10 vjet më parë pretendon se i kishte marrë 5 mijë euro, por tash po i kërkohen t’i kthejë hiç më pak se 15 mijë.
Kështu ka sqaruar para organeve shtetërore një qytetar nga Peja që dy ditë më parë është drejtuar tek dyert e policisë, me pretendimin se është përfshirë në fajde.
I njëjti ka thënë se fajdexhiu i ka shkuar në vendin e punës dhe e ka kërcënuar për t’i kthyer paratë në të kundërtën do t’ia merrte një pjesë të pronës së tij.
Televizioni Dukagjini ka siguruar raportin informues të Policisë që tregon në detaje rastin.
“Ankuesi N.Xh ka deklaruar se së fundmi me datë 17.01.2024 rreth orës 16:30, Xh.H kishte shkuar në Spitalin e përgjithshëm në Pejë ku ishte takuar me N.Xh i cili punon aty si punëtor i sigurimit, dhe ia kishte kërkuar aty shumën e cekur më lartë. Sektori i hetimeve ka shkuar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe ka shikuar kamerat e sigurisë ku vërehet Xh.H duke biseduar me N.Xh por xhirimet nuk janë me zë dhe nuk ka mundësi të dëgjohet se çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit, ndërsa në bazë të xhirimeve nuk vërehet se XH.H ishte shumë agresiv ndaj N.Xh pos se herë pas here i bënte gjeste duke lëvizur gishtin tregues”, thuhet në raportin informues të PK-së.
Ndërkohë të premten në Polici është shoqëruar i dyshuari Xh.H, i cili, sipas raportit, ka thënë se paratë ia kishte huazuar si borxh.
“Ai në deklaratën e tij ka pranuar se e njihte N. Gj dhe se të njëjtit ia kishte huazuar në muajin prill të vitit 2014 shumën prej 6500 euro, dhe se më pas N. Xh i kishte dhënë atij tri herë nga 50 euro dhe se kishte kontaktuar me N. Xh me fjalët: Vetëm nëse hyn ka je dalë se nuk ke qare pa mi dhanë 15 mijë euro” dhe se kam me ta marrë një ari tokë tek shtëpia jote”.
Pas kryerjes së këtyre veprimeve, prokurori Ramiz Buzhala ka udhëzuar që për hetim të iniciohet rasti “Fajdja” si dhe pas intervistimit i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, përderisa Prokuroria në Pejë i ka thënë televizionit se hetimet janë duke vazhduar.
Ish-hetuesi policor, tash avokati Halit Shaljani thotë se ka raste kur vepra penale e Fajdes keqpërdoret.
“Ka disa raste të fajdeve që hyjnë njerëzit për shkak që luajnë me bastore apo diçka tjetër dhe mbesin në fajde, në disa raste tjera ka që e keqpërdorin njerëzit dhe deklarojnë rrejshëm për shkak që hyjnë në borxhe të ndryshme dhe me qëllim pastaj që mos ta kthejnë borxhin apo në pamundësi të kthyerjes së borxhit, atëherë mundohen ti shfrytëzojnë organet e ndjekjes që kinse është fajde”, ka thënë Shaljani.
Prokuroria e Pejës ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër fajdes më 2022, ku ka arrestuar 17 persona, dhe nga ai aksion ishin sekuestruar 5 milionë euro që vazhdojnë të jenë të ngrira
Ndërsa në një rast tjetër, po në Pejë, pasi që ka përfunduar aktgjykimi, i pandehuri është detyruar t’ia kthejë viktimës 50 mijë euro.