Gjykata Themelore në Prishtinë është duke shqyrtuar kërkesën e dorëzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për urdhërimin e kryeministrit Albin Kurti që të paraqitet për dhënie të dëshmisë në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, gjykata ka konfirmuar pranimin e kësaj kërkese nga Prokuroria.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Dukagjinin.
Sipas procedurave ligjore, nëse gjykata e aprovon këtë kërkesë, kryeministri Kurti do të duhet të paraqitet vullnetarisht në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij si dëshmitar. Në rast të kundërt, atij mund t’i shqiptohet një gjobë dhe, nëse përsëri nuk i përgjigjet thirrjes, ligji parasheh edhe masën e paraburgimit.
Në rast të miratimit të kërkesës, Kurti do të ketë mundësinë të paraqitet vetë në ambientet e PSRK-së. Por, nëse nuk e bën këtë, atëherë Gjykata do ta dorëzojë urdhrin tek Policia e Kosovës, e cila do të detyrohet të ekzekutojë vendimin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.