Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se e hëna e 13 shkurtit, në Shqipëri, do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e solidariteti për viktimat nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”, ka shkruar Rama.
Kryeministri shqiptar ka shtuar se të hënën flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë.
“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, ka shtuar kryeministri Rama.