“Liria e vërtetë e shtypit është t’u thuash njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë”, kështu kishte thënë shkrimtari George Orwell.
Shprehja e lirë e mendimit dhe e drejta e fjalës janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, në mesin e të drejtave themelore të njeriut. Megjithatë, vetëm gjatë vitit 2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar të jenë 21 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Gjatë vitit 2021 janë trajtuar, gjithsej, 21 raste: Për veprën penale ‘Kanosje’, janë iniciuar 16 raste; Për veprën penale të ‘Lëndim trupor’, është iniciuar 1 rast; Për veprën penale të ‘Ndërhyrje në sistemin kompjuterik’, është iniciuar 1 rast; Për veprën penale të ‘Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit’, është iniciuar 1 rast; Për veprën penale ‘Sulm’ 2 raste (në veri të vendit)”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Portalin Dukagjini.
Sipas policisë, që të gjitha këto raste të raportuara janë dërguar në Prokurorinë kompetente.
Ndërkaq, krahasuar me vitin paraprak nuk është se haset ndonjë avantazh, kjo pasi janë 6 raste të raportuara në polici nga gazetarët kosovarë. Rastet më të shpeshta janë ato të kanosjes.
“Gjatë kësaj periudhe kohore të vitit 2022, në DHKR janë duke u trajtuar 6 raste, Për veprën penale të ‘Kanosje’ janë iniciuar 3 raste; Për veprën penale të ‘Ngacmim’, është iniciuar 1 rast; Për veprën penale ‘Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit’, është iniciuar 1 rast; Për veprën penale ‘Prezantim i rremë’ është iniciuar 1 rast; Raste të dërguara me Kallëzim Penal me kryes të njohur 1”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Shifra të ulëta për dëme dhe sulme ndaj gazetarëve në Kosovë nuk kanë dhënë as nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për Portalin Dukagjini ka treguar se nga 24 raste të sulmeve ndaj gazetarëve të raportuara gjatë vitit 2022, për 11 prej tyre ka ngritur aktakuzë.
Ulaj ka shtuar se për katër raste të sulmeve ndaj gazetarëve është marrë aktvendim për hudhje të kallëzimit penal, ndërsa ka thënë se rastet e tjera janë në proces.
Shihet se janë edhe 7 raste të sulmeve ndaj gazetarëve për të cilat Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka filluar hetimet. Kjo tregon se zgjidhja e rasteve të tilla nga Prokuroria mbetet e ngadalshme.
Këtë po e thotë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që është organizatë e cila i mbron dhe raporton rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
AGK-ja në një raport të saj ka treguar se vetëm deri në korrikun e këtij viti janë shënuar 5 raste të sulmeve publike ndaj gazetarëve, që sipas kësaj organizate zakonisht gazetarët sulmohen nga biznesmenët, zyrtarët shtetërorë dhe ata partiakë.
Një ndër rastet të cilat AGK-ja e përmend në raportin e fundit të publikuar për sulmet ndaj gazetarëve, është sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi i cili mbetet i pazgjidhur, dhe lidhur me këtë AGK-ja ka vlerësuar se zgjidhja e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve mbetet proces i ngadalshëm.
Por, pse nuk përputhen shifrat e Policisë së Kosovës, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë sa i përket sulmeve kundrejt gazetarëve?
Kjo për shkak se disa gazetarë e paraqesin rastin por nuk dëshirojnë që ai të jetë publik. Duke qenë se ka, gjithsej, 24 raste të raportuara të sulmeve ndaj gazetarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, atëherë kjo vë në dukje faktin se liria e shprehjes po cenohet.
Rastet e sulmeve, kërcënimeve apo dhunës dhe veprave të tjera kundrejt gazetarëve nuk e paraqesin mirë Kosovën në aspektin e lirisë dhe demokracisë para vendeve të Bashkimit Evropian.
Kështu, së fundi edhe Raporti i Komisionit Evropian ka ngritur shqetësimin për sulmet ndaj gazetarëve dhe ka thënë se AGK-ja mbetet burimi kryesor për informim i Bashkimit Evropian kur është në pyetje siguria e gazetarëve në Kosovë.
Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për Portalin Dukagjini është prononcuar anëtarja e bordit, Albionetë Ademi, e cila ka thënë se mbetet shqetësuese dhe e frikshme mosndëshkueshmëria e krimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe ka vlerësuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë dështon në trajtimin e rasteve të tilla.
“Mbetet shqetësuese, madje e frikshme mosndëshkueshmëria e krimeve ndaj gazetarëve. Sistemi i drejtësisë dështon në zbulimin e rasteve, e ato që zbulohen marrin dënime aq të buta, saqë sulmuesit potencialë të mediave dhe gazetarëve gjejnë terren të favorshëm për ta”, ka thënë ajo.
Sipas Ademit, fakti se nuk ka pasoja të rënda për ata që sulmojnë gazetarët është një prej arsyeve që sulmet ndaj gazetarëve po rriten vazhdimisht.
E pyetur se si e sheh zgjidhjen e problemeve të tilla, ajo ka shtuar se sistemi i drejtësisë duhet të jetë më efektiv.
Ndërkaq, Rabije Hyseni, nga zyra e Informimit të AGK-së, ka thënë se kjo organizatë bashkëpunon me organet e rendit, e monitoron procesin e sulmeve ndaj gazetarëve dhe i raporton rastet e tilla në Policinë e Kosovës.
“Rastet e sulmeve te ne raportohen direkt nga gazetarët dhe mediet, dhe ne jemi në dijeni për rastet e tilla, të cilat më pas i adresojmë në Polici”, ka bërë të ditur Hyseni për Portalin Dukagjini.
Tutje, Hyseni ka thënë se AGK-ja ka mision mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve.
Ndërsa, lidhur me rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë për Portalin Dukagjini se nuk posedon raporte të veçanta për sulmet ndaj gazetarëve.
Kuadri ligjor i mediave
Gazetarët po sulmohen, megjithatë Kodi Penal i Kosovës parasheh edhe dënime me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet, në rast të kërcënimeve apo kanosjes siç njihet në gjuhën zyrtare. Ndërsa, për rastet e dhunës fizike, sipas kodit, dënimet janë nga 3 muaj deri në 10 vjet burg.
Kurse, Kushtetuta e Kosovës, nenin 42 ia kushton Lirisë së Mediave, që garanton lirinë dhe pluralizmin e Mediave.
“Neni 42, Liria e Medieve. 1. Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve. 2. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme. Për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. 3. Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin”, thuhet në dokumentin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Albioneta Ademi ka thënë se për shumicën e sulmeve ndaj gazetarëve nuk janë gjetur fajtorët.
Ajo ka bërë thirrje që sistemi i drejtësisë të jetë më i angazhuar, pasi sipas saj të dhënat e sulmeve tregojnë se gazetarët nuk janë të sigurt në vendin e tyre të punës.
“Të dhënat tregojnë se ata janë të pasigurt gjatë kryerjes së punës së tyre dhe jo vetëm atëherë. Sistemi i drejtësisë patjeter se duhet të jetë më efektiv”, ka përfunduar ajo.