Policia e Turqisë, të hënën e 14 nëntorit ka njoftuar se gruaja siriane e arrestuar në Stamboll, e ka pranuar se ka vendosur bombën në sheshin e Taksimit të dielën e 13 nëntorit, raporton agjencia AP.
Militantët kurdë e kanë mohuar të kenë lidhje me sulmin, si pasojë e të cilit kanë vdekur gjashtë persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
“Pak më herët, personi që la bombën është arrestuar nga Departamenti i Policisë së Stambollit”, ka thënë ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu të hënën.
Policia më vonë e identifikoi të dyshuarën si Ahlam Albashir, një shtetase siriane.
Departamenti i Policisë së Stambollit ka thënë se janë shikuar video nga rreth një mijë e 200 kamera të sigurisë dhe janë bërë bastisje në 21 lokacione.
Po ashtu, janë ndaluar afro 46 persona tjerë, të cilët janë marrë në pyetje.
Sipas AP, policia ka thënë se e dyshuara është larguar nga skena në taksi, pasi ka lënë bombën në rrugë.
Po ashtu, policia ka theksuar se e dyshuara u ka thënë gjatë marrjes në pyetje se ajo është stërvitur nga një “zyrtar special i inteligjencës” i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe po ashtu nga grupi siriano-kurd i Partisë së Unionit Demokratik.
Ajo ka thënë se është futur ilegalisht në Turqi nga qyteti Afrin.
Në Turqi ndaloi përkohësisht u ndaluan raportimet e mediave për shpërthimin, duke mos iu lejuar transmetuesve të shfaqnin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese.
Megjithatë, pamjet në rrjetet sociale ku shihet momenti i shpërthimit në sheshin Taksim në Stamboll, jepnin indikacione se çanta e lënë në një stol, mund të ketë shkaktuar shpërthimin e bombës.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka deklaruar se besohet që shpërthimi është sulm terrorist, i kryer nga një grua.
Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një konferencë për media në Stamboll, ka theksuar se keqbërësit do të ndëshkohen.
Erdogan, teksa ka dënuar sulmin ka thënë se të njëtit po “i vjen era terror”.
Pas shpërthimit në Stamboll, ambasada e Kosovës në Ankara, ka vënë në dispozicion një numër kontaktues emergjent të Konsullatës në Stamboll për qytetarët e Kosovës që gjenden në shtetin turk.
Pak orë më vonë, ambasada e Kosovës njoftoi se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante të Republikës së Turqisë, “në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, rruga Istikal ku ndodhi sulmi, nuk është hera e parë që bëhet cak i sulmeve vdekjeprurëse. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2016.
Po ashtu, Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse edhe gjatë viteve 2015 dhe 2017.
Përgjegjësinë e këtyre sulmeve e kishin marrë grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë.
Nga këto sulme kishin mbetur të vrarë mbi 500 civilë.