Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar të dyshuarin D.S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Detyrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, D.S. dyshohet se nga data 29 maj 2024 deri në momentin e arrestimit, përmes kanosjes serioze, ka detyruar të dëmtuarin F.S. që t’i jepte shuma të ndryshme parash, duke përfituar rreth 50 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme.
“Dyshohet se i njëjti që nga data 29 maj 2024, deri në momentin e arrestimit të tij, përmes kanosjes serioze, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka detyruar të dëmtuarin F.S., që ti jepte shuma të ndryshme të parave, ku bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit dyshohet se ka përfituar rreth 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro nga i dëmtuari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa Prokuroria brenda afateve ligjore do të kërkojë caktimin e paraburgimit.
Ndërkohë, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se një person i dyshuar ka kanosur një grua, duke e detyruar t’i dorëzojë një shumë parash.
“I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi që, përmes kanosjes, e kishte detyruar një viktimë femër të dorëzonte shuma të ndryshme parash. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.