Prokuroria Themelore në Mitrovicë gjatë së martës (dje) njoftoi se kanë nisur hetimet për substancat narkotike brenda komunës së Leposaviqit. Ndërsa, Dragana Miletiq është shkarkuar nga posti i nënkryetares së komunës, pasi edhe ajo shihet duke konsumuar kokainë në pamjet e publikuara nga “Nacionale”.
Për këtë në “Debat Plus” gazetari Lirim Mehmetaj ka kërkuar të hetohet edhe kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi, teksa ka kërkuar më shumë qartësi dhe përgjegjësi publike.
“Në asnjë komunë tjetër nuk kish kalu veç me shkarkimin e nënkryetares pa kurrfarë dhënie të përgjegjësisë publike. Qysh kish ndodhë në institucione tjera, kish me ndodhë edhe në këtë situatë. Me dalë edhe kryetari i komunës besa edhe ai me u hetu, se nuk e di as çfarë hetime është ka bëhet. Prej një situatë që neve na proklamohet si një parajsë ligjore në veri edhe shtirje e madhe e sovranitetit, ky është realitet i kundërt, gjithë ato situata joligjore duke ndodhë. Qartësi ma të madhe dhe ne është dashtë me kërku këtë. Duhet një hetim më i qartë, shumë pak ka qartësi”, ka thënë Mehmetaj.
Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin që përfshin edhe zyrtarë të lartë të komunës.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim e Prokurorisë gjatë së martës.