Kanë kaluar dy javë që nga përfundimi i sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës. Kampionati u mbyll me dyshime për kurdisje të ndeshjeve. Reagimi nga njohësit e futbollit dhe opinoni publik në ditët e para ishte i madh, por jo edhe tani.
Po zhvillohej minuta e 105-të në ballafaqimin mes Ferizajt dhe Dukagjinit. Rezultati ishte i barabartë 1-1 dhe ferizajasve iu nevojitej fitorja për të shmangur rënien nga elita e futbollit kosovar.
Në atë minutë një harkim në zonë e gjeti Astrit Fazliun, i cili realizoi me kokë. Portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, në mënyrë të çuditshme hapi këmbët duke lejuar që topi të shkonte në rrjetë. Ferizaj fitoi 2-1 dhe siguroi barazhin.
Ky gol me gjasë “alarmoi” Prokurorinë Themelore në Ferizaj se nuk ishte gjithçka në rregull. Menjëherë filluan hetimet për këtë ndeshje.
Tani, pas dy javësh në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin nga kjo Prokurori kanë dhënë detaje shtesë lidhur me këto hetime.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar hetuesit rajonal për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për shkak të dyshimit se është kryer vepra penale Kurdisja e ndeshjes ose e sportit nga neni 377 të KPK-së, sipas informacioneve që kemi janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe jemi në pritje të raportit njoftues nga ana e policisë së bashku me dëshmitë e tjera,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Dyshime të mëdha për kurdisje të ndeshjes kishte edhe në takimin tjetër, Trepça’89 – Prishtina. Mitrovicasit triumfuan 2-1 pasi përmbysën rezultatin krejt në fund të sfidës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ditë më parë kishte konfirmuar për RTV Dukagjinin se edhe për këtë ndeshje kanë filluar hetimet. Kurse, të hënën nuk ka kthyer përgjigje.