Veprimtaritë e jashtëligjshme i luftojnë në çdo cep të vendit, por me plot kuptimin e fjalës, ato mund t’i kenë pasur edhe në oborr, madje për dekada, e të mos i kenë vënë re.
Stacionin Policor Qendra të kryeqytetit, vetëm një mur prej disa centimetrash e ka ndarë me një zyre që pretendohet se ka funksionuar ilegalisht që nga përfundimi i luftës.
“Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, apo “Qendra për Paqe dhe Tolerancë Prishtina” është organizatë jo-qeveritare që dyshohet se ka funksionuar brenda kësaj hapësire.
Megjithëse e regjistruar si OJQ, ka rezultuar që aty janë kryer veprimtari të tjera, e për këtë, është bastisur nga institucionet e rendit pasditen e së mërkures.
Aksioni ka zgjatur deri në orët e vona ndërsa derën hyrës me rastin e mbylljes së objektit është vendosur ky njoftim për mbyllje të përkohshme të veprimtarisë që mbanë emrin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë konstatuar se në këtë objekt dyshohet se ofroheshin shërbime mjekësore kundërligjshëm, për çka kanë intervistuar disa persona.
“Prishtinë, 1 shkurt 2024 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës- Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve. Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë”, kanë thënë Policia dhe Prokuroria Prokuroria Th. Në Prishtinë.
Edhe pepartamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së, sipas ministrit Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar se kjo OJQ nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi duke e cilësuar si organizatë që paraqet rrezik për Kosovën.
“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je. Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit. Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, ka thënë Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm.
Edhe njohësit e fushës së sigurisë mendojnë se pa marr parasysh rezultatet përfundimtare të hetimeve ky rast paraqet shqetësim për sigurinë e përgjithshme.
“Sido që të jetë, brenda asaj zyre është zhvilluar aktivitet i dyshimtë dhe që nuk është në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Gjithçka çka është ilegale, ngre dyshimet dhe versione se aty ka mundësi që të jetë punuar edhe kundër interesave të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Avni Islami, Njohës i fushës së sigurisë.
Islami deklaron se institucionet e sigurisë duhet të fillojnë një hetim se a ka edhe objekte të tjera të ngjashme dhe sa janë të siguruara objektet vitale të Republikës së Kosovës.
RTV Dukagjini gjatë së mërkurës ka arritur të flas me disa familjare të punonjësve brenda kësaj zyre. Ata pretendojnë se punojësit mjekësor vijnë nga Graçanica dhe përpos shërbimeve mjekësore brenda zyrës nuk është kryer asnjë veprimtari tjetër.
Ndërkohë gjatë ditës kemi kërkuar informacione nga Inpektorati Shëndetësor më saktësisht nga Zëvendësuesja e Kryeinspektorit Shëndetësor lidhur me veprimtarinë e pretenduar shëndetësor në këtë zyrë, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjiigjur.