javë po ballafaqohet me sëmundjen e leukemisë akute dhe po trajtohet në Itali, por i duhet ndihmë financiare nga shteti përkatësisht nga Fondi për Sigurimin Shëndetësor për pjesën tjetër të shpenzimeve.
Ndërkohë, zotimi i i tretë që shpalosi Dreshaj është dyfishimi i pagës së mjekut dhe të infermierit.
“Në mënyrë që ata të jenë të përkushtuar e të mos kenë nevojë që prej kujdestarisë të shkojnë edhe në një punë tjetër diku tjetër”- tha ai.
Dreshaj poashtu tha se sapo të marrin pushtetin, nëse veç ndodhë një gjë e tillë, do ta heqin menjëherë TVSH-së për barna dhe pajisje mjekësore.
Një ndër hapat e parë që do të ndërmarrin në shëndetësi, Dreshaj tha se është që të merren me statusin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitare të Kosovës, pasi që sipas tij ekziston një centralizim ekstrem i kompetencave në nivel të bordit që i menaxhon SHSKUK-në.
Statusin e SHSKUK-së, Dreshaj tha se e kanë në plan që ta rishikojnë.
Në programin zgjedhor, Koalicioni AAK-Nisma ka paraparë që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun e vet familjar. Premtim tjetër është sigurimi i buxhetit dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Ky koalicion ka planifikuar zbatimin e një “plani të detajuar për revitalizimin e plotë të QKUK-së, duke u nisur nga infrastruktura deri te kuadri profesional”, si dhe një “autonomi të plotë për spitalet rajonale, duke i bërë ato kompetente për shërbime të profilizuara shëndetësore”.
Ndër tjera, ky koalicion e ka përfshirë në programin zgjedhor edhe krijimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), krijimin e një linje të veçantë buxhetore për Spitalet Rajonale dhe Klinika (QKUK), si dhe ndërtimin e një laboratori për analiza specifike për të arritur diagnostikimin e saktë dhe të shpejtë për sëmundje specifike.
Përvoja e Aleancës në pushtet
Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.
Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.
Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.
AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.