I është caktuar masa e paraburgimit Qëndrim Elshanit, Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdarit, të cilët u arrestuan nën dyshimin se planifikonin vrasjen e Shkodran Hysenaj.
Pas caktimit, avokatja Ylberza Gllogjani-Krasniqi e Qëndrim Elshanit, ka deklaruar ekskluzivisht për TV Dukagjinin duke thënë se ky është një vendim pa prova.
“Të mbrojturit tim ju caktu paraburgimi në kohëzgjatje prej 1 muaji, edhe përkundër asaj se familja ishin të gatshëm të ofronin dorzani, shtëpi, gjithçka çka kishin dhe çdo shumë që do e caktonte gjykata. Radojqiqit po!”, tha mbrojtja.
Gjykata ka vendosur masën e caktimit të paraburgimit prej një muaj nën dyshimin, rrezik i ikjes, rrezik i ndikimit në prova dhe rrezik i përsëritjes së veprës penale.
Ndërsa Policia e Kosovës, një ditë më parë në raportin 24 orësh njoftoi për arrestim të katër personave, duke e cilësuar si pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar dhe detyrim, në Pejë dhe Prishtinë.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuari janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarave në katër lokacione të ndryshme ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhej në raport.