Një shtetas i huaj është arrestuar pasi dyshohej që tërhiqte para kundërligjshëm nga bankomatet në Kosovë. Atij i janë sekuestruar 27 kartela të ndryshme bankare të dyshuara që ato janë të klonuara dhe dëshmi të tjera, njofton Policia e Kosovës.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës bën të ditur se në cilësinë e provave të tjera materiale, të dyshuarit i janë sekuestruar një telefon celular, një SIM kartelë, para të gatshme që kapin shifrën prej 1200 eurosh, rreth 387.02 funta anglezë dhe 27 kartela të ndryshme bankare nën dyshim që ato janë të klonuara.
“Sipas detyrës zyrtare gjatë gjithë procesit ka qenë prezent avokati mbrojtës. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’”, ka shkruar Policia e Kosovës gjersa ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të shtunën e 3 shtatorit.
Në bazë të vendimit të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë gjersa pritet të ndërmerren masa të tjera ligjore.